Loading…
12 qershori: Një tregim për njerëz të poshtër dhe rrenca
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 12/06/2018 | 13:45

...

Në Kosovë, festohen të gjitha festat e botës, përveç ditës të saj më të madhe, 12 qershorit. Dita e çlirimit nga pushtimet shekullore. Tash e 19 vjet, kjo datë festohet skutave, por kursesi zyrtarisht dhe bëhet me qëllim si për inati nga e gjithë klasa politike, e cila me mish, e me shpirt është munduar ta fasadojë, çlirimin nga NATO, për përfitime politike e familjare, dhe për shumë arsye të tjera të liga dhe të rrejshme.


Ishin togeri Gareth Evans dhe rreshteri Balaram Rai, dy ushtarët e parë që vdiqën në Kosovë, si ushtarë të trupave të NATO’s duke e çmontuar një bombë në një nga shkollat e fshatit Arllat. Njëri vinte nga Wellsi ndërsa tjetri ishte Gurka, të dy nga një regjiment me prestigj botëror, me prejardhje nga Nepali, që luftojnë nën flamurin britanik tash e 2 shekuj (69 Gurkha Field Squadron, 36 Royal Engineers), vdekja e të cilëve nuk u regjistrua kurrë nga autoritetet kosovare, para, e as pas pavarësisë së Kosovës.

Komanda e KFOR’it e pati emëruar një urë mobile e ndërtuar nga inxhinierët britanikë, me emrin e tyre, e cila më pas është zëvendësuar dhe prej atëherë, emri i gurkave, nuk u përmend kurrë. Evans ishte 25 vjeç, ndërsa Rai 35, kur vdiqën në detyrë duke i ndihmuar drenicakëve të ktheheshin në shtëpitë dhe shkollat e tyre. Në akcion vdiq edhe një ushtar i UÇK’së dhe 3 civilë të tjerë u lënduan rëndë.

Ushtarët Evans dhe Rai, po i përkujtoj sot me këtë shkrim duke e ndarë me ju. Ishte jeta e tyre që humbi për ne dhe lirinë sot.

***

Provo me ecë rrugëve të Prishtinës me koncentrim duke i lexuar emrat e rrugëve në tabelat e kaltërta të aluminit. Gjithçfarë emri… dhe shpesh herë i panjohur për shumicën. Emrat e këtyre anonimëve shqiptarë takohen nëpërmes këtyre rrugëve me emrat si Bill Clinton, dhe Bob Doll. Aty gjen gjithçfarë emri, përveç të ndonjë ushtari të vërtetë NATO’s, i cili veproi drejtpërdrejtë në çlirimin e Kosovës. Aty e gjen edhe emrin e babës së Shpend Ahmetit, edhe tulifar follirantit të LPK’së, por asgjë që lidhet me ditën e sotshme. Me 12 qershorin ditën e çlirimit nga serbet e rrjedhimisht nga perandoritë e reja e të vjetra, kur Kosova për herë të parë, futet në harta ndërkombëtare me vijë të ndërprerë, e pastaj më 2008 edhe me vijë të plotë, në më shumë se 100 vende të botës. Pavarësia e jonë, shënon fillimin me 12 qershor 1999 dhe formësohet me 17 shkurt 2008… dhe do të vazhdojë për më mirë.

 

Vazhdimi i Poshtërsisë me 12 qershorin

Poshtërsia me 12 qershorin nuk ndodhë nga mosdija. Kjo tash e 19 vjet, bëhet me qëllim nga e gjithë klasa politike, pa dallim.

Poshtërsia me mos njohjen e kësaj date i ka rrënjët e mendësia marksist-leniniste, të cilët kanë marak për të luajtur me data se kinse “ne partizanët”, u futëm në Prishtinë me 11 qershor, ndërsa KFOR’i me 12… duke i kopjuar lojërat e komunistëve jugosllavë kur shtyheshin 50 vite më parë, me komunistët rus se a kishin hyrë ata, apo rusët më herët në Beograd. Këta komandantët tonë e kopjonin edhe propagandën e Enver Hoxhës i cili thurrte vargje se e kishin çliruar Shqipërinë vet, në kuptimin që kishin hyrë në Tiranë para rusëve, e që i shërbyen pastaj Rusisë deri me 1968, nuk u bë llaf.  Diçka të tillë në Prishtinë te ne, gjithmonë ka pasur qejf ta përmed Komandant Remi (Remzi Mustafa), duke treguar për disa shtëpia në Vranjevc (Lagja e Trimave – analizo emërimin e lagjes), që kishin hyrë ushtarët e lirisë.

Shumë mirë… e NATO?

Nga kjo mendësia marksistë-leniniste po e veçoj edhe Ramë Bujën, i cili ende flet shqip sikur në filmat propagandistik të Shqipërisë Komuniste, e që në një televizion nacional pati deklaruar, se “NATO ishte aviacion i UÇK’së”, dhe pa kurrëfarë turpi shiste rrena për format e çlirimit të Kosovës.

Pastaj janë marrë me përmendore se a duhet Zahir Pajaziti apo Adem Jashari me qëndru te Hotel Grandi, dhe kjo tregon më së miri pse Prishtina rezulton të mos ketë përmendore të Adem Jasharit, për dallim nga qytetet e tjera. Pra 19 vite, është luajtur paftyrësisht me datën 11 dhe 12 qershor, dhe kurrë ky kryeqytet e ky shtet nuk arriti ta festojë, qysh duhet e i ka hije.

Poshtërisa me këtë ditë po vazhdon edhe sot… Përveç që nuk na u pranua çlirimi, nuk u mundësua as të festohet…

 

Për fund

19 vjet pas lufte, dikujt i ra ndërmend ta bëjë një përkujtim anonim për ushtarët e rënë të KFOR’it. Ishte Presidentja Atifete Jahjaga, e cila nxiti kërkesën për t’i nderuar viktimat e KFOR’it në Kosovë. Por me gjasë që duhet të dilet nga një zarf amerikan, për të arritur deri te një kërkesë normale dhe e ndershme për luftën dhe çlirimin e Kosovës. Ndoshta edhe jo, por fatkeqësisht kështu i bie me këtë mendësi të klasës politike.

Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në Kosovë në 19 vitet e fundit, kryesisht në aksidente. Në vitin 2006, në një aksident ajror afër kufirit Hungari-Sllovaki vdiqën 42 ushtarë sllovakë derisa po ktheheshin në vendin e tyre pas shërbimit në Kosovë. Në vitin 1999 kur lufta përfundoi, NATO kishte mbi 50 mijë paqeruajtës, ndërsa sot janë rreth 4,500.

***

Ishin togeri Gareth Evans dhe rreshteri Balaram Rai, dy paqëruajtësit e NATO’s që vdiqën të parët në Kosovë me 21 qershor 1999. Ata ishin Gurka. Fëmijëve të tyre sot, ju mohohet e drejta e qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar edhe pse babai i tyre vdiq në Drenicë me flamurin e Britanisë në krahëror.

Avokati i familjes Rai, tash e 8 vite mundohet t’i sigurojë kësaj familje qëndrim dhe shkollim më të mirë në Britani por pa sukses. Edhe pse babai i tyre kishte vdekur duke e çmontuar një bombë, në një shkollë kosovare të Arllatit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë