Loading…
Aksident tragjik në Gjakovë: Vdes basketbollisti Gazmend Sinani, lëndohen vëllezërit Rugova
  • 23/06/2018 | 07:55

...

Ka vdekur si pasojë e një aksidenti rrugor në orët e hershme të mëngjesit në Gjakovë, përfaqësuesi i  Kosovës në Basketboll, Gazmend Sinani. Këtë lajm tragjik, e bëri të ditur Federata e Basketbollit të Kosovës përmes një njoftimi për opinionin e gjerë, raporton Gazeta Metro.


Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.

“Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme”, thuhet në njoftim.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

“Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”, thuhet në njoftimin e FBK’së./Gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë