Loading…
Buzëqeshje kosovarësh në plazhin e Durrësit
  • Nga

  • ARTAN FUGA

  • 26/08/2018 | 19:00

...

Kur lëviz me veturë rrugës të plazhit bëj kujdes që sidomos individëve burrë a grua që kalojnë tej e tej nga një trotuar te tjetri, t’u le rrugën.

T’i respektoj.
Ndaloj dhe sipas rregullit të kortezisë ua bëj edhe me dorë: Lutem kaloni!
Pastaj u shoh fytyrën dhe ecjen.
Fytyra u ndriçon nga gëzimi dhe buzëqeshja u kap buzët. Kokë ulur, ecin me hap të shpejtë sikur të duan mos të më vonojnë duke pritur.
Pse nxitoni? Se mos kam ndonjë punë urgjente unë?
Ndonëse është e drejta e tyre të kalojnë dhe detyra im të pres!
Nuk janë të gëzuar se kalojnë shpejt, jo, kanë kohë boll ata, por buzëqeshin sepse ndihen si të respektuar nga dikush në drejtim të një veture me targa Shqipërie në Shqipëri. Atje ku ne të këtejshmit bëjmë pak si gjela pulastreni a thua se e kemi me tapi tokën, deti, rërën, diellin.
Nga ai gëzim, ndjej se ata, të urtët, ndihen pak si të ndrydhur në plazhet tona. Ndryshe ai gjest nuk kishte se përse t’u bënte përshtypje.
Hajdeni kosovarë në plazhet tona!
Janë edhe tuajat!
Sa mijëra shqiptarë lahen e shplahen në plazhet e Greqisë, Italisë, e ju duhet të merrkeni leje për të ardh në këto plazhet tona naive dhe paksa idiote!
Hajdeni për çfarë të doni dhe mos pyesni fare për ne budallenjtë dhe kokëtrashët!.
Për patriotizëm, për t’u nxirë, për t’u dalldisur pas qefit të klubeve të striptizës, këndoni këngët tuaja, lahuni me rroba, me bikini, me brekushe, sipas qefit.
Notoni, pllaqurisuni, vraponi, luani me top, hajdeni për seks, për cmime më të mira, për patriotizëm, kozmopolitizëm, a për komunizëm.
Si ta keni qefin!
Deti Adriatik dhe Jonian na bashkon ju me ne, ne me ju, ne dhe ju me peshqit, gaforret, kandilët e detit, me hënën që reflektohet mbi dallgë në muzg.
Hajdeni dhe hani çfarë të keni qef, pula, këmbë bretkosash, pispili, sufflaqe, shli, sardele, ton, djathë, akullore stratçateli, bëni byreqet tuaja a hani byrek durrsak, bakllava Sulltan a torta me petë, pica Erdogan a qofte te pista Vitamin Aga!
Hajdeni e mos pyesni sepse nuk jemi ne ata që mund t’u ftojmë ju!
Nuk është prona jonë asgjë që i takon natyrës.
Dhe bëni kujdes kur ne ju kthejmë kusurin ndërsa bleni në njësitë e shitjes, sepse edhe ju vjedhim ne, mos u mërzisni që parkojmë keq sepse veturave nuk dimë t’ua hipim, nuk mbjellim lule, plehra gjithandej, madje na falni se shpesh nga që nuk dimë mirë shqip dhe nuk kuptojmë kur ju flisni shqipen e bukur dhe jo atë të katundit tonë.
Madje edhe kur ca si unë u hapin udhën, as mos e kuptoni këtë si ndonjë farë nderi, por si një të drejtë tuajën.
Kaloni kosovarë!
Kaloni çamë!
Kaloni Kavajas!
Kaloni Gjirokastritë!
Kaloni Tetovarë a çfarë të jeni nga Struga, Ohri, Gostivari!
Shyqyr që nuk jemi vetëm!
Mos na lini vetëm se jemi depresivë ne, dhe nga vetmia vrasim shpesh kolektivisht edhe veten!
Hajdeni dhe ikni për çfarë të doni, kur të doni, sa të doni, ku të doni!
Nuk ju uroj mirëseardhjen fare se kush jam unë që të kujtoj se jam te unë dhe ju jeni këtu te mua???

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë