Zona B në Klan Kosova për të ftuar kishte Joseph Brandt, kryeshefin ekzekutiv të kompanisë ContourGlobal, me të cilin Kosova kishte nënshkruar kontratën për zhvillimin e termocentralit të ri Kosova e Re.
“Ne kurrë nuk e kemi vlerësuar atë si opsion për financimin e projektit”, theksoi Brandt teksa po përgjigjej në pyetjet rreth vendimit të Bankës Botërore për të mos përkrahur projektin.
“Po të mos ishte Banka, projekti do të zhvillohej shumë më shpejtë”, shtoi ai.
Brandt theksoi një numër institucionesh me të cilat janë në bisedime për financimin e projektit të Kosovës së Re.
“Presim që OPIC të jetë pjesë e rëndësishme e projektit’, deklaroi ai teksa po i përgjigjej pyetjeve të ftuarëve në studio të televizionit Klan Kosova.
“Çmimi prej 80 eurosh është çmimi kulm, apo çmimi më i lartë. Ne rrezikohemi nëse tejkalojmë këtë çmim. Ne besojmë se çmimi do të jetë shumë më i ulët. Synojmë çmimin prej 60 euro për megavat orë”, iu përgjigj ai pyetjeve të gazetarit Valon Syla rreth dilemave të shfaqura në media rreth çmimit të blerjes së energjisë elektrike.
Kosova, vendi me pasuri të mëdha nëntokësore të linjitit, energjinë elektrike e ka të bazuar në dy termocentrale të vjetra, që njëkohësisht vlerësohen edhe ndotësit më të mëdhenj në vend dhe nuk ofrojnë siguri të furnizimit me energji elektrike.
“Ju jetoni këtu dhe e dini ndikimin e Kosovës A. Ditën kur fillon projekti ajo mbyllet. Do të ketë rritje të madhe të cilësisë së ajrit dhe të mjedisit në përgjithësi. Do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike, edhe gjatë stinëve të dimrit. Kosova do të jetë vend që mbështetet në kapacitete të veta energjetike”, tregoi Brandt gjatë emisionit.
Furnizimi jo i rregullt me energji elektrike i sjellë bizneseve të vendit humbje vjetore prej qindra miliona eurosh, deri sa furnizimi i rregullt dhe kapacitete të gjenerimit të energjisë elektrike do të ndihmonin edhe thithjen e investimeve të reja.
“Në matjet e fundit të klimës së bërit biznes në Kosovë, energjia elektrike del të jetë njëra ndër barrierat kryesore për të bërë investime”, theksoi Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
“Projekti ka arsyeshmëri të madhe të nxitjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit”, theksoi Rukiqi gjatë bisedimit.