Loading…
Antoni i urtë dhe çeta e çartur
  • Nga

  • AG APOLLONI

  • 10/07/2018 | 13:39

...

Këto ditë u çua shumë pluhur për (mos)ngritjen e bustit të Anton Çettës para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kolegët e Antonit paskan thënë që busti i tij nuk duhet të ngrihet para Institutit, por diku tjetër, ndërsa këta të tjerët insistojnë që busti duhet të ngrihet vetëm para Institutit. Kështu, edhe pse Anton Çetta është simbol i pajtimit, kësaj here u bë shkak i përçarjes.

As ata që e refuzonin bustin, as ata që e mbronin, nuk e thanë atë kryesoren: A është Anton Çetta shkencëtar?

Të dy palët thanë se Antoni ka qenë burrë i mirë, ka mbledhur përralla, ka pajtuar gjaqe, prandaj sipas njërës palë busti (më mirë do të ishte një përmendore) duhet të ngrihet në një shesh, kurse sipas palës tjetër – vetëm para Institutit. Kjo palë e lidh refuzimin me përkatësinë fetare (katolike) të Anton Çettës, por nuk merret me kontributin e tij shkencor.

Unë personalisht, jo si shkrimtar, por si profesor dhe si doktor i shkencave filologjike, do të ndihesha i ofenduar nëse para një instituti shkencor do të vendosej figura e një pleqnari, në vend se e një shkencëtari. Anton Çetta ka bërë një gjest madhështor në pajtimin e familjeve shqiptare (kosovare), por ai s’ka bërë asnjë punim shkencor me vlerë. Është mbledhës dhe kompilator i folklorit, por s’ka pasur as metodë, as qasje, as terminologji shkencore dhe këtë e them me kompetencë të plotë. Kjo duhet thënë. Pse të kemi frikë nga e vërteta, kur Kosova tashmë, edhe falë kontributit të madh të Anton Çettës, është e çliruar?

Anton Çetta është pleqnar i madh (ka ndenjur me pleqnarë dhe ka marrë tiparet e tyre) dhe meriton një përmendore të madhe në Prishtinë, por jo para Institutit. Sepse para Institutit aq sa ai, e meriton bustin edhe Xhemail Abria.

Kujdes ku i vendosni bustet dhe përmendoret! Ibrahim Rugova është vendosur pranë Benettonit sikur të kishte qenë dizajner mode; Fehmi Agani është vendosur para Fakultetit të Filologjisë, edhe pse kurrë s’është marrë me filologji (do ta kenë ngatërruar me vëllain e tij, Hilmiun). Mund t’i tolerojmë përmendoret e figurave të fazës sonë parainstitucionale, siç i lejon gjithë bota, por jo këta të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duhet të bëhet debat racional para se të vendoset një përmendore, që mos të hiqet pastaj nga brezat e ardhshëm. Anton Çetta ka marrë rrogë në Institut, por nuk është Vladimir Propp. Ai thjesht ka mbledhur (më shumë ka kompiluar) përralla e anekdota. Më tutje, dorën në zemër, lidhje me shkencë s’ka pasë.
Mos u çartni, vlerësojeni njeriun e urtë për atë që është, jo për atë që nuk është! E për atë që është, simbol i pajtimit, ai meriton një permendore larg institucioneve.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë