Loading…
A është gjykata e Mitrovicës e kapur nga bizneset, hesht për lëndët ndaj ‘ETC’, ‘Viva Fresh’ e ‘Jaffa Comerce’
  • 06/08/2018 | 10:55

...

Gjykata e Mitrovicës për disa muaj nuk ka caktuar proceset gjyqësore ku do trajtohen pretendimet e Inspektoratit të Mitrovicës rreth afateve të skaduara dhe mallrave të dyshimta të hasura në tri biznese të mëdha të këtij qyteti. Gazeta Metro kishte publikuar javë më parë se në ‘ETC’ dhe ‘Viva Fresh’ ishin kapur rreth një ton mish i prishur. Megjithatë gjykata ende mban në sirtarë lëndët për këto raste, që kanë mundur të helmojnë qytetarët.


Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com nga shkrimorja e Gjykatës, dosja e Inspektoratit ndaj “ETC”-së e dërguar me 2 shkurt ende nuk është caktuar për gjykim.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me dosjen ndaj “Viva Fresh”, të dorëzuar më 23 shkurt dhe atë të “Jaffa Comerce”, të dorëzuar më 28 qershor të këtij viti.

Sipas të dhënave të siguruara, Inspektorati Komunal i Mitrovicës kishte dorëzuar më 2 shkurt një lëndë në Gjykatën e Mitrovicës me pretendimin që gjatë inspektimit  në “ETC” ishin gjetur sheqerpare të dyshimta. Lënda edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj nga dorëzimi në gjykatë nuk është caktuar për t’u trajtuar.

Tri javë më vonë, më 23 shkurt, Inspektorati Sanitar kishte dërguar kërkesën për fillimin e procedurës ndaj “Viva Fresh” pasi sipas pretendimeve të Inspektoratit në këtë biznes ishin gjetur një sasi prej  573.40 kg e mbetjeve të mishit. Edhe kjo lëndë sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com ende nuk është marrë në trajtim nga Gjykata.

Lënda e fundit e pranuar është ajo e datës 28 qershor, e që prek biznesin “Jaffa Comerce” . Sipas njoftimit të Inspektoratit në këtë biznes ishin gjetur 328 paketime prej 200 gramësh margarinë me afat të skaduar.

Nga shkrimorja e Gjykatës KALLXO.com ka kuptuar  se lëndët ende nuk u janë ndarë në punë gjykatësve përderisa komentet nga menaxherët e Gjykatës kanë munguar. “Lëndët ende nuk janë caktuar tek gjykatësit”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e njërit nga zyrtarët e Gjykatës.

Bizneset të painformuara

Në procesin e trajtimit të gjetjeve të Inspektoratit të Mitrovicës të painformuar janë dhe bizneset.

Tri nga kompanitë kanë thënë për KALLXO.com se nuk kanë informacione që lëndët e tyre ndodhen në Gjykatë.

Valon Peci, menaxher në “ETC” i ka thënë KALLXO.com se pretendimet e Inspektoratit ishin të gabuara dhe se ata ende nuk kanë marrë ftesë nga Gjykata.

“Ne nuk jemi te informuar as zyrtarisht as jozyrtarisht, as me shkrim as me telefon. Mendoj që është dashtë me qenë të informuar. Sa i përket vizitës tek ne të Inspektoratit ka qenë gjithçka në rregull. Kanë qenë dy inspektorë, janë nënshkrimet, është sheqerpare e furnitorit ‘Bjondina’”, tha Peci.

“Produkti nuk është se ka qenë pa afat, ajo ka qenë një pjesë që ka ardhur e dëmtuar prej furnitorit”, ka shtuar ai.

Valon Peci ka shtuar se pretendimet e kompanisë së tij janë se malli ka qenë në rregull.

Drejtoria e Inspektoratit të Mitrovicës në shkurt të këtij viti ka ngritur procedurë edhe ndaj kompanisë “Viva Fresh” pasi kishte hasur në një sasi të dyshimtë të mishit. Lënda për këtë rast sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com vazhdon të mbetet në sirtarët e Gjykatës.

Përfaqësues të kompanisë i thanë KALLXO.com se janë të interesuar që procesi të nisë për shkak se ata pretendojnë se nuk kishin shkelur rregullat.

“Ne e kemi refuzu këtë fakt për shkak që mishi i prishur nuk është gjetë në hapësirat e shitjes, por është gjetur në magazinën e kompanisë në një vend të veçantë. Ne e kemi pasur një reagim publik për atë dhe i qëndrojmë mbrapa deklaratës publike që e sqaron rastin dhe pozicionin e ‘Viva Fresh’”, ka thënë Erton Beka. menaxher në “Viva Fresh”.

Ai ka shtuar se kompania i konteston gjetjet e raportit të Inspektoriatit pasi edhe vetë raporti e konstaton se malli është gjetur i ndarë dhe i veçuar nga mallrat e tjera.

Biznesi i tretë i denoncuar në Gjykatë nga Inspektorati i Mitrovicës, kompania “Jaffa Comerc”, aty sipas pretendimeve të Inspektoratit ishin zbuluar mallra me afat të skaduar.

Pronari i kompanisë i ka thënë KALLXO.com se malli nuk ishte në plan të përdorej për konsum ndërsa nuk është i njoftuar se lënda ka shkuar në Gjykatë.

“Nuk jam i informuar që Inspektorati ka ngritur procedurë në Gjykatë për këto produkte, veç janë mundu me na bo shantazh. Malli kur është gjetë në lokalin ku bëhet furnizimi me ushqime, ka qenë që i ka dalë afati para 3, 4 ditëve”, ka thënë Basri Brahimi, pronar i kompanisë.

Drejtoria e Inspeksionit të Mitrovicës krahas këtyre procedurave  ka ngritur procedura edhe për subjekte tjera ku janë hasur produkte me afat të skaduar të cilat janë gjetur në treg.

“50 raste janë të ngritura pranë Gjykatës për arsye të parregullsive të hasura në treg nga Inspektorati Sanitar“, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë.

Nga rastet e vitit 2018 sipas kësaj Drejtorie vetëm një rast është dënuar e të cilin nuk e kanë specifikuar në përgjigjen e tyre dhënë nga Drejtoria e Inspeksionit, kurse nuk është parashkruar asnjë rast.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensionit Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë