Loading…
A ka Zot në Aleppo?
  • Nga

  • SHKUMBIN B. KAJTAZI

  • Dhj 17, 2016 | 15:46

...

Para 17 vitesh, shqiptarët luteshin me kokën drejtuar qiellit. Atyre, vërtetë shpëtimi iu erdhi nga qielli, por jo nga Zoti – për fat, fuqitë e mëdha nuk deshën ta përsërisin një ‘Bosnjë të Dytë’ me Kosovën, dhe sollën nga qielli diçka tjetër, që kësaj radhe ishin aeroplanët e NATO-së. Ata sollën shpëtimin, që lutja s’po ua sillte shqiptarëve.

Tash, 17 vite pas, sirianët janë ata që po mbajnë kokën nga qielli. Edhe atyre, s’po iu vije zëri i atij që po e thërrasin. Për fatin e keq të tyre, po vije zhurma e avionëve, që s’vijnë për ‘punë të mirë’. Avionët, që dikur na shpëtonin ne, atyre po ua ‘hanë’ kokat.

Fati i shqiptarëve me atë të sirianëve, çuditërisht, lidhet me qiellin. Të përbashkët kanë lutjen, por i dallon ajo që vjen nga andej ku po luten. Për shqiptarët erdhi shpëtimi, e sirianëve po iu vije ferri. A thua të ketë Zot vërtetë atje? Po, tek ne, kishte Zot dikur?

Të afërt, dhimbjen e sirianëve e ndjejmë, jo vetëm pse ishim nën lëkurën e tyre vite më parë, por se edhe i përkasim të njejtës fe. Pra, lutemi njejtë. Ani pse shpëtimi nga Zoti s’i erdhi kujt, prapë vazhdojmë e drejtojmë thirrje nga andej ku po vijnë vetëm avionë ushtarakë. Ç’është vallë kjo prirje?

Por, a na shpëtoi vërtetë Zoti ne, apo intervenimi i fuqive të mëdha? S’po ka Zot në Siri, apo ka ndonjë interes më të madh se vetë Zoti? A po u shitet Zoti popujve të mjerë, në mënyrë që t’u jipet si opium, për t’i shkelur më pas?

***

Shpesh diskutohet për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Shumica, janë të bindur se NATO-ja e ka bërë këtë, thjesht, për të ndihmuar kosovarët. Pra, se NATO-ja na ka shpëtuar vetëm se kemi qenë në hall.

Një ditë, s’munda ta mbaja vetën, dhe u shpraza para miqve. U sqarova se fuqitë e mëdha ndërhyn në Kosovë, jo pse u dhimbseshim aq, por se ishte interes i tyre. E di, ngelën syhapur. Më dinin shumë pro-perëndimor, edhe s’e prisni një shpërthim të tillë.

Më tej, kur fillova, s’kishte kush të më ndalte. Çka – u thash – nëse në interes të tyre të ishte ta përkrahnin Serbinë? A do i binte se do i mbyllnin sytë para gjenocidit që po bëhej në Kosovë? Të gjithë, vazhdonin të mos besonin se ç’po dëgjonin. Edhe më, vazhdova me zë të ngritur.
A e dini – u thash – se ndërhyrja në Kosovë e Bosnje u bë, jo pse fuqive të mëdha u interesonte për mijëra të vrarë, por se ata nuk e donin Serbinë e fuqishme në Ballkan, sepse kjo i binte një Rusi me ndikim këtu?

E di, asnjë prej tyre s’ma vari atëherë. Por, me të njejtët u pamë para dy ose tre ditësh. Të njejtët e kishin brengën e çorodisë që po ndodhë në Aleppo të Sirisë.

– Shtetet e mëdha kanë interes aty, për ata nuk e kryejnë këtë far lufte – thoshte njëri prej atyre që më kishte konsideruar si të marrë, kur thoja se ndërhyrja e fuqive të mëdha bëhet, kryesisht, duke parë interesat e tyre. Heshta, e s’e zgjata. I kuptova që kishin gjykuar, njëlloj siç gjykim për luftën bënin ata që ngrenin kokën në qiell e i thirrnin Zotit.

Dje u takova me një mik, që ishte një nga ata që patëm debatuar vite më parë, dhe trajtuam luftën që po zhvillohej në Siri. Ai i stepur, njëlloj siç isha dhe unë nga pamjet që vinin nga Aleppo, bënte pyetjen që do ta bënte secili: Pse bota po i mbyllë sytë para 500 mijë viktimave të Sirisë?

Unë – i thash shokut – u pata thënë se interesat ishin që lufta në Kosovë të ndalej, andaj u ndal. Tash, shkurt po ta them edhe për Siri se, përderisa politikat botërore do të bëhen duke parë interesat ekonomike të shteteve të mëdha, konfliktet do të jenë vetëm përligjje e ndërhyrjeve të tyre. Pra, s’do të ndërhyhet për të shpëtuar njerëz, por për të shtrirë apo parandaluar ndikimin e njëri-tjetrit. I njejti, që dikur më kishte parë çuditshëm kur i kisha thënë gjërat e njejta për ndërhyrjen në Kosovë, nuk u çudit aq. E vuri gishtin në kokë, e mundohej ta kujtonte debatin e para disa vitesh…

***

E, tash sirianët, njëlloj siç bënim ne dikur, vazhdojnë ta lusin Zotin. Po, ku është Zoti i tyre? A mos vallë është i njejti ai që iu luten shqiptarët dikur? Ekziston apo jo, ai s’po tregohet i ndershëm me të gjithë. Shpëtimi na erdhi neve nga qielli, e po nga qielli po u vjen ferri sirianëve. Ku është ai, të cilin po e thërrasin të gjithë? A mos vallë thirrjet po i drejtojmë në veshë të gabuar?

500 mijë sirianë deri tash janë shndërruar në viktima. Mbi 2 milionë janë shpërngulur. Ndërkohë, Zoti i tyre dhe yni, vazhdon të bëj sehir, po atje në qiell. E ne, vazhdojmë ta thërrasim, ani pse shpëtimi a vdekja s’po diktohet nga ai, por nga diçka tjetër qiellore – raketat.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë