Loading…
Bitcoin-i si iluzion i vlerës
  • 21/12/2017 | 17:22

...

Shkruan: Albian Krasniqi

Dekada më parë, shtete të shumta në botë iu mundësonin individëve dhe grupeve të interesit, që paratë e fituara, t’i depononin në bankë pa pasur nevojë të arsyetonin prejardhjen e tyre. Pas një kohe, si rrjedhojë e rregullimit financiar, shumica e vendeve i kushtëzuan bankat që të mos pranojnë mjete financiare pa u dëshmuar prejardhja e tyre ligjore. Në atë botë, bankat e kundërshtonin këtë vendim pasi që prekej interesi i tyre.

Pasi ndodhi rregullimi i sistemit financiar, personat që posedonin mjete financiare të pa-ligjshme, filluan të kërkojnë mënyra tjera të deponimit dhe legalizimit të parave të tyre. E para dhe më tradicionalja, është shpëlarja e parave nëpërmjet bizneseve. E dyta, që ishte në trend në këtë dekadë, është transferimi i parave në ato vende që njiheshin si ‘parajsa fiskale’. Por, skandalet e fundit me kompanitë “Offshore” – duke përshirë Panama Papers –, treguan që politikanët e korruptuar, organizatat kriminale dhe individë që duan t’i shmangen tatimit, nuk janë të sigurt pasi që shumë lehtë mund t’iu zbulohet identiteti. Dhe si pasojë e saj, mund të jenë të përndjekur nga ligji në vendin e tyre amë.

Dhe këtu filloi shfaqja e Bitcoin.

Si valutë digjitale e enkriptuar që nuk zbulohet identiteti i pronarit – të paktën kështu thuhet – u bë trend i investimit nga shumë individë dhe kompani nëpër botë. Rritjaeksponenciale e vlerës sëBitcoin ka të bëjë me rritjen e kërkesës për të. Tani më, Bitcoin është shndërruar në aktivitetin investues më fitimprurës. Por, a duhet të themi së është rritur vlera e Bitcoin, apo çmimi?

Sa për ilustrim, kur mbahen ankandet për shitjen e ndonjë pikture apo vepre tjetër të artit, çmimet e tyre mund të rriten varësisht se sa janë të ‘çmendur’ blerësit potencial. Nëse aty janë prezent sheikët arab, do të ketë shumë gjasa që ata të paguajnë shifra marramendëse për piktura idiote. Nëse çmimet e këtyre pikturave gjatë ankandit janëçdo herë në rritje, kjo nuk nënkupton që edhe në të ardhmen do të jetë ky trend – pasi që çmimet janë rritur si pasojë e kërkesës dhe konkurrencës për t’i blerë, e jo sepse ato përfaqësojnë ndonjë vlerë.

Padyshim, investimet aktuale në Bitcoin janë shumë të leverdishme. Personat të cilët tregtojnë me këto lloje të valutave janë duke realizuar fitime marramendëse. Por, në momentin kur nëpër botë bëhet lajm që njerëzit po shesin shtëpia dhe po marrin kredi bankare për të investuar nëBitcoin, atëherëçështja bëhet serioze. Këto janë pikërisht shenjat e një skeme piramidale apo njëflluske ekonomike, që herët apo vonë do të shpërthej(flluskë ekonomike quhet fenomeni i tregtisë, ku asestet shiten me çmime shumë më të larta sesa vlera e tyre reale).

Fituesi i çmimit Nobel për Ekonomi, Joseph Stiglitz, thotë që Bitcoin është i suksesshëm për arsye të potencialit të tij për të mashtruar. Veç kësaj, ai shton se kjo valutë është edhe e ‘jashtëligjshme’, pasi që nuk ka asnjë kontrollë nga shteti dhe kështu bëri thirrje që përdorimi i kësaj valute të shpallët i ndaluar.

Përveç Stiglizit, edhe fituesi tjetër i çmimit Nobel për Ekonomi, PaulKrugman, tha se rrija e çmimit të Bitcoin është një flluskë ekonomike dhe kjo është edhe më e qartë se flluska e shtëpive – e cila qoj në krizën financiare botërore 2007-209.

Për më tepër, çdo valutë shërben si ndërmjetësuese për të blerë mallra dhe shërbime. Për këtëarsye, shteti duhet të jetë emetuesi dhe mbikëqyrësi i një valute, e jo personat që në këtë rast nuk ju dihet as identiteti.

Por, pse nuk po merren masa ligjore kundërBitcoin? A i dëmton kjo valutë bankat komerciale?

Bitcoin po iu mundëson politikanëve të korruptuar dhe organizatave kriminale që të kenë fuqi blerëse pa iu zbuluar identiteti. Ndoshta, kjo është një ndër arsyet kryesore pse nuk luftohen valuta të tilla. Gjithsesi, ka politikanë dhe intelektualë anekënd botës që kërkojnë shpalljen e Bitcoin të paligjshëm, por si duket nuk kanë fuqi të mjaftueshme vendimmarrëse.

Pastaj, besoj që lobi i pronarëve të bankave komerciale është më i fuqishmi në botë. Si rrjedhojë, nëse do të ishte në dëm të interesave të bankave, ato do të ndikonin përmes lobit të tyre të politikanët e çdo shteti. Pra, është pikërisht e kundërta. Kjo pasiqë bankat komerciale nuk mund të pranojnë depozita nga të ardhurat jo-ligjore, Bitcoin është mënyra me perfekte e fitimit indirekt. Me tëvërtetë, janë shumë shqetësuese lajmet kur e sheh që njerëzit nëpër botë janë të gatshëm që të marrin kredi në banka, e pastaj t’i investojnë në Bitcoin dhe valuta tjera të ngjashme.

A i ndihmon rritjes ekonomike Bitcoin?

Argumenti i shumë përdoruesve të valutave dixhitale është se në të ardhmen nuk do të përdoret CASH-i. Është e vërtetë! Në Britaninë e Madhe, mbi 97 për qind të blerjeve bëhet përmes pagesave me kartelë, ndërsa më pak se 3 për qind CASH. Por, kjo përqindje e madhe e pagesave nuk bëhet me Bitcoin, por me valutën zyrtare te vendit.

Kur investojmë në një biznes, ne në mënyrë direkte apo indirekte rrisim aktivitetin ekonomik të shtetit. Me fjalë tjera, prodhimi i një palë këpucëve të reja, apo një shërbimi të kontabilitetit, ndikon që rritjen e bruto prodhimin. Në anën tjetër, rritja e çmimit të Bitcoin nuk ndikon në rritjen e aktivitetit ekonomike në mënyrë proporcionale. Si i tillë, aktivitetit ekonomik në periudhë afatgjatë, më shumë do t’i bëj dëm sesa dobi.

Me fjalë tjera, Bitcoin nuk ka kurrfarë transparence dhe është krijuar kryekëput për interesat e grupeve kriminale; dhe si i tillë është iluzion i vlerës që nuk mund të ketë të ardhme.

Për fund, nuk mund ta mohojmë që individë dhe grupe të ndryshme po realizojnë fitime marramendëse përmes blerjes dhe shitjes së Bitcoin. Por, ashtu siç edhe na tregon historia e flluskave ekonomike,entuziazmi aktual do të shndërrohet në dëshpërim total. Dhe prapë se prapë, të gjithë shpresojnë që nuk do të jenë në anën e të dëshpëruarve.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë