Loading…
A po bëhet ajvari ushqim luksoz
  • 30/09/2017 | 22:12

...

Është koha e turshive e ushqimeve të tjera tradicionale, e vecanërisht e njërit prej ushqimeve më të preferuara te shqiptarët – ajvarit.


Tregu i gjelbër në “Bit Pazar” të Shkupit është përplot me speca të kuq. Tregtarët ankohen se nga viti në vit po zvogëlohen shitja e specave të kuq, ndërsa qytetarët thonë se edhe pse  çmimi për një kilogram nuk është aq i lartë, por arsyeja se pse ata blejnë më pak sasi të specave të kuq është tek të ardhurat.

“Nëse vite më parë brenda ditës shisja mbi 1000 kile speca, tani ndodhë që brenda ditës më shumë që mund të shesë është 100 kilogramë. Ndonjëherë ndodhë që gjithë ditën të shesë një kuti speca deri më 20 kilogramë”, thotë Zulqufli Qaili për gazetën KOHA në Maqedoni.

Sipas tij, kërkesat e qytetarëve për blerjen e specave të kuq për përgatitjen e ajvarit nga viti në vit po ulet.

“Sivjet për 20 për qind më pak kemi shitje të specave të kuq. Çmimi prej 30 denarë (50 cent) për një kilogram speca nuk është arsyeja se pse qytetarët blejnë më pak speca. Në Bit Pazar për të blerë vijnë pensionistë dhe familje që janë me ndihma sociale, blejnë aq sa kanë para. Siç po shkon shitja kaq e vogël e specave, si duket ajvari po bëhet ushqim luksoz”, thotë Zulqufli Qaili.

Qytetarët thonë se në bazë të cilësisë – çmimi prej 30 denarëve nuk është dhe aq i lartë, mirëpo për shkak se tanimë po hyjmë në sezonin e dimrit, ku përveç turshive – nevojiten edhe gjëra të tjera, buxheti i tyre nuk lejon të marrin sasi më të mëdha të specave.

“Çmimet nuk janë dhe aq të larta, ja specat janë shumë të mirë, sepse 30 denarë për kilogram me këto speca mund të bësh ajvar shumë të mirë. Ai që ka para, ka llogari të blejë më shumë kilogram, e ne që nuk kemi para – nuk kemi llogari të blejmë më shumë kile speca”, tha një qytetar, pasi nuk arriti të merrej vesh me shitësit që të paktën – një kilogram speca t’ia shesë për 28 denarë.

Përndryshe, që të përgatisni të paktën dhjetë kavanoz ajvar, është e nevojshme të blini të paktën 50 kg speca, dhe për këtë duhet të ndahen rreth 1500 denarë (25 euro).

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë