Loading…
Alternativat e daljes nga qorrsokaku në Maqedoni
  • Nga

  • BEKIM ADILI

  • 14/12/2016 | 21:36

...

Janë katër skenare që mund ta nxjerrin Maqedoninë nga qorrsokaku.


Zgjedhjet në Maqedoni nxorrën një rezultatë të balancuar si mes kampit të partive maqedonase po ashtu dhe në bllokun shqiptar. Pavarsisht se shqiptarët në këtë shtet është hera e parë që përfaqsohen me më pakë deputetë, duhet theksuar se fuqia e tyre nuk varet nga numrat shumicë që kanë partitë maqedonase sepse njëra nga dy partitë e mëdha, si ajo e VMRO apo e LSDM-së, për të arritur shumicën e thjeshtë në parlament detyrimisht si partner qeveritar u është e nevojshme krijimi i koalicionit me partitë e bllokut shqiptar. Kështu secila nga këto dy forca politike maqedonase që i ndan një mandat deputeti mes tyre do të qeverisë në Maqedonisë, këtë do ta vendosin shqiptarët.

Shqiptarët aktualisht kanë mundësi shumë më tepër se sa kur kishin dyfishin e deputetëve, që të diktojnë politikën e Shkupit zyrtar. Ajo që për momentin duhet të ndërmarrin forcat politike shqiptare është që të mos ulin pazarin nga frika dhe inati i njëra tjetrës.E kundërta që shqiptarët të materializojnë maksimalisht kërkesat e tyre, ndaj subjekteve shqiptare në këtë situatë do të  duhet ndërhyrja politike e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Pra situata aktuale në këtë vend ka prodhuar një realitet, ku Maqedonia tanimë nuk ka vetëm ndarje etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve, por ky vend, sidomos pas shpërthimit të përgjimeve ka një ndarje të thellë mes VMRO në pushtet dhe LSDM në opozitë, ndarje të cilës përveç ballafaqimit politik ato i ndanë edhe ideologjia politike nga e cila varet e ardhmja e Maqedonisë, për vetë faktin se nëse VMRO akuzohet se është bllokuese e proceseve integruese, LSDM cilësohet si një partner i faktorit euro-atlantik.

Pra Maqedonia ka një listë kaq shum të gjatë problemesh, situatë nga e cila është e pa imagjinueshme të krijohet një qeveri pa mbështetjen e shqiptarëve. Por cilat mund të jenë 4 alternativat e mundshme për të ndërtuar qeverinë e saj Maqedonia?

Alternativa e parë: mund të jetë vijimi i koalicionit të qeverisjes mes partnerëve të vjetër qeveritar asaj të VMRO e cila numëron 51 deputetë dhe BDI-së e cila ka siguruar vetëm 10 deputetë. Numër i cili krijon shumicën e thjeshtë pra 61 nga 120 deputetë sa është numëri i përgjithshmë i ulësve aktualisht në parlament, (kur parasysh kemi faktin se nga tre vendet e rezervuara për deputetë të diasporës asnjëri nga kandidatët nuk arriti të fitoj numrin e votave të përcaktuara në kushtetutë). Ky koalicion i cili prodhoi krizën aktuale ndaj bindjen se nuk ofron zgjidhje stabile as për nga numrat por as edhe për zgjidhje të problematikave. Ky variant në veçanti partinë shqiptare do ta fundoste politiksht edhe ashtu e akuzuar si një besnike e politikave të Gruevskit, i cili konsiderohet një udhëheqës që për 10 vite ka ndërtuar politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, (kujtojmë Enciklopedinë, rastin Monstra të Kumanovës mos avancimin e zyrtarizmit të gjuhës shqipe, diskriminimin në aspektin ekonomik), si dhe mohues i integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Pra ky koalicion mund të sillte vetëm riciklim të krizave dhe tendosje të situatës në përmasa edhe më dramatike.

