Loading…
Bashkëfshatari flet për momentin kur u vranë vëllezërit Ramaj
  • 14/11/2017 | 22:04

...

Në gjykimin për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj nga Shapteji i Deçanit, për të cilat vrasje akuzohen babë e bir, Salih e Durim Lushaj, sot kanë dëshmuar një bashkëfshatar i viktimave dhe të pandehurve dhe polici hetues që përpiloi raportin për incidentin.


Ukë Hajdaraj tregoi se në ditën kritike po kthehej në shtëpi nga puna me veturë dhe kishte vërejtur një tollovi në rrugë.

“Kur jam afruar tek turma, kam qenë duke folur në telefon. E kam ndal kerrin 10 metra para turmës. Sa isha në veturë i kam dëgjuar krismat tak-tuk. I kam dëgju dy lloje të krismave. S’jam ekspert po si përnjëherë kanë krisë”, tha dëshmitari për incidentin i cili la të vdekur dy bashkëfshatarë të tij.

Hajdaraj tutje tha se pasi kishte dalë nga vetura nuk është i sigurt nëse kishte dëgjuar sërish të shtëna.

“Kam zbrit nga vetura, e kam pa Ganinë, Agonisin edhe një djalë 10-12 vjeçar, me doket nipi i tyre. Kur e kam kthy kokën e kam pa Salihun edhe Durimin, për 2-3 sekonda i kam pa dytë me revole në duar. Kur i kam pa, ka qenë në krahun e majtë Durimi e krahun e djathtë Salihu”, tha dëshmitari.

Sipas tij, Salih e Durimi Lushaj kishin revole në duar me pozicion përballë viktimave.

Më pas dëshmitari tha se kishte parë të akuzuarin Salih Lushaj duke u larguar këmbë nga vendi i ngjarjes, kurse të birin e tij, Durimin tha se e kishte parë duke u larguar me veturë.

Ai tha se më pas kishte vërejtur të shtrirë në tokë Rexhep e Burim Ramajn. Këtë të fundit në krahun e majtë të rrugës, kurse tjetrin anën e djathtë.

“Kur unë kam mbërri në vend të ngjarjes, Burimi e Rexhepi kanë qenë të shtrirë. Njëri në breg të asfaltit e tjetri në anën tjetër”, tregoi ai.

Dëshmitari tregoi se i kishte futur dy viktimat në veturë për t’i dërguar drejt spitalit.

“Unë i kam shti në veturë, së pari Rexhepin e pastaj edhe Burimin. S’e di as kush i ka çu, unë kam shku në shtëpi”, tha Hajdaraj.

Kur erdhi radha që pyetje dëshmitarit t’i parashtronte pala e dëmtuar, Gani Ramaj tha se më herët dëshmitari kishte fjalë tjera derisa po flisnin në kafe.

Ky pohim i Gani Ramajt tërhoqi vëmendjen e njërit nga anëtarët e trupit gjykues, i cili e pyeti se a ishin takuar para seancës me dëshmitarin.

I moshuari Gani Ramaj nuk e mohoi se paraprakisht kishin pirë kafe me Ukë Hajdarajn. Ky i fundit e mohoi kategorikisht të kenë biseduar lidhur me rastin në fjalë gjatë atij takimi.

“Unë nuk kam biseduar lidhur me rastin, të betohem. Kemi ndejtë se jemi bashkëfshatarë”, tha dëshmitari, raporton KALLXO.com.

I akuzuari Durim Lushaj tha se ka vërejtje në deklarimin e dëshmitarit, sepse sipas tij, ai nuk po e flet të vërtetën.

Gjatë seancës se sotme ka dëshmuar edhe polici hetues, Veton Kelmendi, nga sektori i hetimeve të vrasjeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Pejës.

Ai tha se kishte përpiluar raportin pasi kishin intervistuar të akuzuarin Salih Lushaj.

Polici hetues tha se atë natë fillimisht avokat mbrojtës i të akuzuarit ishte prezantuar Haxhi Çekaj, i cili sipas tij, kishte thënë se ishte i autorizuar nga familja Lushaj si avokat mbrojtës i Salihut.

Ai tha se pas konsultimit me të akuzuarin, avokati Çekaj kishte thënë se do ta mbrojë të akuzuarin tjetër, të birin e Salihut, Durimin.

Kelmendi tha se atë natë Salih Lushaj kishte thënë se ai edhe i biri kishin pasur armë.

“Ka thanë se ai edhe i biri kanë pasë armë dhe armën ia kanë marrë njeri nga viktimat dhe e ka goditur në kokë me të”, tha hetues.

Më tej, dëshmitari tha se gjatë intervistimit të Salih Lushajt kishte vërejtur tek ai disa lëndime.

“Salihu ka pasë lëndime në sy dhe kokë. Ka pasë një fashë në pjesën e sipërme të kokës, nuk më kujtohet të ketë pasur fashë në sy”, tha ai, raporton KALLXO.com.

Për raportin e përpiluar nga polici hetues Veton Kelmendi dhe deklaratën e tij, vërejtje pati avokatja Kosovare Kelmendi, e cila mbron të akuzuarin, Salih Lushaj.

Seancat e radhës u caktuan nga trupi gjykues të mbahen me datat 19, 20, 21 dhjetor të këtij viti.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë