Loading…
2016: Viti që ka zënë n’thue
  • Nga

  • AHMET ISUFI

  • 31/12/2016 | 13:08

...

Ky 2016 është viti që karakterizohet me vitin e mbrapshtë apo vit siç thotë populli që ka zënë n’thue. Fatkeqësisht ky fundvit po mbyllet me muri, edhe nga ana fizike e ndarjes së territorit por edhe nga ana simbolike e një përfundimi me shkatërrim të të gjitha agjendave të interesit kombëtar e shtetëror.


Që nga paslufta, kurrë dëme më të mëdha nuk iu kanë sjellë Kosovës nga ky koalicion i numrave, e jo i logjikës e politikës së mirëfilltë. Kjo si shkak i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë duke qenë në plan të parë temat e brendshme të Kosovës, duke përfituar Serbia dhe duke qenë në rolin e vëzhguesit pasiv Brukseli.  Qeveria Mustafa lëre që nuk ka realizuar premtimet e dhëna para qytetarëve të Kosovës, por përkundrazi ka marrë vendime që cenojnë rëndë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Vitin 2016 e filluan pakënaqësitë qytetare, gazi lotsjellës, mollotovët, gurët, përkundër arrestimit të deputetëve, torturimit dhe burgosjes së qytetarëve dhe në anën tjetër paaftësinë për të menaxhuar situatën duke trilluar raste dhe duke u mbështetur në ligjin nga një dorë e një regjimi shtypës.  Asociacioni i komunave me shumicë serbe e quajtur ndryshe “Zajednicë” dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi u vunë si tema të panevojshme nga qeveria duke u zbehur interesimi për jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre, për zbutjen e papunësisë, për krijimin e sigurisë së vendit, për përmirësimin e sferave të rëndësishme jetësore, siç janë arsimi, shëndetësia, kultura, ekonomia, bujqësia deri te ambienti. Kjo bëri që karshi politikës së jashtme të krijohet defanziva dhe imazhi i Kosovës të bjerë në shkallën më të vogël të mundshme të interesimit ndërkombëtar, si pasojë e mbushjes së ambasadave me burokraci nepotiste dhe diletante pa influencë dhe pa krijim të raporteve miqësore me vendet e tjera.  Përkundër shumë dështimeve që ndodhën, përgjegjësia ishte në nivelin zero, ndërsa përfitimet e klaneve të caktuara dhe marrja nëpër këmbë e vlerave shoqërore u instaluan si pjesë e shoqërisë që kthehet në depresion të heshtur.

Edhe atëherë kur kishte nevojë për ndonjë qasje serioze dhe normale, autoritetet e përgjegjësisë shtetërore nxorrën tema të cilat ishin degraduese, fyese dhe tentuese për nënshtrim të ndjenjës qytetare. Kryeministri i vendit, në vend se të fliste me qytetarët dhe të tentonte për opinion pozitiv, përkundrazi facebooku i tij shpesh here doli nga kontrolli duke treguar një mentalitet provincial dhe duke fyer ata të cilët mund ta kundërshtonin me mënyrën më të ulët të mundshme. Debatet e ulëta me fjalor denigrues si në qeveri, në parlament e në institucione të tjera, më shumë i ngjasonin një fjalori për një ambient zoologjik, se sa një fjalori normal të personaliteteve me përgjegjësi.

Në vend të integrimit, socializimit dhe avancimit të shoqërisë, kishim të bëjmë me cenim të territorit, krijim të instrumenteve ndërhyrëse të shtetit serb në Kosovë dhe krijim të pa-sigurisë deri te cenimi i funksionimit të drejtësisë.  Në vend se të luftohej korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi, aparati shtetëror bëri improvizime që zbehën demokracinë, ngulfatën konkurencën e avancuar pro-perëndimore dhe krijuan hapësirë për ndikime nga më të rrezikshmet nga sfera e lindjes.

Ky pushtet arriti që të përmbush apetite individësh e klanesh të caktuara, por nuk arriti që të krijojë stabilitet  dhe siguri, e sidomos nuk arriti të krijojë forca të armatosura të Kosovës edhe pse kishte përkrahjen e popullit e faktorit ndërkombëtar.

Me përfundimin e vitit u arrit që të votohet një buxhet elektoral që paragjykon bartjen e problemeve për vitin pasues dhe që thellon krizën, e që Kosovën e qon nga zënja n’thue në përplasje. Sfida e parë që do të ketë ballafaqim është përplasja për muri që është mbajtur fshehtë nga bartësit e dialogut dhe opinioni edhe atëherë kur bënte tadi Serbia, por dhe Brukseli.

Nëse këtë vit e mbyllëm me mur, fillimi i vitit 2017 duhet të jetë me rrëzim të mureve që ndajmë dhe me krijim të urave që bashkojnë, integrojnë dhe që qojnë drejt civilizimit dhe zhvillimit. Në të kundërtën, nëse muri nuk rrëzohet, dikush duhet të rrëzohet.

(Autori është nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky opinion është shkruar enkas për Gazetën Metro)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë