Tyler dhe Cameron Winklevoss, të cilët më herët e paditën Mark Zuckerberg’un për shkak të vjedhjes së idesë për Facebook, sot janë miliarderë pasi kanë fituar prej kërcimit të pabesueshëm të çmimit të kriptovalutës elektronike bitcoin.
Para katër viteve Tyler dhe Cameron Winklevoss kanë investuar 11 milionë dollarë në bitcoin, dhe javën e kaluar vlera e tyre ka kërcyer për gati 10.000 për qind! Besohet se ky profit prej rreth një miliard dollarëve është realizuar me investimin në bitcoin, gjë që është moment historik për këtë valutë kontroverse, transmeton gazetametro.net.
Bitcoin javën e kaluar, pas dy viteve të rritjes dramatike, e arriti vlerën prej 11.395 dollarë amerikan, përkundër paralajmërimeve të rrezikut për stabilitet financiar dhe mundësi të keqpërdorimit për qëllime kriminale.
Besohet se vëllezërit Winklevoss janë persona të parë publikë të cilët, duke investuar në bitcoin, kanë fituar një miliard dollarë.
Vëllezërit, të cilët kanë studiuar në Harvard bashkë me Zuckerberg’un, e fituan kontestin kundër Facebook’ut në vitin 2008 të cilin e nisën sepse Zuckerberg iu kishte vjedhur idenë për të. Atëherë fituan një dëmshpërblim prej 65 milionë dollarësh, dhe prej tyre në mars të vitit 2013 investuan rreth 11 milionë dollarë në blerjen e rreth 1 për qind të rezervave botërore të bitcoin’it, atëherë kur valuta elektronike e kishte vlerën 120 dollarë. Vlera e saktë nuk dihet, por besohet se bëhet fjalë për rreth 100.000 bitcoin’a, në vlerë prej më tepër se një miliard dollarë, transmeton gazetametro.net.
Pas kontestit me Facebook’un, binjakët, të cilët në Olimpiadën e Pekinit ishin përfaqësues të SHBA në kanotazh, iu përkushtuan ndërmarrjes me bitcoin’a, e filluan bursën e vet online dhe fondin e përbashkët për kapital të rrezikut.
“Kurrë nuk e kemi shitur asnjë bitcoin, po investojmë në afat të gjatë”, ka deklaruar Cameron Winklevoss para dy ditësh. Tyler Winklevoss, i cili thotë se valuta mund të arrijë vlerën miliardëshe, ka deklaruar vitin e kaluar për Daily Telegraph’in londinez se bitcoin “është një version më i mirë se ari”./gazetametro.net.