Loading…
Albin Kurti: Serbia po imiton Rusinë
  • 07/12/2017 | 11:07

...

Kosova duhet të ketë të drejtë që në referendum të deklarohet mbi bashkimin me Shqipërinë, thotë Albin Kurti në intervistën dhënë për Deutsche Welle në gjuhën serbe, Ai ka treguar përse e refuzon dialogun e Brukselit dhe Asociacionin e komunave serbe.


“Jemi të ndarë nga Shqipëria para më shumë se një shekulli, me mënyra të dhunshme, jodemokratike nga ana e fuqive të mëdha. Dëshirojmë të kemi të drejtë të bashkohemi me Shqipërinë në mënyrë demokratike dhe paqësore, që do të thotë se nuk do të nisnim luftën e tretë ballkanike”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes në intervistën e bërë në gjuhën serbe, transmeton gazetametro.net.

Gazetarja e DW ka vërejtur se në hapësirat e lëvizjes Vetëvendosje, ku është bërë intervista, nuk ka flamur të Kosovës por vetëm ai i Shqipërisë. “Natyrisht se ne e pranojmë Republikën e Kosovës, por mendojmë se neni 1 paragrafi 3 i Kushtetutës i cili nuk na lejon të kemi aspektin e jashtëm të sovranitetit, vetëvendosjes së popullit, nuk është e drejtë. Mendoj se duhet të kemi këtë të drejtë. Mendojmë se pavarësia e Kosovës nuk është shpallur ndaj Shqipërisë por ndaj Serbisë”, është përgjigjur Kurti.

Në pyetje për idetë mbi ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh, veriun për Luginën e Preshevës, Kurti ka thënë: “Mendoj se Serbia dëshiron që ne të dëshirojmë këtë, që në atë mënyrë të bëjmë tregti me territore. Me këtë ne do të hiqnim dorë nga veriu i Kosovës”. Ka shtuar se është kundër heqjes dorë nga veriu i Kosovës jo vetëm për shkak të shtetit tonë por edhe për shkak të Mitrovicës, njerëzve atje, dhe zhvillimit ekonomik thelbi i të cilit është rivitalizimi i Trepçës.

Kundër dialogut pa parime

Duke folur për kundërshtimin e tij për Asociacionin e komunave serbe, Kurti është thirr në shembullin e BeH ku fillimi i Republikës Serpska ishte pikërisht  asociacioni i komunave me shumicë të popullsisë serbe. “Mendoj se Serbia i ka qëllimet e njëjta, mentalitetin e njëjtë, politikanë të njëjtë, por mjetet tjera sepse tani janë rrethanat tjera”.

“Në parim nuk jam kundër dialogut, por jam kundër dialogut pa parime”, ka thënë Kurti për dialogun e Brukselit, të cilin e kundërshton. Ai ka theksuar se nocionin “normalizim” Beogradi, Prishtina dhe Brukseli janë duke kuptuar në mënyra të ndryshme.

“Mendoj se Serbia është shtet jonormal, mendoj se as Kosova nuk është shtet normal. Nëse i normalizoni marrëdhëniet në mes të dy shteteve jonormale kjo do të thotë rritje të jonormales. Ne dëshirojmë Kosovë normale, Serbi normale dhe atëherë marrëdhëniet normale do të jenë pasojë natyrale e kësaj”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se nuk mund të arrihet deri te pajtimi derisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk pranon të paguaj dëmet e luftës.

Serbia po e imiton Rusinë

Politikani i Vetëvendosjes ka thënë se Serbia dëshiron të bëhet lojtari kryesor në këtë pjesë të Ballkanit që me këtë do ta imitonte Rusinë. “Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ka sjellë deri te një oktopod gjigant ku në qendër e keni Federatën Ruse, dhe më pas Bjellorusinë, Ukrainën Lindore, Pridnjestrovljen, Osetinë Jugore… këto janë tentakulat e oktopodit”.

Nga ana tjetër, Beogradi i ka krahët nëpër fqinjësi siç janë Republika Serpska në Bosnjë, partitë serbe në Mal të Zi të cilat janë kundër pavarësisë së Malit të Zi, pastaj enklavat nëpër Kosovë, ku një të katërtën e territorit të Kosovës po e kontrollojnë strukturat paralele të Serbisë, dhe e keni regjimin e deridjeshëm të Gruevskit në Maqedoni si dhe Kishën Ortodokse Serbe.

“Mendoj se Serbia ka pasur shanse vetëm gjatë dy viteve e gjysmë, derisa ka qenë kryeministër Djindjic’i. Pasi e vranë Djindjic’in gjithçka shkoi mbrapsht. Tani jemi përsëri në kohën e Milosevic’it, dhe në vend të Milosevic’it e keni Vucic’in, ndërsa në vend të Seselj’it e keni Seselj’in”, ka thënë Albin Kurti.

“Serbia gjithmonë ka dashur të përleshet me fqinjët, ndërsa unë mendoj se ajo duhet të përleshet me vetveten, të ballafaqohet me të kaluarën e vet”, ka thënë Kurti duke vlerësuar se “dialogu i brendshëm” për Kosovën i cili po mbahet në Serbi është në të vërtet “monologu i jashtëm i Vucic’it”.

Gjykatë etnike për “krime” të UÇK’së

I pyetur për qëndrimin e tij mbi Gjykatën Speciale për “krime” të UÇK’së, Kurti ka thënë se fjala është për gjykatë etnike vendimet e të cilës do të shemben në Strasburg. Ai ka shtuar se për krime ndaj serbëve duhet të përgjigjen të gjithë individët të cilët i kanë kryer. ”Unë nuk do të kisha bërë kurrfarë kompromisi me drejtësinë. Sikur të ishte Vetëvendosja në pushtet, ne do t’i kishim larguar kthetrat nga institucionet e sundimit të ligjit, gjykatat do të ishin të pavarura dhe atëherë ata kishin mundur t’i gjykojnë ata individë”.

Për gjendje të keqe në Kosovë, Albin Kurti një pjesë të fajit i atribuon bashkësisë ndërkombëtare e cila ka sunduar me paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik. “Kurdo që diplomatët ndërkombëtar flasin për sundimin e ligjit, ata nuk mendojnë për drejtësi dhe të drejtën por në stabilitet”.

“Mua më së shumti më çudit se si bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, gjatë 18 viteve të pasluftës, nuk është marrë fare me krimet e paqes. Këtu ka qenë privatizimi brutal neoliberal, nepotizëm, pastaj tenderomania. Kanë pasur fakte dhe argumente të panumërta të dënojnë këta politikanë të korruptuar, por nuk kanë bërë asgjë”, ka përfunduar Kurti./gazetametro.net.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë