Loading…
A do të ketë përkrahjen e Kuvendit buxheti prej 2.3 miliardë eurosh
  • 09/11/2018 | 08:56

...

Ndryshe nga ky vit, buxheti i Kosovës për vitin 2019 do të jetë mbi 2.3 miliardë euro sipas propozim-buxhetit aktual.


Ky është buxheti më i lartë që ka pasur deri tani Kosova, derisa po vlerësohet i realizueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

Projektligji për ndarjen buxhetore po vlerësohet si i hartuar mirë dhe që do të votohet pa përjashtim në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica për Indeksonline ka thënë se ky buxhet është gjithëpërfshirës dhe se do të votohet pa përjashtim.

“Është e domosdoshme që buxheti me u votua, është interes i qytetarëve dhe shtetit. Dhe, unë jam shumë i sigurtë që Ministria e Financave, Qeveria e kanë hartuar një buxhet gjithëpërfshirës që është në interes të qytetarit dhe nuk ka primesa politike. Pra, mendoj se ky buxhet do të votohet, do të kalojë në Kuvend”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka shtuar se Lista Serbe nuk mund të jetë pengesë e këtij kalimi të buxhetit.

“Mendoj që Lista Serbe e voton. Kjo sepse ka interes se ka privilegje prej buxhetit të Kosovës”, ka shtuar Reçica.

Ndërsa, Anëtari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Enver Hoti ka thënë për Indeksonline se ky buxhet është i hartuar mirë dhe se do t’i ketë votat.

“Buxheti nuk e di se kur do të kaloj në Kuvend. Por, është një buxhet i hartuar mirë dhe patjetër se do të votohet”, ka thënë Hoti.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike e vlerësojnë si lajm pozitiv planifikimin e buxhetit prej 2.3 miliard eurosh.

Mirëpo, ka skepticizëm se ky buxhet nuk do të jetë zhvillimor.

Njohës i këtyre çështjeve, Lulëzim Beqiri për Indeksonline ka thënë se nëse analizojnë orientimin e buxhetit, pjesa më e madhe është e orientuar në infrastrukturë rrugore e në paga marramendëse.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 është paraparë të jetë rreth 2.3 miliardë dhe mendoj se është lajm pozitiv, mirëpo nëse analizojmë orientimin e buxhetit jam skeptik lidhur me të quajturit buxhet zhvillimor, ende pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit është e orientuar në infrastrukturë rrugore dhe paga e mëditje marramendëse, madje një pjesë e madhe e buxhetit shkon për kategoritë sociale, për veteranët në vitin 2016 – 28.8 milionë 2017 – 37.9 milionë, 2018 – 57.1 milionë”, ka thënë ai.

Derisa, ka theksuar se ende nuk ka strategji konkrete për uljen e papunësisë.

“Nuk ka ende një strategji konkrete të uljes së papunësisë, aktualisht papunësia është rreth 40 për qind, konkretisht shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35. 3 për qind, ose 176.743 persona; për vitin 2015 ishte 32. 9 për qind, ose 145,776 persona; ndërsa për vitin 2016 ishte 27. 5 për qind, ose 126,070 persona dhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30. 5 për qind, ose 156. 583 persona. Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që t’i rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë”, ka thënë mes të tjerash ai.

Ai ka shtuar se vendimi i fundit i kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar dhe kategorive të tjera e ka rënduar buxhetin e shtetit tejmase, dhe se nuk pret që buxheti aktual të garantoj zhvillim ekonomik.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë është bërë e ditur se 300 milionë euro pritet të ndahen për fushën e arsimit derisa 250 milionë për fushën e shëndetësisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj duke iu referuar propozim-buxhetit për vitin 2019 ka thënë se “i konfirmojmë Kosovës një lajm të mirë”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë