Loading…
A po ‘luftojnë’ SHBA me BE’në për protagonizëm në Kosovë?
  • Nga

  • DRILONA LECI

  • 18/12/2018 | 18:32

...

Presioni për heqjen e taksës, dalja kundër ushtrisë së Kosovës, mos-liberalizimi i vizave siç ishte premtuar, ka bërë që politika kosovare të reagojë ndaj BE’së, por njëkohësisht të falënderojë SHBA’në për mbështetjen e vazhdueshme në çdo proces. Madje, nga kjo e fundit, hiq më larg se sot, u kërkua edhe të përfshihet në dialogun me Serbinë.


Këto veprime të fundit kundër ose pro Kosovës, dukej sikur kishin nxitur një garë SHBA-BE, në të cilën u infiltruan edhe qytetarët kosovarë.

Por, analistët politikë duke folur për Metron, kanë thënë se nuk ka dhe nuk mund të ketë dallime ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e Kosovës.

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka deklaruar se Kosova ka mbështetjen e SHBA’së për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Dhe kjo gjë e shpjegon se pse nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjëherë dallime ndërmjet BE’së dhe SHBA’së për çështjen e Kosovës, pavarësisht vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Ramush Tahiri- Njohës i çështjeve poltike

‘Nuk ka dhe nuk mund të ketë dallime ndërmjet BE’së dhe SHBA’së për çështjen e Kosovës. Kosova e ka mbështetjen e Amerikës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Taksa 100% ndaj produkteve serbe e të BiH që hyjnë në Kosovë është masë politike dhe jo ekonomike dhe hiqet kur të hiqen arsyet politike ka deklaruar Qeveria,’  ka thënë Tahiri, për Metron.

I të njëjtit mendim është edhe profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani.

Ai për Metron ka thënë se nuk beson në një konfrontim të mundshëm mes SHBA’së dhe BE’së, lidhur me vendimet  e fundit të Qeverisë së Kosovës, pasi sipas Ujkanit edhe në kuadër të BE’së ka vende që kanë ndjekur pothuajse qasjen e njëjtë me SHBA’në.

Tutje, profesori mendon se Qeveria e Kosovës ka kohë që është dashur të sillet si ‘shtet karshi Serbisë dhe jo të sillet sikur nuk po ndodhur asgjë’.

Emrush Ujkani – Profesor i së Drejtës Evropiane

‘Kur të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia vazhdimisht ka pasur qëndrim kundërshtues dhe bllokues ndaj çdo gjëje që lidhet me shtetin dhe shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe mallrat e Kosovës, ndërsa Kosova ka pasur një qasje vërtet liberale. Mendoj është fundi kur secili duhet ta kuptoj që Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë të respektohet’, është shprehur ai.

Gjithashtu, të dy këta njohës konsiderojnë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë, sepse nuk ka ndonjë mundësi tjetër për zgjidhjen e çështjeve që konsiderohen si problem në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj duke e bërë ‘fajtore’ Mogherinin për zhvillimet e fundit, ka kërkuar sot që në dialog të përfshihet edhe Amerika si dhe vendet e Quint’it, me fokus të veçantë të Gjermanisë./Gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë