Loading…
Dashuria dhe respekti i munguar për Prishtinën
  • Nga

  • BARDHYL META

  • 12/06/2018 | 14:13

...

Dashuria dhe respekti i munguar për Prishtinën, për “Hyjneshën n’Fron” – për Kryeqendrën e trajtës më t’shquar, të Nacionalizmës Shqiptare!?

11 Qershori i 2018-ës n’Prishtinë – sikur edhe 12 Qershori – erdhi dhe shkoi, pa asnjë – asnjë, asnjë shënim!?

– Kryeqyteti Republikës Kosovës – Prishtina, dikur edhe Kryeqytet i Vilajetit, ndërkohë që në Antikë – një Qendër e Dyfishtë urbane, “Ulpiana-Justiniana Secunda”-n (“Municipiums Ulpiana”) ishte kryeqendër urbane e Dardanisë – për trimërinë tradicionale të së cilës, thurte vargjet e shenjta (1910) poeti Shkodran (nga Stambolli) Hil Mosi „Ani moj Shqipëri mos thuej marrova, se djemtë e tu ende ja gjallë“(Kryengritja e Prishtinës, 1910); Prishtina, ishte njëkohësisht, edhe Kryeqyteti i Krahinës Socialiste, ku pushteti shovinist e komunist Jugosllav, n’përfundim të Luftës së dytë botërore – kur e gjithë bota po çlirohej nga fashizmi – pushkatoi mes datave 12 dhe 22-25 Shtator 1944 në “Strelishte” të “Tauk Bashqes” gjithë elitën shqiptare Prishtinase, 381 personalitete të spikatura, t’cilëve u dihen emrat e mbiemrat – por që s’kanë as sot e kësaj dite, as një “Përmendore”!?); Prishtina, ishte dhe mbetet edhe qendra e kulturës dhe emancipimit, të të gjithë shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë Londoneze: Këtu, në Prishtinë, u shkolluan të gjitha kuadrot e shqiptarëve të Kosovës, të Malit të Zi, të Maqedonisë e të Luginës; Dolën gazetat e para ditore e javore, Radio e Televizioni shqip.  Instituti Albanologjisë (1956), Fakultetet, Universiteti i Prishtinës, Akademia, Instituti Historisë; Këtu, si në gjithë Europën atëbotë, u ngjiz përbashkimi e revolta – Demonstratat e vitit 1968 – për Republikë e Flamur! Sikurse edhe Demonstratat e vitit 1981, 1988, 1989, 1990!

Këtu u themelua edhe Lëvizja më e organizuar, më masive historike e gjithëkombëtare – Partia e parë Politike shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore – Lëvizja “Për Liri, Demokraci e Pavarësi”, Lidhja Demokratike e Kosovës, e Presidentit Historik, Dr.Ibrahim Rugovës!
Këtu n’Prishtinë, mes viteve 1990-1999, zbarkuan mijëra diplomat nga e gjithë bota: ku n’takimet me Liderin e Lëvizjes Kosovare, Dr. Ibrahim Rugova dhe Liderët tjerë rreth tij, po ngjizej e dizajnohej një “Modus Vivendi” – për një shtet të ri – ku edhe Kosovarët, do të kenë mundësinë dhe rastin, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në “Liri, Demokraci dhe Pavarësi” nën Përkujdesje të SHBA-ve dhe BE-së! Ishte konsensus Ndërkombëtarë, që “Politika e Diplomacia për dhe rreth të ardhmes së Kosovës”, duhej të vazhdohej me mjete tjera, me Intervenim ushtarak. Kombet më fisnike, shtetet më demokratike, dërguan nën ombrellën e NATO-s, jo vetëm bijtë e bijat e tyre, por edhe arsenalin më të sofistikuar e të rëndë ushtarak e ajror! U bombarduan të gjitha strofullat e aparatit shovinist serb, qoftë në Prishtinë e Kosovë – e qoftë edhe në vet Kryeqendrën e shovinizmës Ballkanike, Beogradi e Serbia…!

Vendi u çlirua, mori ajër e oksigjen – u hap një horizonti i Ri, i pakufishëm – për herë të parë ndër shekuj, ky vend, mori shansin historik, që të qeverisej nga vendorët, nga Kosovarët – 90 % shqiptarë…!

U fitua “Liria, Demokracia dhe Pavarësia”. Por, që të tria, qoftë Liria, qoftë Demokracia e qoftë Pavarësia, duhet të mbushen plot kuptim, plot përmbajtje qëllimore, kulturë, respekt e vizion – për zhvillim e mirëqenie…!

Ndërkaq ne, Kosovarët, si t’ishim barbarët e fundit të kësaj bote: me 11 e 12 Qershor të 2018-ës, vetëm 19 vjet pas çlirimit, ndërkohë që plagët ende kullojnë – pra Ne, pasardhësit e Dardanëve e Ilirëve, misionarë e pinjoll të Pjetër Bogdanit, Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit – “harrojmë” t’shënojmë këtë “Ditë të Shenjtë” – “t’Hyjneshës n’Fron”, që përmbylli epokat e luftërave shekullore, për vetëqeverisje, për “Liri, Demokraci e Pavarësi…”!?

Turp!

BM – Prishtinë, 12 Qershor 2018

***

P.S. “Hyjnesha n’fron” e gjetur në vendin e mullirit, tek “Tjerrtorja pranë Prishtinës”, në vitin 1956. Mostër e ruajtur mirë e kulturës neolitike (18.5 cm e lartë), e “katër mijëvjeçarëve para Krishtit”, në kulturën e Turdës në Kosovë, kultura e Vinçës ose kultura Turda-Vinça)

Figurina, përfaqëson një hyjni femër, kultin e nënës, ruhet në Muzeun e Prishtinës. Muzeu i Kosovës ka përshtatur imazhin e “Perëndeshës në Fron” si logon e institucionit të veçantë. Si një nga artefaktet më të çmuara arkeologjike të Kosovës, është adoptuar edhe si simbol i Prishtinës.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë