Derisa ne në Serbi merreshim me atë “kishë mbi binarë” trengjyrësh e cila depërtonte në Kosovë jashtë orarit të udhëtimit dhe jashtë arsyes, e pastaj me “trimëri” përsëritej sintagma mashkullore “tytat e gjata”…. ose “luanin gogla” fashistët gjakatar televiziv të (pa)punësuar nëpër “zyre për Kosovë dhe Metohi” – në atë Kosovë shënohej diçka krejt tjetër.
Zyrtarët kosovar, më 20 janar kanë shënuar jubileun e radhës: 25 vjetorin e krijimit të sistemit paralel të arsimit. Me atë rast, ministri kosovar i arsimit, Arsim Bajrami e quajti këtë periudhë rezistencë arsimor i Kosovës së lirë, duke theksuar se është në pyetje shembull i shkëlqyer i fakteve se arsimi mund të tejkalojë të gjitha pengesat dhe vështërsitë. Si? Çka?
Për ata me “bileta të lira”: pas anulimit brutal dhe me forcë të autonomisë së Kosovës (dhe Vojvodinës) nga ana e Slobodan Milosevic’it dhe ekipit të tij nacionalist dhe serbomadh, Kosova i humbi të gjitha elementet e qeverisjes ekzekutive, gjyqësore dhe ligjvënëse, duke përfshirë edhe ato që i përkitnin arsimit. Dmth. prej vitit 1989, të gjitha vendimet mbi programin shkollor, tekstet shkollore dhe të tjera filluan të merren në Beograd, e jo në Prishtinë. Edhe pse ndoshta kjo tingëllon seksi për nervin centralist, kjo praktikisht do të thoshte si në vijim, nga programet shkollore të Kosovës menjëherë u fshinë të gjitha tekstet, referencat apo fusnotat të cilat ishin të lidhur me kulturën shqiptare në orët e historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë, muzikës, vizatimit e tjera.
Nuk u ndal në këtë, por pasoi represioni i egër. Në vitin pasues, 1990, Beogradi praktikisht vuri segregacion në shkollat kosovare. Nxënësit serb shkonin në shkollë në mëngjes, ndërsa ata shqiptar pas dite, për çka këto orë për nxënësit shqiptarë ishin tepër të ngjeshura (90 për qind të nxënësve ishin shqiptarë). Shumë mësues dhe arsimtarë shqiptarë refuzuan të ligjërojnë programin e ri shkollor i cili ishte padyshim nacionalist, dhe u përjashtuan rreth 70.000 prej tyre (shumë prej tyre edhe u arrestuan). Për drejtorë të shkollave u vendosën serbët lokal. Policia kohë pas kohe bastiste shkollat dhe pengonte shumë mësues dhe nxënës të shkojnë në mësim, me arrestime dhe maltretime. Në fund, autoritetet në Beograd së shpejti thjeshtë i mbyllën shumicën e shkollave në gjuhën shqipe dhe ndërprenë pagesat e rrogave mësuesve dhe profesorëve shqiptarë. Gjithsej 400.000 nxënës shqiptarë nuk shkonin në shkollë – sepse nuk kishin se ku të shkojnë – kështu deri në janar të 1992’tës. Ishte aparthejd i thjeshtë arsimor.
Duke mos pasur rrugëdalje, dhe para se gjithash për të arsimuar fëmijët e vet, shqiptarët kosovarë më 20 janar 1992 filluan të organizojnë sistem paralel të shkollimit, në bazë të donacioneve personale dhe tatimeve joformale. Siç shkruan Doruntina Baliu për “Prishtina Insajt”, deri në pranverë të vitit të njëjtë, mbi 100.000 nxënës shqiptarë më në fund filluan të ndjekin mësimin privat. Ky ishte organizuar relativisht në mënyrë spontane në rreth 3.200 shtëpi private, bodrume, dhe garazhe, të cilat u shndërruan në klasa të improvizuara. Me kohë u organizua edhe mësimi në nivel të shkollës së mesme dhe universitetit (me rreth 25.000 studentë), në (jo) kushte të ngjashme. Në fillim, nuk kishte as tavolina, karriga apo tabela, por nxënësit uleshin të strukur në dysheme, duke shkruar shënime në prehër, në myk që të zinte frymën, të fshehur prapa perdeve të rënda nga ushtria dhe policia. Natyrisht, nuk kishte as biblioteka apo laboratorë shkencorë – jo rrallë edhe pa ngrohje, dritë apo tualet. Një ditë të tërë mësohej, p.sh. matematika, ditën tjetër biologjia etj., duke i lëvizur arsimtarët e këtyre lëndëve nga “shkolla” në “shkollë”, gjegjësisht nga bodrumi në periferi në dhomë të ditës në fshatin e afërm.
Por, siç ndodh zakonisht karshi sfide të represionit dhe segregacionit, shumë nxënës shqiptarë ishin shumë të motivuar dhe mësonin me zell. Në këtë mësim të improvizuar, si dhe nëpër detyra kontrolluese, shkohej me ndjenjë të krenarisë dhe dëshirës. Nga ana tjetër, ky sistem i organizuar në mënyrë sekrete në të cilin trimërisht kanë marrë pjesë qindra mijëra njerëz, megjithatë ishte goditje për arsimin e shqiptarëve kosovar. Gjatë viteve 1995-96, ishin 12 për qind më pak nxënës në shkolla fillore, 21 për qind më pak në shkolla të mesme dhe madje 50 për qind më pak në universite në krahasim me periudhën para këtij segregacioni centralist dhe represionit nacionalist. Sepse, i gjithë sistemi ishte ilegal, sekret dhe shumë i rrezikshëm, pasi që strukturat policore dhe të sigurisë së Milosevic’it në mënyrë rutine bastisnin këto “shkolla” sekrete, dhe i arrestonin dhe brutalisht i rrihnin arsimtarët. Nxënësit deri në këto shkolla të improvizuara shkonin vetëm apo vetëm në qifte, në mënyrë që të mos zbulohen apo maltretohen nga ana e patrullave policore. Dhe më pas, mësonin sinuset dhe kosinuset, luginat dhe rrjedhat e lumenjve, poezinë franceze dhe principet e elektronikës. Sepse, si thonë, dija është fuqi?
Pra, në vend se të kundërvihen në mënyrë të drejtpërdrejt me armë represionit dhe regjimit të Milosevic’it, shqiptarët kosovarë (në fillim) reaguan papritur në mënyrë paqësore, gjegjësisht në formën e rezistencës paqësore. Krijuan një sërë të institucioneve paralele, gjegjësisht infrastrukturën paralele shtetërore. Sepse, përveç arsimit, ngjashëm ishte edhe me shëndetësinë, sistemin social dhe tatimor. Thjeshtë, shumë para Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, arsimi u tregua se armë më e fortë në luftë kundër regjimit represiv, diskriminues dhe aparthejdit faktik. Siç thekson Besa Shahini për “Prishtina Insight”, ky sistem paralel jo vetëm që i ka shpëtuar nxënësit kosovarë nga prangat e analfabetizmit dhe paarsimimit, por ka paraqitur thelbin dhe ushtrimin demonstrues për shtetin e ardhshëm të pavarur. Në diplomat e këtyre shkollave ka shkruar “Republika e Kosovës”, por me këtë është menduar në republikën federale në kuadër të Jugosllavisë. Por, jo gjatë. Rezistencës paqësore i vinte fundi në fund të vitit 1997, kur Milosevic’i (në mënyrë standarde) shkeli marrëveshjen e vet të nënshkruar më parë me Ibrahim Rugovën, e sipas së cilës më në fund iu lejua studentëve shqiptarë të studiojnë në universitetin shtetëror. Dhe po ata studentë përsëri ishin të detyruar që të kthehen në amfiteatër të tyre të improvizuar nëpër bodrume dhe garazhe të mbuluara me myk dhe lagështi. Natyrisht, pas gjithë kësaj kishte shkallëzim shtesë kur u vazhdua me ciklin e ri të represionit, dëbimit e më pas të krimeve të luftës, por kjo është temë tjetër.
Dhe tani, derisa Serbia e shënoi Rastko Nemanjic’in si simbol i shkollimit dhe mbrojtës i shenjtë i arsimit, në shoqëri të pashmangshme të priftërinjve ortodoks nëpër të ashtuquajtura shkolla sekulare, për këtë jubile të arsimit të shqiptarëve kosovar nuk u bë asnjë fjalë. Asgjë e pazakontë, pasi që politika e aparthejdit të Milosevic’it është thellë e vendosur në Serbi edhe në kuptimin e tanishme të Kosovës.
Pa marrë parasysh a e interpretojmë këtë sistem paralel të shkollimit si legjitim apo jo,si lëvizje heroike të rezistencë apo si akt i tradhtisë së shtetit, Serbia ishte dashur që të kuptojë se: qytetarët të cilët dinë të organizojnë sistem paralel të arsimit, do të dinë të organizojnë edhe shtetin e vet. Në vend të kësaj, Serbia bëhej sikur ky nuk ekzistonte, së paku kur nuk ka reaguar me dhunë, diskriminim dhe represion.
Me fjalë të tjera, Serbia (e Milosevic’it) vërtet u brengosë, u ngjallë dhe kuptoi se këtu “diçka nuk është mirë” atëherë kur nga Kosova u largua forca ushtarake dhe policore serbe, gjithnjë “si fitues” në qershor të 1999. Çfarë flet qëndrimi ynë ndaj Kosovës. Me dekada askush nuk është mërzitur e as që edhe sot mërzitet për mësuesit, mësueset, arsimtarët, bibliotekarët, edukatorët, profesorët shqiptarë, askush nuk ka dashur të dijë për 400.000 nxënës dhe studentë shqiptarë nga Kosova të cilët kanë ndjekur mësimin paralel të improvizuar. Pra, “na ka hëngër palla” për njerëzit dhe gjeneratat të cilët plotë dhjetë vjet para 1999 ishin të segreguar, diskriminuar dhe të dëbuar nga sistem i arsimit të Serbisë dhe /ose ishin të detyruar në organizim të arsimit të vet paralel. Në fund, ekziston një citat i shkëlqyer i Platonit: “Nëse nga qyteti i dëbojmë këpucarët, athinasit do të ecin të zbathur, por, nëse i dëbojmë mësuesit, Athina do të shkatërrohet”. Serbia nga sistemi i arsimit të Kosovës faktikisht i dëboi mësuesit shqiptarë. A është atëherë vërtet e pazakontë që prania e qeverisë serbe në Kosovë u shkatërrua aq turpshëm?
(Opinion i botuar në gazetën e përditshme serbe Danas – Në shqip nga gazetametro.net)