E quajtën “Baba të tenderëve”, si i akuzuar për keqpërdorime në këtë fushë, por Nexhat Krasniqi kthehet në vendin e tij të punës si shef i Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës.
Ai ishte larguar nga kjo pozitë vite më parë për shkak të dyshimeve dhe aktakuzës se kishte përfituar para nga shumica e tenderëve të dhënë nga kjo ministri, raporton KTV.
Madje, largimi i tij ishte bërë me një urdhër ndalimi për hyrje në objektin e MI-së, pasi kishte vazhduar funksionin edhe pas shumë muajsh suspendimi.
Megjithëse u lirua nga kjo akuzë, mbi Krasniqin rëndon dënimi me kusht prej 1.8 muajsh burgim, i vërtetuar në të gjitha shkallët e gjykatave, duke përfshirë edhe Kushtetuesen, sa ai ishte shef i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Por, nuk dihet se si ka kaluar Krasniqi nga pozita e drejtorit të Departamentit Koordinues të Këshillit për Komunikacion Rrugor, ku ishte emëruar nga sekretari Nebih Shatri në tetorin e kaluar, në atë të shefit të prokurimit.
Bazuar në proceset e tenderimit që ka hapur Ministria e Infrastrukturës gjatë këtij muaji, Krasniqi del të jetë shef i prokurimit të saj.
Madje për këtë i është nënshtruar testit të ricertifikimit për procese të prokurimit më 13 shkurt të këtij viti.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e pranon se Krasniqi së shpejti do të pajiset me certifikatën profesionale për prokurim, por thotë se nuk është detyrë e tyre konfirmimi i të dhënave nëse ai kishte abuzuar me pozitën zyrtare në të kaluarën.
Sipas KRPP-së, aplikacioni i Krasniqit ka ardhur i kompletuar nga Zyra e Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së Infrastrukturës.
Por kabineti i ministrit Pal Lekaj e heq përgjegjësinë nga vetja.
Argjend Zenaj, këshilltar i ministrit, i ka thënë KTV-së se mënyra e rekrutimit të stafit civil është ekskluzivisht e drejtë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë dhe se përgjigjet për rekrutimin e Krasniqit në prokurimin e MI-së duhet dhënë ai.
Kohavisioni ka provuar të flasë me ushtruesin e detyrës së sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nehbi Shatrin, por ai ka qenë i paqasshëm.
Në zyrën e tij kanë thënë se ai nuk gjendet në ministri, derisa nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara përmes postës elektronike.
Ndryshe, Metro javë më parë raportoi se Nexhat Krasniqi, ani pse i dënuar, ishte kthyer në punë pas suspendimit. Këtë gjë e ndalonte edhe ligji.
http://gazetametro.net/i-denuari-me-burg-per-korrupsion-behet-drejtor-ne-ministrine-e-pal-lekajt/