Loading…
2016 – një vit intensiv
  • Nga

  • ZGJIM HYSENI

  • Dhj 28, 2016 | 16:05

...

2016 është viti kur shoqëria ka qenë e polarizuar si asnjëherë më parë. Më 2016 zona gri u ngushtua shumë, gati u zhduk. Njerëzit nuk të pyesnin kush je, as me kë je. Duhej të tregoje në cilën anë je.


Ecja e kohës s’është gjë tjetër veç numrimi i rrotullimeve të Planetit tonë rreth Diellit. Një mësim i thjesht gjeografie ky. Si në plot gjëra tjera, natyra na shërben si reference e ekuivalent për të njohur e llogaritur veten tonë. Natyra është sinonim i të pandryshueshmes, të dhënës si e vetvetishme? Edhe përparimin shumë mendje e matin me shkallën e tejkalimit të natyrës, brenda nesh dhe rrotull nesh. Nëse mund të flasim për kohën si nocion bosh, pa njerëzit, atëherë ajo është pikërisht kjo lëvizje qerthullore vetpërsëritëse që ec pa pra e që s’shkon askund. Natyra. Themi ‘natyrisht’ për gjërat që kurrsesi nuk kontestohen. ‘Natyrisht’- është ndër përgjigjet më të zakonshme kur ripërtypim ideologjinë. Por, koha s’ka kuptim pa njerëzit. Madje ajo fillon të llogaritet për të shënuar ngjarjet. Ngjarje si lufta e UÇK-së, Revolucioni francez, apo edhe një që sapo pashë në portal-  mësova se Gjilani paska harxhuar shumë para për fishekzjarre. Dallojmë ngadalë Ngjarjet nga faktet. Është vërtet vështirë të ndërhysh në kohë. Edhe nëse kjo ka ndodhur ne nuk mund ta dimë tash. Kjo sepse historia shkruhet në prapakthim si domosdoshmëri, por bëhet në aktualiteti si liri. Këta rreshta nuk janë pretendim për përsiatje mbi kuptimin e kohës a historisë. Meqë jemi të thirrur për të bërë bilancin, rendi e do të vendosim kriteret së pari- çfarë të shkruajmë e çfarë jo.

2016 është viti kur shoqëria ka qenë e polarizuar si asnjëherë më parë. Më 2016 zona gri u ngushtua shumë, gati u zhduk. Njerëzit nuk të pyesnin kush je, as me kë je. Duhej të tregoje në cilën anë je. Është diskutuar aq shumë për dhunën dhe përkufizimet e saj, për kuptimet e kufizuara e të zgjeruara. Megjithatë, e quaj emancipim shoqëror faktin që pavarësisht gjithë asaj propagande, pavarësisht linçimeve e akuzave nga ambasadorë e emisarë të tjerë, qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar dhe arsyetuar edhe gazin edhe veprimet tjera të opozitës. Kjo nuk shprehet vetëm me tendencën e matjeve të opinionit që tregojnë tendencë rritjeje të Lëvizjes përkundër humbjes së mbështetjes të partive në pushtet. Edhe në pyetjet konkrete, ta zemë lidhur me gazin lotsjellës, shumica e qytetarëve e kanë arsyetur atë si diçka të domosdoshme. Pra, më parë sesa tek rritja e mbështetjes dua ta vë theksin tek mënyra. Kjo mënyrë është në antagoni të plotë me pushtetin ndërkombëtar në Kosovë.

Nuk është se thjesht kishim polarizim, por kishim të tillë polarizimi , për aso tema që nxitën aq shumë averzion nga common sense postmodern. Një nga format e luftës diskursive përmes të cilës ka  korrur sukses hegjemonia neoliberale është pikërisht ndalimi i përdorimit të disa nocioneve, duke i bërë artikuluesit e tyre të duken si të dalë jashtë mode, si relikte të së shkuarës që iu është ndalur ora. Por, rezultati i këtij ‘kulturimi’ e përshtatje me fjalorin politikisht korrekt është impotenca e lëvizjes së majtë, pamundësia për thirrje e mobilizim. ‘Si është e mundur që ende flitni për temat e mëdha?!; për privatizimin, për kolonializmin; për besnikërinë, kolaboracionazmin, tradhtarët; për mbrojtjen e vendit. Flisni për gjithë këto gjepura e nuk flisni për korrupsionin dhe ekonominë’, thonë analistët e regjimit. U kemi thënë shpesh se për korrupsionin do të flasim, por veç pse është e lehtë nuk do të mashtrojmë duke thënë se ky është shkaktari që shpjegon varfërinë e papunësisë. Përkundrazi, është modeli neoliberal, për të cilin ne flasim, por kjo siç duket nuk ju pëlqen. E quaj poashtu emancipim faktin që kjo luftë politike ka mundësuar shprishjen e diskursit korrekt liberal, duke shpluhurosur fjalë e koncepte që teksa rikthejnë historinë, hapin horizontet përtej konsensusit ideologjik.

2016 është viti kur Hashim Thaçi u zgjodh president. Siç e kemi pritur, Hashim Thaçi nuk zgjodhi mjete për të mbërritur ku dëshironte. Por, i ashtuquajturi president, nuk po trajtohet fare si i tillë,  brenda as jashtë. Ky vit do të mbahet mend edhe për një garë të pështirë midis Edi Ramës e Hashim Thaçit për dialogun me Vuçiqin. Dialogu Prishtinë-Beogradi ka qenë procesi që Hashim Thaçit i ka shërbyer për legjitimim ndërkombëtar. Ky dialog i udhëhequr prej tij, e të cilin po insiston ta bartë në presidencë gjendet në pikën më të ulët. Për të ky është problem serioz. Çfarë do të bëjë Hashim Thaçi pa dialog?! Ku do të shkojë Hashim Thaçi pa dialog?! Hashim Thaçi është Hashim Thaçi i dialogut. Pa dialogun Hashim Thaçi mbetet jetim. Kështu bëhet i papërdorshëm edhe për ndërkombëtarët. Kriza e dialogut është krizë e Hashim Thaçit, këtu edhe fillon problemi. Në kohën që kërkesa për zanatin e tij është në mungesë, Edi Rama merr guximin e ia merr punën.

2016 mbetet i shënuar edhe si vit kur listës ‘Srpska’ i është rritur brenda institucioneve të shtetit, dhe përmes saj Serbisë. Pamundësia për të ecur përpara me vendimin për ushtrinë lidhet në mënyrë direkte me këtë subjekt, por edhe me zgjidhjet juridike që ka paraparë Plani i Ahtisaarit (shumica e dyfishtë). Për secilin prej nesh duhet të jetë problem fakti që roli i këtij subjekti që merr instruksione në Beograd ka filluar të konsiderohet si diçka normale.

2016 ishte një  vit kur i kemi parë në zë dhe figurë, të dokumentuara, disa të vërteta që i kemi ditur  tash sa kohë: PISA dhe Pronto. Kush nuk e ka ditur se janë ashtu siç janë dhe flasin ashtu siçi dëgjuam protagonistët e aferës Pronto?! Por, njohja e një çështje në mënyrë abstrakte e të përgjithshme dallon nga zëri konkret që e  dëgjon teksa bëhen pazaret. Kjo e fundit ka statusin e reales traumatike që kalon mundësitë rehabilituese të fetishit ideologjik. Kush nuk e ka ditur që sistemi ynë arsimor është në situatë emergjence?! PISA ndërkaq siguroi gjithë këtë vëmendje thjesht për shkak të autoritetit që dha vlerësimin.

2016 ishte një vit intensiv jo vetëm sepse kishim aq shumë njerëz të mbledhur në sheshe. Por sepse procese që kanë filluar e na kanë përcjellur me dekada janë demaskuar e ndaluar seriozisht. Kjo megjithatë s’është asgjë më shumë sesa hapësira e krijuar për diçka të re.  Lë të shpresojmë se 2017 do ta sjellë të renë afirmative. Por, e reja duhet të na sjellë edhe mënyrë të re të shpresuarit. Shpresën nuk e bazojmë në zhvillimet jashtë nesh, por në përpjekjen tonë kolektive.

(Autori është Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Ky opinion është shkruar enkas për Gazetën Metro)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë