Ardian Ismajli kapiteni i U-21 të Kosovës në futboll ka vendosur të braktisë përfaqësuesen e të rinjëve dhe me gjasë do t’i bashkohet kuqezinjëve të Christian Panuccit.
Një ‘kapiten’ i lazdruar te Kosova U-21 që luan në Hajduk te Splitit dhe mendon që duhet patjetër të ftohet nga Kombëtarja A, ky është Ardian Ismajli, i cili refuzon ta ndihmojë skuadrën kombëtare kur ajo ka më së shumti nevojë.
Përveç performancave të mira që treguat te Kosova U-21 ju gjithmonë keni dhënë sinjale se dëshironi të luani me çdo kusht në Kombëtaren A, por jo, nuk jeni ju ai që vendosni se kush duhet të luajë.
Mbajtët për tetë ndeshje shiritin e kapitenit te Kosova U-21 dhe pas disa paraqitjeve të mira mendon se je një mbrojtës që luan për Barcelonën dhe se Bernanrd Challandes duhet patjetër të luajë me ju.
Nuk jam dyshues në aftësitë e tua si futbollist, por sjellja jote është shumë fëmijërore, një ‘kapiten’ duhet të jetë shembull për të tjerët dhe jo të thotë: ‘Nuk më kanë respektuar si gjithë të tjerët”.
Çfarë respekti më të madh dëshiron se të jesh kapiten i një Kombëtare?
Ardian, ju momentalisht nuk e meritoni të luani për skuadrën e parë, jo për shkak të kualiteteve të tua, por për shkak të sjelljeve jo sportive dhe fëmijërore.
Po ngjan si një fëmijë i llastuar që ia ‘plasë shpirtin’ prindërve për t’ia blerë një lodër.
Ke bartur shiritin e kapitenit për shpresat e Kosovës dhe tani nuk ke durim të presësh momentin tënd në Kombëtaren A.
Është e drejtë e jotja të vendosësh për cilën Kombëtare dëshiron të luash, nuk jam aspak kundër nëse zgjedh Shqipërinë, ju përsëri do t’i përfaqësoni shqiptarët.
Por, Ardian jepi fund më dilemave tani se për kë dëshiron të luash, por së pari mendo tri herë dhe vepro një herë.
Në fund të fundit Kombëtarja e Kosovës është më e madhe se çdo futbollist vetëm një gjë mbaje në mend, veprimi yt nuk i ka aspak hije një kapiteni.
Nëse dëshiron që dikush të quajë sërish “kapiten”, atëherë ndrysho sjelljet e tua jo sportive dhe shumë fëmijërore.