Alternativa e dytë: Formula e dytë dhe e cila krijon numrat për një qeveri më stabile, do ishte koalicioni që mendohet se do të pranonte kushtet e partive shqiptare për barazi, ajo mes LSDM-së me 49 mandate dhe nga blloku shqiptar BDI me 10 përfaqsues dhe Aleanca për Shqiptarët me 3 deputetë. Kjo alternativë është e mundëshme bazuar në disa premtime të liderit të LSDM-së dhe interesave substanciale të subjektit të tij për të qenë në qeveri. Në radhë të parë ky variant është më i mundshëm për realizimin e premtimeve edhe të bllokut shqiptar por edhe për një interes tjetër jo vetëm partiak por nacional të shqiptarëve i cili lidhet me zgjedhjet lokale të cilat do të organizohen pas 5 muajsh, e ku krijimi i këtij koalicioni mes dy forcave shqiptare asaj të BDI dhe Aleancës për Shqiptarët e bën shumë më të lehtë arritjen e fitores në dy komunat shqiptare atë të Kërçovës dhe Strugës.

Një segment tjetër se ky koalicion do të sjell produkt të rinj si mes arritjes së barazisë nacionale mes shqipatrëve dhe maqedonasve po ashtu edhe në rrafshin e procesit të integrimit euro atlantik, nuk është vetëm fakti i  rreth 40.000 votave të shqiptarvëve të cilat realisht më shumë se sa për LSDM-në dhe lidershipin e saj Zaev, këto vota ishin penalizuese ndaj përfaqsimit jo dinjitoz të klasës politike shqiptare. Por është edhe mbështetja e faktorit ndërkombëtar që nuk do të mungojë në zhvillimin e këtyre proceseve, pritshmëri e cila këtë alternativë e bënë një nga mundësitë më optimale të gjetjes së zgjidhjes politike e cila është e lidhur me krijimin e qeverisë në këtë shtet.

Alternativa e tretë: mund të jetë një koalicion i mbështetur nga VMRO dhe partitë opozitare shqiptare, pra pa BDI. Një variant i cili edhe nëse partia më e madhe maqedonase ajo e VMRO-së plotëson kërkesat e partive opozitare të shqiptarëve, kjo situatë krijon destabilitet dhe jo perspektivë për qeverisjen e vendit, për faktin se partia më e madhe e shqiptarëve BDI, detyrohet të dalë në opozitë, një precedent i cili do të përsëris krizën e vitit 2006-2008, kur dhunshëm nga VMRO u mohua legjitimiteti i shumicës shqiptare dhe tentativa e tij për të qeverisur me pakicën shqiptare dështoi për faktin se vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme pikërisht nga kriza politike që u krijua nga fenomeni i lartëpërmendur.

Aletrantiva e katërt: apo formula më e mirë dhe e cila mund të zgjidhë një sërë problematikash si mes barazisë nacionale të maqedonasve dhe shqiptarëve, po ashtu dhe mundësia e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike duke patur parsysh edhe ndërrimin e emrit të vendit, është krijimi koalicionit të gjërë i cili do sillte stabilitet politik. Ndonëse ky variant është më vështirë i realizueshëm, aq më shumë kur kemi parasysh vokabolarin e përdorur nga lidershipi VMRO-së, kjo alternativë e afatizuar deri në një afat kohor i cili do të lidhet sërish me zgjedhje të parakohshme, mund të përmbushë marrveshje të cilat lidhen me  krijimin e barazisë mes dy komunitetete më të mëdha dhe zhbllokimin e procesit të anëtarsimit të vendit  në BE dhe NATO. Një koalicion me bazë të gjerë të përfaqsimit politik por që do i siguronte vendit dalje nga kriza, do rriste besueshmërinë e brendshme ndëretnike si dhe do të siguronte të ardhmen e vendit drejt integrimeve euroatlantike.

Së fundi, ngelet për të pritur deri në fillim të janarit periudhë e cila lidhet me kushtetushmërinë e vendit ku afati kohorë nga koha e çertifikimit të rezultateve, partisë së mandatuar e cila në këtë rast do të jetë VMRO, do ti ketë në dispozicion 20 ditë, periudhë nëse partia e parë nuk mund të krijojë numrat për të qeverisur, atëherë mandati do ti kalojë partisë së dytë asaj të LSDM-së. Pra maksimumi është fundi muajit janar ai që do të përcaktoj nëse Maqedonia do riciklojë duke thelluar krizën e saj politike apo do të gjej aletraniva për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin është futur aktualisht. Të shpresojmë se variant i daljes nga kriza do të trimfojë falë angazhimit të faktorit perëndimor dhe atij amerikan.

(Autori është komentator politik i njohur nga Maqedonia)

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë