Loading…
A po bëhet Mitrovica, ‘Gaza e Re’ e Ballkanit?
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 08/12/2016 | 18:10

...

Muri në Veri, a është paralajmërim i periudhës Trump në Ballkan, apo i investimit Rus? Kush e ka autorësinë e betonit në Mitrovicë?


Saktësisht para 24 viteve, Presidenti George Bush i pari, në mënyrë ‘sekrete’ bëri “Paralajmërimin e Kërshëndellave” që njihet në historinë e Kosovës në gjuhë origjinale si “Christmas Warning”, në vitin 1992, atëherë kur ia bëri me dije Slobodan Milloshevic’it se Kosova është ‘vija e kuqe’ për agresionin ushtarak e politik serb. Kështu, duke theksuar qartë se për çfarëdo agresioni të tillë, Ushtria e Shteteve të Bashkuara do të reagojë në mënyrë të njëanshme ushtarakisht, ndaj çfarëdo agresioni të regjimit të Milosevic’it. Këso kërcënime Shtetet e Bashkuara (SHBA) i bënë Serbisë edhe gjatë periudhës ’92 e deri më ’98, për t’i tërhequr vërejtjen Milosevic’it, deri në bombardimin e gjithë ‘Jugosllavisë së Mbetur’ më 1999.

Por, tashmë shihet qartë se ‘vija e kuqe’ e kërshëndellave është zverdhur. Tarabat e verdha e mbështjellin një muri rreth urës në Mitrovicë që ndanë Veriun e Kosovën, e që është i lartë rreth 2.3 metra dhe i gjatë rreth 200 metra, tregon një realitet të ri.

Pra, është çështje e 200 metra kub beton dhe rreth 10 mijë kilogramëve armaturë, që i kanë dalë përballë dhe kundër politikave të NATO’së për të ndërtuar ura bashkë me Qeverinë e Kosovës. Përkundër edhe ‘vijës së kuqe’ të amerikanëve që i mbrojtën dhe investuan shumë më shumë se betoni në Mitrovicë, përgjatë mandate të dy administratave amerikane, Republikane dhe ajo Demokrate, në këto 24 vitet e fundit.

A po shndërrohet Mitrovica, në një ‘Gazë të re të Ballkanit’, me Donald Trump në krye të Presidencës më të fuqishme të rruzullit tokësor? Me një ‘mur të vogël’ të Berlinit që ndanë etnitë e që është simbolikë edhe e luftës së ftohtë, që po rishfaqet me rilindje të ideve të mureve në Kosovë.

Kush janë të guximshmit që me mure i dalin përballë edhe projekteve të NATO’së, që përfaqësohen me KFOR’in dhe Gjeneralin e saj, e që bashkë me Kryeministrin Isa Mustafa u desh të kthehen skutave për Prishtinë, nga bllokada e serbëve të Veriut, që po bllokojnë edhe arteriet kryesore të zemrës së konceptit shumëetnik atje.

Ambasada Amerikane në Prishtinë, ende nuk ka reaguar publikisht, ndërsa Qeverisë së Kosovës s’i ka mbetur as të arsyetohet më, para një katrahure influencash që po ia sabotojnë territorin me ndarje fizike dhe etnike, e që më shumë dëmtojnë kuptimin e procesit të bisedimeve Prishtinë – Beograd.

Bashkimit Europian (BE) dhe Federica Mogherinit, duket se po i rrëshqet nga dora ‘suksesi i vetëm’ i politikës së jashtme europiane, që konsiderohet të jetë dialogu Prishtinë – Beograd. Tashmë me tendencë që të rianimohet – apo të ngritet nga varri, pas Brexit’it dhe daljes së britanikëve nga BE.

Me gjasë e tërë kjo bëhet edhe me dijen e plotë të Kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vucic dhe Beogradit zyrtar – që muri i betonit duket të jetë vijë ndarëse edhe për ‘qendrat e vendosjes’ në Beograd, për të cilat ndikuan 8 milionët e Presidentit Rus Vladimir Putin për opozitën e Vucicit në Beograd, të dedikuara për koalicionin e Boris Tadic’it dhe Vuk Jeremic’it.

Të gjitha këto nuk po ndodhin natën. Influencë ruse më të fortë në rajon nuk mbahet mend gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Shihet qartë në Serbi dhe në Mal të Zi tentim puçi për ta penguar anëtarësimin në NATO, në Maqedoni me skenare ‘Kumanova’ dhe në Kosovë, me muri në Mitrovicë, në pikë të ditës, dhe pikërisht në të njejtën kohë kur Shefi i Intelegjencës Amerikane CIA, është në vizitë në rajon, përkatësisht në Tiranë për të takuar Kryeministrin Edi Rama.

Nëse për Bosnjën dhe Republika Srpska, Banja Lluka është qendër e influencës ruse, atëherë muri tregon qartë se Mitrovica e Veriut është qendra ruse e Kosovës. Pra tashmë është e qartë se i kujt është betoni dhe armatura e murit në Mitrovicë. Por, që e mundësoi edhe zbutja e influencës amerikane, dhe valës së ndryshimeve alla Brexit’ në BE.

Qeveria e Kosovës i sheh të gjitha këto nga pikëpamja e të pafuqishmit. Si të reagojë, me buldozer? Ajo s’mundet të bëjë shumë, përveç që të merr vendime për ta rrëzuar murin, të cilin nuk mund ta bëjë vetë pa ndihmën ndërkombëtare e që e rrezikon jo vetëm rrëzimin e vetes nga Qeveria, por edhe kuptimin e dialogut Prishtinë-Beograd, dhe konceptin e përcjelljes dogmatike të politikave të Bashkimit Europian për Kosovën, ende e izoluar nga vet kjo BE, që po i ndërtohen muret ditën në mes të Kosovës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë