Tetë kompani të pakënaqura me vendimin e Gjykatës së Tenderëve janë bashkuar për të kërkuar pezullimin e tenderit 66 milionësh, duke dërguar shkresa në Gjykatën Supreme, Prokurorinë e Shtetit, në EULEX dhe te Kryeministri i Kosovës. Ato pretendojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe OSHP-ja kanë bërë shkelje ligjore.
Gjykata e Tenderëve ia ka hapur rrugën Ministrisë së Infrastrukturës t’i nënshkruajë 8 kontratat për ndërtimin e Autostradës për Gjilan. Paneli Shqyrtues i OSHP-së në përbërje: Blerim Dinën, Nuhi Paçarizin dhe Goran Milenkoviq ka vendosur se ankesat e 11 operatorëve ekonomikë janë të palejuara.
Paneli në 16 raste është thirrur në sqarimet që ka dhënë eksperti shqyrtues për konstatimet që kishte bërë për pretendimet e operatorëve ekonomikë, mirëpo në fund nuk e kishte përfillur rekomandimin kryesor të ekspertit, që lënda të kthehet në rivlerësim.
“Vërtetohet njoftimi për dhënie të kontratës për Lotet: 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimin e Autoudhës…”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Vendimin, OSHP-ja e ka mbështetur edhe në nenin 104, paragrafin 4, pika (iii) e Ligjit të Prokurimit Publik, i cili kërkon të merren parasysh dëmet nga vonesat e një procesi të prokurimit.
“Në rastin konkret duke pasur për bazë të gjitha sqarimet e dhëna si më lart, Paneli shqyrtues ka marrë në konsideratë edhe këtë dispozitë ligjore, ku sipas rrethanave të krijuara nga vonesat e tepërta në këtë aktivitet të prokurimit, dhe për mos ndërtimin e autoudhës po e pësojnë qytetaret e vendit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ky arsyetim i OSHP-së nuk përkon me shumën e mjeteve që shteti ka vendosur të investojë në këtë Autostradë në vitin 2018. Në buxhetin e vitit 2018 për Autostradën për Gjilan janë ndarë vetëm 16 milionë euro, edhe ato janë bartur nga viti paraprak. Për vitin 2019 janë paraparë 59 milionë euro, kurse në vitin 2020 edhe 50 milionë euro.
Gjykata e Tenderëve nuk është marrë me disa pretendime të operatorëve ekonomik se disa nga operatorët e rekomanduar për kontratë kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.
“Lidhur me pretendimet e disa operatorëve ekonomikë rreth falsifikimit të dokumentacioneve dhe veprimeve kundërligjore, paneli shqyrtues sqaron se pretendimet e tilla duhet të parashtrohen tek organet kompetente të cilat kanë kompetencë të hetojnë rastet e tilla”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve.
Hulumtimi i Gazetës JnK ka gjetur se paraqitja e të dhënave të rreme ose dokumenteve të falsifikuara është njëra prej shkeljeve më të rënda që mund të bëjnë operatorët ekonomikë në një proces të prokurimit, në bazë të Ligjit për Prokurim Publik. Ligji parasheh diskualifikim për operatorët ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në 1 vjet, nëse i njëjti dorëzon dokumente të falsifikuara.
Vendimi i OSHP-së për të vazhduar me procedura të prokurimit është marrë përkundër konstatimit që Ministria e Infrastrukturës kishte vepruar në kundërshtim me aktet nën-ligjore kur nuk kishte kërkuar me kohë vazhdimin e validitetit të ofertave nga operatorët ekonomikë. OSHP-ja nuk ka dhënë shpjegim ligjor rreth pretendimeve të operatorëve ekonomik se validiteti i ofertave kishte skaduar gjatë kohës sa ministria merrej me procedura të ri-vlerësimit. OSHP në vendimin e tyre thotë se asnjë nga OE nuk e ka kundërshtuar shpjegimin e dhënë nga Ministria e Infrastrukturës.
Një vlerësim për ‘skadikimin e validitetit të ofertave’ e ka dhënë eksperti shqyrtues.
“Eksperti ka konstatuar se ministria e Infrastrukturës me rastin e rivlerësimit të ofertave nuk ka kërkuar vazhdimin e validitetin të ofertave dhe sigurimit të tenderëve me këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 34 të RRUOPP gjegjësisht paragrafin 31.4”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Neni i cituar nga eksperti thotë: ‘Nën situata të justifikueshme dhe/ose të veçanta kur vonesa të papritura shfaqen, duke nënkuptuar që procesi i vlerësimit nuk mund të finalizohet brenda afatit të periudhës së validitetit të tenderëve për arsye të detajeve komplekse teknike të sqaruara, AK do të kërkojë nga OE të zgjasin validitetin e tenderëve të tyre. Kërkesa për zgjatje të validitetin të tenderit do të bëhet me shkrim dhe duhet të kërkohet para datës së skadimit”.
Bashkohen kompanitë ankuese kundër OSHP-së
Por, eksperti duke u thirrur në qëllimin e ligjit të prokurimit dhe neni 59 të tij, ka konstatuar se ‘për veprimet neglizhente të AK-së nuk mund të dëmtohen OE-të pjesëmarrëse në aktivitetet e prokurimit’.
“Paneli shqyrtues konstaton duke marrë për bazë sqarimin e ofruar në seance nga përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, se është bërë vazhdimi i validitetit të ofertave dhe se sqarimin e dhënë për panelin shqyrtues në seancën dëgjimore nga përfaqësuesi i autoritetit kontraktues, nuk e ka kundërshtuar asnjeri përfaqësues ligjor i Operatorëve Ekonomikë ankues që kanë qenë prezent në seancë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Vendimi i OSHP-së
Vendimi i OSHP-së për të lejuar Ministrinë e Infrastrukturës të procedojë me nënshkrim të kontratave është dhënë përkundër që disa herë ka konstatuar se kishte “devijime të vogla ligjore”.
Gazeta ka gjetur se tetë kompanitë ankuese, të cilave u janë hedhur poshtë ankesat nga ana e OSHP-së janë bashkuar për të pezulluar këtë aktivitet të prokurimit. Kompanitë: ‘Dino’, ‘Sallahu’, ‘Conex Group’, ‘Tali & Zuka’, ‘Bejta Commerce’, ‘Integral & Milenium’, ‘R&Rukolli” e kanë nënshkruar një shkresë së bashku me dosjen me shkeljet e pretenduara prej tyre, e cila është dërguar në Gjykatën Supreme, ndërsa kanë paralajmëruar se do ta dorëzojnë edhe në Zyrën e Kryeministrit, Policinë e Kosovës, Agjencinë Kundër Korrupsionit. Gazeta JnK e ka siguruar një kopje të shkesës.
Në këtë shkresë ngritët kompetenca e komisionit që e ka bërë rivlerësimin e ofertave.
“Ministria e Infrastrukturës gjatë rivlerësimit të këtij aktiviteti të prokurimit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, që në fillim me rastin e emërimit të Komisionit Vlerësues të ofertave, i cili komision ka qenë i përbërë nga zyrtarë joprofesionalë, dhe në konflikt të interesit për vlerësim të ofertave, ku i njëjti komision ka bërë vlerësim të gabueshëm, diskriminim të kompanive dhe shumë parregullësi tjera”, thuhet në shkresën e kompanive ankuese.
Gjithashtu, kompanitë thonë se tenderi është ringjallur tre muaj pasi kishte skaduar validiteti i ofertave.
“Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit, duke bërë vlerësim të ofertave në një periudhë kohore kur ofertat nuk kanë pasur validitet pra ka marrë vendim me datën 20.11.2017, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar vazhdimin e vlefshmërisë së ofertave me datën 19.12.2017, respektivisht 3 muaj pas skadimit të vlefshmërisë së këtyre ofertave”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga tetë kompani ankuese.
Në këtë shkresë është atakuar edhe Gjykata e Tenderëve.
“Organi Shqyrtues i Prokurimit, si organ i cili funksionon sipas Ligjit të Prokurimit Publik, me rastin e shqyrtimit të ankesave të Operatorëve Ekonomikë, ka bërë shkeljen e këtij Ligji për të cilin është i thirrur ta kontrollojë zbatimin e tij nga ana e Autoriteteve Kontraktuese, dhe të marrë vendime të drejta në përputhje me këtë ligj, duke mos marrë parasysh as mendimin e ekspertit profesional të angazhuar nga ana e bordit të OSHP-së, si dhe duke qenë në kundërshtim me vendimin e parë të tij, për të njëjtat pika ankimore”, thuhet tutje në shkresën e cila i është dorëzuar Gjykatës Supreme.