Loading…
Çifti nga Vushtrria rrëfen si u rrahën nga Zoran Vukotici
  • 13/02/2018 | 23:07

...

Në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile shqiptare në Vushtrri, dy dëshmitarë, Bejtë dhe Shukrije Osmani, treguan para Gjykatës se si i akuzuari së bashku me personin tjetër të quajtur Gorolub kishin shkuar në shtëpinë e tyre më 5 maj 1999 dhe kishin rrahur gjithë familjen dhe u kishin marrë para.

Dëshmitari Bejtë Osmani tregoi se gjendja e sigurisë në lagjen e tyre gjatë luftës kishte qenë jo e mirë.

“Gjendja nuk ka qenë e mirë dhe gjithçka ka qenë jo e sigurt. Kemi pasë frikë se po vinë qetash, po na rrehin e ku me ditë çka po na bojnë serbët“, tha dëshmitari.

Po ashtu, dëshmitari tregoi se ditën e 5 majit pasi që ishin vra katër shqiptarë, ata ishin larguar nga lagjja ku kishin banuar dhe ishin vendosur te varrezat e qytetit në Vushtrri, ku kishin qëndruar gjashtë deri në shtatë javë.

Tutje, dëshmitari tregoi se Zoran Vukotiq dhe Gorolub Paunoviq kishin marrë në shtëpinë e Sylë Cakajt tashmë të ndjerin Fahredin Fazliu dhe kishin shkuar në shtëpinë e tij ku pasi që kishin hyrë brenda përveç që i kishin rrahur po ashtu u kishin vizatuar në ballë kryqin.

“Kanë ardhë në shtëpinë time. Me ta ishte edhe Fahredini, shoqja (gruaja) ua ka hapë derën. Kur Gorolubi ka ardhë mrena me ka përshëndet: Selam alejkum!, mandej ma kanë marrë letërnjoftimin dhe 50 marka. Ai i trashi mu kap: Ku e ki djalin? Unë i thash: në Maqedoni. E qaty e kish pasë një shpric dhe me të ma ka vizatu mua dhe gruas kryqin në ballë “, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se gruaja e tij e kishte fshirë kryqin e vizatuar, ndërsa Zoran Vukotiq e kishte goditur duke i thënë dëshmitarit: Thuaj gruas tënde mos e fshij!”.

Më pas i kishin rrahur, ndërsa Gorolub iu kishte drejtuar dëshmitarit duke i thënë a ta mbys një djalë të vogël që kishte qenë aty apo ta mbyste gruan e tij.

“E kanë marr Gazmendin, e kanë qitë në korridor, e kanë rreh dhe e kanë pyet: Kush i ka paret? Ai me siguri iu tha se halla i ka dhe ata i kanë marrë 200 marka që i ka pasë gruaja, pastaj kanë hy mrena e kanë marr Fahredinin e kanë qit jashtë edhe na kanë thanë neve: Mos gaboni me dalë jashtë! Pas një kohe na lajmëruan që i kanë vra ata katër”, deklaroi dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, kjo ngjarje kishte ndodhur rreth orës 12:00 të ditës, ndërsa kur u pyet nga prokurori se si kishte shkuar Fahredin Fazliu në shtëpinë e tij, dëshmitari shpjegoi se Fahredin Fazliun e kishin marrë në shtëpinë e Sylë Cakës, ku ai kishte shkuar për t’iu dërguar ushqim refugjatëve të vendosur në atë shtëpi.

Po ashtu, dëshmitari tregoi se fqinjët i kishin treguar atij se personat që kanë qenë në shtëpinë e tij ishin Zoran Vukotiq, ndërsa personi me maskë ishte Gorolub Paunoviq.

Në seancë dëshmi dha edhe Shukrije Osmani, gruaja e dëshmitarit të parë.

Gjithashtu, edhe ajo rrëfeu çfarë kishte përjetuar ditën e 5 majit 1999, kur i akuzuari së bashku me personin tjetër Gorolub kishin shkuar në shtëpinë e tyre.

“Ky Zorani ka ardhë ka trokitë në derë të oborrit. Unë kam shku me ia hap dhe kur e kam hap ai e ka shty derën dhe më ka godit me shuplaka. Unë i thash: Mirëdita! Ai ma boni në gjuhën serbe çka edhe mirëdita doberdan dhe ka hi. Ai me maskë ia ka ba plakut tim: Selam alejkum! Ndërsa vëllaut, Skenderit, i tha: Qysh i ki kompjuterat? Ai i tha: Mirë. E kanë marr djalin e vëllait, 15 vjeç, e kanë qitë në korridor e kur kam deshtë unë me dalë me këqyr prej dhomës se çka po i bëjnë, Zorani m’i ka dhënë dy shuplaka dhe e ka mbyll derën”, tha dëshmitarja.

Po ashtu, dëshmitarja tregoi se si Vukotiq dhe personi tjetër i quajtur Gorolub iu kishin vizatuar në ballë kryqin asaj dhe burrit të saj, ndërsa pasi që e kishin rrahur djalin 15 vjeçar, ishin kthyer prapë në dhomën ku kishin qenë këta dhe e kishin marrë Fahredin Fazliun.

Më tutje dëshmitarja tha se pas afër një ore e ishin kuptuar se ai ishte vrarë së bashku me tre të tjerë.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj, Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq është deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë