Loading…
Abrashi: VV nuk ka arritur për 4 vjet ta rinovojë ‘Pllatonë mbi Kurriz’
  • 12/10/2017 | 19:47

...

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, në një bashkëbisedim me qytetarët, ka shpalosur të enjten programin e tij për lagjen “Dardania”, ku ka theksuar se banorët e kësaj lagjeje do të jenë ata që do të vendosin më 22 tetor për ta dërguar në shtëpi qeverisjen që për katër vjet nuk arriti ta përfundojë as “Pllatonë mbi Kurriz”.


Ai ka kritikuar cilësinë e ndërtimeve në këtë projekt, ndërsa ka theksuar se qeverisja në largim e Prishtinës, e ka lënë këtë lagje pa asnjë kujdes dhe pa asnjë investim serioz.

“Me të vërtetë është për keqardhje. Por, për katër vjet, në vitet 80-ta është ndërtuar krejt kompleksi i banesave të gjelbra në ‘Dardani’. Qeverisja aktuale e Prishtinës, për katër vjet nuk ka arritur ta renovojë as Pllatonë mbi Kurriz”, ka thënë Abrashi, duke theksuar se qeverisje të tilla meritojnë të shkojnë në shtëpi.

Abrashi ka theksuar se ka zhvilluar qindra takime me banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit, prej të cilëve ka marrë kërkesa, të cilat i ka përfshirë në projektin e tij për qeverisjen e ardhshme të komunës së Prishtinës.

Abrashi u ka premtuar banorëve të kësaj lagjeje ndërtimin e nënkalimeve për ta lehtësuar qarkullimin e tyre në drejtim të Lagjes Emshiri dhe lagjeve tjera të kryeqytetit.

“Ne do ta renovojmë tërësisht tunelin dhe kompleksin ‘Kurrizi’ si dhe do të fasadojmë të gjitha ndërtesat e kësaj lagjeje”, ka premtuar Abrashi, duke theksuar se do të zgjidhet edhe problemi me ujërat e zeza.

Abrashi ka premtuar rregullimin e ndriçimit publik, vendosjen e kamerave për ta shtuar sigurinë e qytetarëve, mirëmbajtjen e parqeve dhe mbjelljen e fidaneve të reja, një stazë vrapimi dhe mirëmbajtjen e këndeve të lojërave.

Abrashi ka premtuar edhe mirëmbajtjen e ashensorëve nëpër ndërtesa dhe vendosjen e interfonëve nëpër secilën hyrje.

“Ne kemi identifikuar lokacionet në të cilat duhet të vendosen mbeturinat, në mënyrë që kompania e pastrimit ta ketë më të lehtë t’i marrë ato dhe qytetarëve të mos u pengojnë. Ne do t’i zhvendosim ato deponi dhe të gjitha deponitë do t’i mbulojmë sipas një modeli suedez”, ka thënë Abrashi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë