Loading…
Deputetët Pro dhe Anti-Amerikanë: Demagogët e Kosovës
  • Nga

  • VALON A. SYLA

  • 14/04/2017 | 16:25

...

Nëse deputetët janë pro amerikanë sa i përket bërjes së FSK’së Ushtri, pse janë anti amerikanë sa i përket demarkacionit? Është e thjeshtë. Jeni një tufë demagogësh jo-kompetentë.


Kuvend me të keq Kosova nuk ka pasur prej se është themeluar si Republikë e pavarur. Kjo sa i përket performancës së tyre e cila karakterizohet me demagogji, bllokadë, dhunë dhe gaz lotsjellës, të cilave herë pas herë i shtohen edhe ‘nasihate’ me nxitje të urrejtjes ndëretnike e fetare, nga ata deputetë që ballin e qelit e kanë të skuqur nga lutjet kur godasin dyshemetë e xhamive.

3 vite stagnim ku është prodhuar vetëm ofendim dhe urrejte. Diskreditim për Shtetin e Kosovës, dhe pjesët e saj të pavarura, duke u përdhunosur simbolet kombëtare; flamuri, himni, policia, drejtësia, sporti dhe çdo gjë që është ndërtuar deri tash me mund, nga të gjithë.

Kishte mbetur vetëm edhe pro amerikanizmi të fëlliqet dhe atë e katandisën me sukses demagogët e politikës, me fore të Facebook’ut dhe për tu dukur më patriot se të gjithë, gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta të Kuvendit të Kosovës në Televizionin Publik, RTK.

Për tri vite, amerikanët kërkuan që të kryhet demarkacioni. Pastaj dërguan edhe Emisar e vlerësues, por kjo nuk mjaftoi. U desh të vinë edhe Përfqësues të Lartë e Senatorë për të kërkuar kalimin e demarkacionit. Por as kjo nuk mjaftoi për patriotët e staneve dhe skutave të ‘Bjeshëve të Nemuna’.

“Nuk e shesin Kosovën”, thanë.

Nuk mjaftuan as të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), prej Komisarit Johannes Haan e deri te Federica Mogherini, e Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, për t’i lutur deputetët ‘patriotë’ ta votojnë demarkacionin.

As këtë herë nuk e bënë.

“Ndonjëherë nuk duhet të dëgjohen amerikanët. Nuk e shesim Kosovën”, thanë.

Por, kur u përmend Ushtria, u rrit doza, të gjithë u ngritën dhe thanë se kjo nuk bëhet pa Amerikën, dhe se ata që duan ta bëjnë Ushtrinë pa ta, janë anti-amerikanë.

Gërditshëm dhe tejet demagogjike.

Një prej deputetëve që ngërthen stereotipin e demagogut është Anton Çuni. Si ai janë edhe nja 11 të tjerë demagogë të parlamentit, të cilët janë anti-amerikanë ndaj demarkacionit, dhe pro amerikanë ndaj ushtrisë, si Gjeografi nga Llapi Shpëtim Bulliqi, dhe ish Drejtori i Stacionit të Autobusëve në Ferizaj Adem Salihaj, që njihet edhe si zbulues dhe dashamirës i fisit ‘Kalash’ në Afganistan.

Në fakt, në syrin e publikut dhe të gjthë atyre që dinë sadopak diçka, ju jeni vetëm një grup demagogësh që ia humbët 3 vite Kosovës, bashkë me deputetët e tjerë nga koalicioni Qeverisës, por edhe nga Opozita.

Ky Kuvend do të regjistrohet si më i keqi në Historinë e Republikës, që nisi me bllokadë, të trashëguar nga mendësia politike ‘VLAN’ dhe nuk arriti të ndryshojë për tri vite.

‘Blloku’ është llogoja e kësaj politike dhe me këtë e keni humbur kredibilitetin të qëndroni në ulëset e Kuvendit.

Kjo s’ka lidhje me demarkacionin e as ushtrinë, por me inatet që Isa Mustafa e prishi VLAN’in dhe hyri nën sqetull të Hashim Thaçit, tash President.

Andaj bllok do ta keni nga votuesit për këtë, pa marrë parasysh se a do të votohet apo jo demarkacioni. Kjo më nuk është e rëndësishme, sepse askush nuk do t’ua llogarisë si sukses, e as si shitje e territorit, por vetëm si një ‘jokompetencë’ prej burrave të shtetit, që vazhduan izolimin e Kosovës, luhatën bindjet te miqtë amerikanë dhe të tjerët që sponzoruan Pavarësinë e Kosovës.

Poashtu, i gënjyet votuesit tuaj se nuk do të bëni koalicion me PDK’në, dhe as këtë se mbajtët dot. Sot jeni të dështuar. S’keni vazhdueshmëri në qëndrime, as ndaj votuesit e as ndaj miqve amerikanë.

Ndaj shpejt, ky Kuvend do të shpërbëhet dhe deputetët demagogë do ta kenë ‘bllok’ të madh nga votuesit e ri që mbetën pa viza, e disa prej këtyre ‘patriotëve’ shefat e tyre të partisë, nuk do t’i fusin më as në lista zgjedhore.

Poashtu, më nuk është e rëndësishme se a jeni dhe a do të mbeteni pro apo anti amerikanë. Ju do të mbaheni në mend si një tufë demagogësh jo-kompetentë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë