Loading…
Ambasadori i ri amerikan: Qëndrimi amerikan ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar
  • 16/08/2018 | 23:47

...

Diplomati veteran Philip Kosnett thotë se qëndrimi amerikan lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.


Kosnett, i emëruar nga presidenti si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë, doli të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Senatori Chris Murphy e pyeti diplomatin lidhur me takimin që kishte zhvilluar në fund të korrikut ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe komentet pas takimit kur zoti Daçiç u shpreh se qëndrimi amerikan është tani “më pranë qëndrimit tonë” gjë që ka zgjuar shumë spekullime lidhur me ndryshime në qëndrimin amerikan.

Senatori pyeti lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve. Senatori kërkoi të dinte se çfarë instruksionesh kishte marrë diplomati lidhur me qëndrimin amerikan dhe nëse ky qëndrim kishte ndryshuar kohët e fundit.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja. Kjo nuk është fjalë-kod për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë. Synimi ynë strategjik afat-gjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin,” tha zoti Kosnett.

Në prezantimin e tij, i emëruari i Presidentit Trump renditi prioritetet e tij nëse konfirmohet si ambasadori i ardhshëm amerikan në Kosovë ku në radhë të parë ai veçoi shtimin e dialogut me Serbinë.

“Përparësia më imediate për Shtetet e Bashkuara është normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Kjo do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do të shtronte terrenin për integrimin e dy vendeve në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun mes dy vendeve dhe intensifikimin e bisedimeve të nivelit të lartë. Nëse konfirmohem, tha Kosnett, do të nxis Kosovën të punojë për një zgjidhje që përmirëson jetët dhe garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj,” tha zoti Kosnett./VOA

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë