Loading…
‘Bomba’ ime në Beograd
  • Nga

  • MUSTAFA NANO

  • 25/07/2018 | 08:54

...

I dashur Zoran,

Më 9 e 10 korrik isha në Beograd. Isha i ftuar për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Tanjugu dhe Agjencia Shtetërore Telegrafike Shqiptare (ATSH). Tema e konferencës ishte “Serbia e Shqipëria – si të ecet më tutje”, dhe të ftuarit në të ishin nga Beogradi e Tirana. Kishte edhe ndonjë shqiptar të ardhur nga Lugina e Preshevës (Fatmir Hasani, deputet në Parlamentin e Serbisë), por planet ishin bërë që të shkëmbeheshin mendime mes serbëve e shqiptarëve të Shqipërisë. Kështu ishte vendosur, me sa duket për ta mbajtur “elefantin” në një qoshe. Por “elefanti” ishte aty, në mes të dhomës. Dua të them që të ftuarit folën veç për Kosovën. Jo vetëm nuk bënë asnjë përpjekje për ta shmangur këtë temë, por bënë çmos ta hidhnin mbi tryezë. I pari ishte Ivica Daçiç, që e përshëndeti në hapje atë takim.

Nuk më pëlqeu fjala që ai mbajti. M’u duk si një gjë e nxjerrë nga ndonjë sënduk, ku ai mban gjëra të përdorura. M’u bë se po dëgjoja një fjalim që e kisha dëgjuar me dhjetëra herë. Dhe m’u kujtua një ngjarje e para disa viteve me Ismail Kadarenë në një festival kulturor në Torino, ku merrja pjesë edhe unë. Festivali kishte për lajtmotiv Shpresën, madje edhe titulli ishte “Shpresa – si të shohim nga e ardhmja”, por Kadare mbajti një fjalim mbi raportin e shkrimtarit me diktaturën, që ishte një variacion mbi një temë, të cilën ai e njihte mirë e për të cilën kishte folur në më shumë se një rast. Spektatorët që ishin mbledhur ta dëgjonin (ishin afro një mijë vetë), ishin gjatë gjithë kohës sy e veshë, sidoqoftë, dhe në fund, u duk se ai nuk i zhgënjeu. Përkundrazi, rrallë më kishte qëlluar të shihja një audiencë aq të thëthitur prej folësit. Njerëzit atje shijuan çdo fjalë të shkrimtarit nga Gjirokastra, dhe as që u shkoi mendja të kërkonin përputhje mes fjalës së tij e klimës së festivalit. Shijuan dhe mënyrën se si Kadare e mbylli ndërhyrjen e tij: “Shpresoj që në një mënyrë a në një tjetër të kem folur për shpresën”. Në fakt, nuk foli fare për shpresën, por siç thashë, askush nuk e vuri ujin në zjarr. Ata kishin ardhur aty të dëgjonin Kadarenë.

Ja, kjo më erdhi në mendje, teksa po dëgjoja ministrin e jashtëm të Serbisë të fliste veç për Kosovën në një konferencë me titull “Serbia e Shqipëria – si të ecet më tutje”. Kur po i afrohej fundit të fjalës së tij, unë po prisja ta mbyllte në stilin kadare-an me fjalët: “Shpresoj të kem dhënë një ide se si shqiptarët e serbët mund të ecin përpara me sytë nga e ardhmja”. Por për fat të mirë, këtë mbyllje na e kurseu. E mbylli fjalën duke bërë batuta me europarlamentarin Eduard Kukan, që na është bërë si i shtëpisë këtyre anëve. Ky i fundit kishte ardhur më i përgatitur për të folur për temën e konferencës, por puna është se kush vjen në Ballkan të flasë me gjuhën e BE-së është i dënuar të mos thotë asgjë. Duket se është e mundimshme për evropianët që të gjejnë zgjidhje për gjëegjëzat ballkanike.

Me që ra fjala, sa do doja ta shihja me sytë e tyre këtë Ballkanin tonë! Kuptohet, jo me sytë e Eduard Kukanit, i cili është sllovak, dhe për rrjedhojë disi më i familjarizuar me këtë botën tonë, por me sytë e një evropiani të largët, gjeniun, krejt të pamësuar me hilet, djallëzitë, dyfaqësinë, mujsharit, kurthet, goditjet pas shpine, stilin “hidh gurin e fshih dorën”, që për ne janë më të zakonshme e më të nevojshme sesa gjesti i të urinuarit. Më është dukur një ushtrim gjithnjë kureshtar ta shoh këtë botën time me sytë e një tjetri. Për herë të parë jam kapur prej kësaj ngasjeje kur kam lexuar shënimet e udhëtarëve të shekullit XIX, mes të cilëve edhe të “serbomadhes” Georgina Muir Mackenzie e të “shqiptaromadhes” Edith Durham. Lidhur me këto dy zonja, kam dashur të kuptoj se si ndodhi që u magjepsën kaq shumë pas kësaj botës sonë. Por, më lindnin pyetje njëra pas tjetrës, me anën e të cilave e vija në dyshim çfarë ato ndjenin respektivisht për serbët e për shqiptarët: Kjo e tyrja ka qenë dashuri, apo mëshirë? Simpati apo empati? Ishte e gjitha prej kuptimit apo moskuptimit? Apo ishte një ushtrim mazokist i dy grave të papërmbushura, e të lodhura, me atë botën e tyre tepër të rafinuar? Apo ishte një nga ato trillet femërore, që neve na i bëjnë femrat të duken të pakuptueshme e misterioze? Hëm, vetëm një ballkanasi mund t’i shkojë mendja ta vërë në diskutim, apo ta zhvleftësojë, dashurinë e tjetrit për të, siç po bëj unë në këtë rast. Ndoshta vetëm një shqiptari.

Por, po kthehem aty ku isha, te ngjarja e Beogradit. Fola edhe unë në atë konferencë, i dashur. Dhe kur u ktheva në Tiranë, zbulova se kisha thënë gjëra “të tmerrshme”. E pashë veten nën sulmin e shumë njerëzve, sidomos në Kosovë. Ishte një kor i tërë, që më drejtohej me fjalët “tradhtar, i shitur te Serbia, renegat, etj”. Dhe kjo ishte pjesa më elegante e sulmit. Kishte të tjerë, dhe këta ishin të shumtit, që më përmendnin motrën, nënën e “ç’më përmban pragu i derës”. Të sharat me nënë e me motër janë më të rëndat ndër ne. Dhe prandaj janë edhe të shumëllojshme. Nuk e ke idenë sesa kreativë jemi ne shqiptarët kur na duhet të shajmë në këtë mënyrë. Jemi edhe poetikë, e në këtë drejtim na ndihmon shumë edhe forma dëshirore e të shprehurit. “Të qifsha nënën”, themi ne në shqipen standarde, dhe kjo formë dëshirore e të shprehurit sikur ta bën më të përfytyrueshëm aktin seksual që bartet nga e shara. Ndërsa në të folmen e shqiptarëve të Kosovës, për shkak të eliminimit të bashkëtingëllores mbllaçitëse “q” e zanores përtace “ë”, trajta bëhet edhe më dëshirore: “ta kjajsha nanen”. E di Zoran? Kush e di se sa shqiptarë kanë vrarë njëri-tjetrin për një të shame nga nëna. Dhe kuptohet pse. Në një shoqëri patriarkale, siç ka qenë (në një farë mase, vijon të jetë) edhe shoqëria shqiptare, nderi i një burri lidhet më së pari me nderin e grave të familjes, të nënës, të bashkëshortes, të motrave, të bijave. Mes shqiptarëve, një burrë që qi është thjesht një burrë që qi, ndërsa një grua që qihet është një e përdalë, që bën me turp burrin, burrat, familjen, fisin, etj. (U kërkoj ndjesë lexuesve të Danasit e të Mapos për këto terma, që nuk para janë të këshillueshëm në gazetari, por në këtë letërkëmbim dua të jem sa më autentik)

Ky sulm që m’u bë, në fakt, kishte filluar pak më parë, qysh me letrën e fundit që unë të dërgova, në të cilën kritikoja sjelljen e Xhakës e të Shaqirit në stadiumin e Kaliningradit. Por ishte qëndrimi im në Beograd që, me sa duket, e mbushi kupën. U përpoqa të bëja ndonjë sqarim publik, por sa më shumë që shpjegohesha, aq më shumë më sulmonin. Dhe shpejt kuptova se nuk ishte fjala për ndonjë keqkuptim. Mua po më sulmonin jo ngaqë më kishin keqkuptuar, por për të kundërtën. Po më sulmonin ngaqë më kishin kuptuar ashtu si duhet. Dhe kjo ishte e trishtueshme.

Po çfarë thashë unë atje? Thashë se do bënim mirë që t’i shmangeshim elefantit në dhomë, me fjalë të tjera ta shmangnim bisedën mbi Kosovën një copë herë, ta shmangnim diskutimin mbi një argument, për të cilin ndahemi, dhe të fokusoheshim tek gjëra të tjera që na bashkojnë, pasi unë mendoj se ka plot gjëra që na bashkojnë, unë mendoj se serbët e shqiptarët kanë shumë të përbashkëta mes tyre, se ne kemi dhënë e kemi marrë në shekuj me njëri-tjetrin, ne kemi bërë luftëra të përbashkëta (ajo e vitit 1389, për shembull), ne kemi bërë krushqira, martesa, ne jemi integruar e asimiluar te njëri-tjetri, etj. Thashë se sikur Kosova të mos ishte më një problem mes nesh, ne do të ishim fqinj shumë të mirë. Në fund fola mbi një vëzhgim që pata mundësi ta bëja gjatë vizitës sime në Preshevë, për të cilin kam shkruar në një nga letrat që të kam dërguar. Dhe thashë: “Në Preshevë pashë e takova shqiptarë që me trup ishin në Serbi e me mendje ishin në Tiranë e Prishtinë; dhe unë do doja shumë që Edi Rama, a dikush tjetër me ndikim atyre anëve, t’u thoshte një ditë: ‘hej miq, përpiquni të ndërtoni një jetë tuajën këtu ku jeni, kështu si jeni; mos i mbani edhe fëmijët tuaj peng të aspiratave, pasioneve, dëshirave, ndoshta gënjimeve e zhgënjimeve tuaja; hiqeni mendjen nga ëndrrat me ndryshime kufijsh, dhe jepini jetës suaj një kuptim këtu ku jeni’; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Aleksandër Vuçiçi t’u drejtohej serbëve të Kosovës në përgjithësi, e atyre të Mitrovicës në veçanti, apo edhe serbëve të Bosnjës; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Ciprasi t’u drejtohej grekëve të Shqipërisë, të cilët rrinë gjithë kohën me mendje e sy të drejtuara nga Athina; sepse përndryshe, pakicat etnike në Ballkan do të vijojnë të jenë casus belli, e jo arsye bashkëpunimi”.

Kjo ishte në thelb ajo që thashë. Dhe derisa u ktheva në Tiranë, nuk jetova për asnjë çast me idenë se mund të kisha thënë diçka të çuditshme, kontroverse, që mund të lëndonte sentimentet patriotike të bashkatdhetarëve të mijë, e të provokonte debat. Dhe tani po më shkon mendja se, me çfarë kam thënë në Beograd, mos po lëndoj edhe ndjenjat serbe, po më shkon mendja se mund të dalin disa lexues të Danasit, të cilët mund të më drejtohen me fjalët: “Zotëri, serbë e shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët. Mos e dhëntë Zoti që të kenë gjëra të përbashkëta. Ne jemi armiq të përjetshëm, dhe të tillë do të mbetemi”. Mund të ndodhë kjo gjë, i dashur Zoran?

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë