Loading…
Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një shqipe me të lujt mendja, e shqipja e tyre mediatike është një mballosje snobiste
  • Nga

  • EDISON YPI

  • 04/08/2018 | 13:00

...

Kosova nuk më do

Kosova vend i lirë, do duhej të qeverisej e begatohej nga krema e saj, intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit e ardhur nga universitetet. Por Kosova kontrollohet e gjitha nga hajnat ardhur nga bodrumet europerëndimore marksiste leniniste që po e bëjnë Kosovën si i lypset shkaut, lesh arapi, pa Bogdan, Bud, Lasgush, Kadare, Shekspir, Dante, Beethoven, plot me pëllitje imamësh që më bëjnë të uluras; Kosova që më ka dash, nuk do më.

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin një Shqipe me të lujt menia, me tu ndal fryma, muzikë, sinfoni e tëra. Ndërkohë, Shqipja e tyre mediatike është një mballosje snobiste e dialektit e mrekullueshëm kosovar me Shqipen standarde, aq katastrofike sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, të cilën prej shekujsh e dashuroj dhe më dashuron, tash sa kohë më ka bo lanet.
Humori televiziv kosovaresk është aq qesharak sa të vjen turp me e pa e me e nigju.

Debati televiziv në Kosovë është më gdhë se i Shqipërisë. Komentet e kosovarëve nëpër rrjeta socjale, janë më të trasha se vetë trashësia. Sado ta dua unë, një vend me nivel komunikimi të tillë, nuk mundet me më dash mua.

Me biseda të shpëlara, batuta pa kripë, modë, muzikë, kuzhinë, pa realizmin e përditshmërisë, pa erë që fryn, pa shi që lag, pa pula që kakarisin, pa gjela që këndojnë, qen që lehin, vrasës dhe të vrarë, rrahës dhe të rrahur, vjedhës dhe të vjedhur, kosovarët dhe kosovareshat televizive sado të lodhen nuk e bëjnë dot televizionin. Rrjedhimisht Kosova mua nuk më do.

Me ardh në behar në Durrës me u rrezit pranë detit. Me ndejt në diell aq gjatë sa lëkura me tu përzhit në thellësi të mishit me shpesë se dielli të ka hy brenda dhe deri beharin tjetër aty do rrijë e do shërojë, keq më vjen ta them, por Ti Kosovë këtë e bën. Domethënë që mua nuk më do. Po të më doje, nuk do ta bëje.

Ti Kosovë bën çdo ditë e më tepër pica, bifteqe hamburgera, për snobat që janë pakicë, dhe çdo ditë e më pak Pasul për kosovarët autentikë dhe për mua që jemi shumicë. Ky është një krim i shëmtuar që, mes tjerash, provon se nuk më do.

U lirua Ura në Mitrovicë. Bukur. Mezi e pritëm. Por shembën Xhaminë. Xhaminë e Tiranës as kurvi nuk guxoi ta preki. Xhamia e vjetër nuk duhej shembur. Kosova nuk më do, prandaj e shembi.
E kam provu me ju afru Xhulietës time Kosovë, natën si Romeo, ditën si Don Juan, në mëngjez si dashuror, në mesditë si gentleman, nëpër ëndërra si Engjull, nga Morini si teptil, nga Maqedonia si patriot kafeneje, nga Luma si luftëtar çiftelie. E pa mundur. Ajo prej grave për të cilën digjem t’ja shpreh dashurinë, ta përkëdhel, ta puth, sa më tepër i afrohem, aq më tepër më largohet. Sa herë nisem në Kosovë përfundoj në Myzeqe, Devoll, Dibër, Pukë, Tepelenë, nëpër maja, gërrxhe, përrenj, shkëmbinj, humnera.

Unë që fill pas bombardimeve udhëtova nëpër Kosovë tre dit e tre net me lot në sy, Kosovën nuk mund ta vizitoj. Në Kosovë nuk mund të shkoj. Në Kosovë s’kam çfarë të bëj, se Kosova nuk më do.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë