Sonte në emisionin “Puls” në KTV, i ftuar ishte Kryeprokurori i Prokurorisë më të madhe në Kosovë, asaj Themelore të Prishtinës, Imer Beka.
Beka tha se në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, gjatë vitit 2017, kanë qenë gjithsejtë 687 kallëzime penale me 1380 persona për keqpërdorim detyre dhe korrupsion.
“Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për keqpërdorim detyre dhe korrupsion i kemi në punë 798 lëndë. Deri në fund të vitit pritet të përfundojnë nga njësiti i kundër korrupsionit, i krijuar brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në këtë njësi kundër korrupsionit punojnë 6 prokurorë që merren vetëm me hetimin e veprave kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, tha Beka.
Në fillim të vitit 2017, sipas Kryeprokurorit Beka, njësiti kundër korrupsion në Prokurori ka trashëguar 295 lëndë me kallëzime penale me 702 persona. “Pra, për korrupsion dhe krime ekonomike, gjatë vitit 2017 kemi pranuar edhe 392 lëndë penale me 678 persona. Në këtë njësit kanë mbetur të paproceduara 196 kallëzime penale dhe mund të them se ne e kemi zvogëluar numrin e lëndëve të kësaj natyre”, deklaroi ai.