Loading…
AGK reagon e shqetësuar në lidhje me largimin nga puna të dy punonjësve të RTV Dukagjini
  • 17/11/2018 | 17:57

...

Nëpërmjet një njoftimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për mënyrën e largimit nga puna të Arben Rexhepit dhe Ervin Behlulit, punëtorë disavjeçarë në RTV Dukagjini.


“Dy punëtorët u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një emaili nga drejtori i këtij mediumi, Ermal Panduri pa arsyetime të qarta dhe pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës. Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli kanë punuar prej rreth 20 vitesh në RTV Dukagjini dhe ishin pjesë e stafit themelues të kësaj medie”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Përmes reagimit, AGK-ja e konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë.

“AGK ka kërkuar përgjigje nga drejtori i RTV Dukagjinit z. Panduri rreth procedurave ligjore të ndjekura me rastin e largimit nga puna e dy punëtorëve në fjalë, mirëpo deri më tani nuk ka marrë shpjegim nga ana e tij. AGK kërkon nga drejtuesit e RTV Dukagjini që t’i shfuqizojnë këto vendime, në mënyrë që dy punëtorët e larguar të kthehen sa më parë në vendin e tyre të punës”, thuhet më tej në reagim.

Në të njëjtën kohë AGK kërkon nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se do t’i përcjellë nga afër këto raste dhe do t’i njoftojë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë rreth këtij veprimi, që sipas AGK-së është arbitrar dhe tërësisht i papranueshëm.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë