Loading…
Dështimi në menaxhimin e granteve dhe subvencioneve
  • 10/01/2017 | 17:59

...

Alban Hashani, profesor i ekonomisë, ka thënë për Preportr se problemi parësor është mënyra se si menaxhohet skema e subvencionimeve dhe granteve. Ai thotë se nuk është e qartë se si kemi ardhur deri të kjo formulë, nuk dihet pse janë vendosur ato kuota për t’u subvencionuar kultura të ndryshme, do të thotë me çfarë metodologjie është arritur deri të këto kuota dhe si ka mundësi të mbesin në vijimësi pa u ndryshuar.


“Kur kemi parasysh që krejt qëllimi i investimit në bujqësi është hapja e vendeve të punës pasi që papunësia është identifikuar si problemi parësor ekonomik, pra në qoftë se ky rezultat nuk arrihet përmes bujqësisë, atëherë s’po japim subvencione, por ta zëmë të japim subvencione në IT, sepse ndoshta aty e kemi bukën. Pra nëse e kemi pasur si qëllim parësor këtë, atëherë duhet të analizojmë se a po i mbërrijmë efektet apo jo”, thotë Hashani.

alban-hashani

Ai thotë se duhet të kthehemi tek pyetjet bazike që të lidhen rezultatet me subvencionimin dhe grantet, jo vetëm të investohet paraprakisht dhe mandej pa monitorim të duhur të shkojë puna si ka shkuar deri më tani. Ai mendon se duhet të sigurohemi se në momentin kur fermeri merr një pjesë të subvencionimit, pjesën tjetër ta marrë kur plasohet produkti dhe të lidhet me rezultatin e punës, kjo sipas tij do ta kishte maksimizuar rezultatin që mundet subvencionimi ta japë.

Duke marrë parasysh se disa projekte kanë dështuar, janë mbyllur stalla dhe serra të shumta, Hashani mendon se duhet rritur numri i kapaciteteve monitoruese të ministrisë pasi që ata aktual monitorojnë shumë projekte dhe gjasat që ata të korruptohen janë më të mëdha.

Hashani thotë se gjithashtu duhet të punohet për sigurimin e tregut të brendshëm dhe të mos lejohen monopolizime pasi që në raste të tilla dëmtohen rëndë fermerët dhe kjo mund t’i qojë edhe drejt falimentimit, ndërsa shton se është i domosdoshëm funksionimi i Komisionit të Konkurrencës për të rregulluar këto gjëra në treg.

“Kemi për shembull rritje të hektarëve të mbjella me mjedra, por ka grumbullues që kanë fuqi të madhe dhe të cilët në mungesë të funksionimit të Komisionit të Konkurrencës mund ta keqpërdorin pozitën e vet në treg dhe duke e bërë këtë ia marrin krejt tepricën e prodhuesit prej fermerit”, theksoi Hashani.

Ndërkohë, Ibrahim Rexhepi drejtor i STRAS thotë se problemi esencial qëndron të mungesa e një koncepti afatgjatë të qeverisë rreth zhvillimit të bujqësisë. Sipas tij të gjitha investimet publike që janë bërë më shumë janë të karakterit “Ad hoc” se sa të një koncepti se pse po investohet, ku po investohet dhe cili duhet të jetë efekti përfundimtar i këtyre investimeve.

“Arsyet pse nuk është arritur kjo janë të ndërlidhura me një vizion që jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha qeveritë e kanë pasur, e që është financimi i buxhetit të shtetit me import dhe përderisa ekziston kjo qasje atëherë është e kotë që të flitet për zhvillimin e brendshëm. Që me një rritje për 2-3 % mund të ketë rritje të qëndrueshme dhe që bujqësia të marrë rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve”, thotë Rexhepi.

ibrahim_rexhepi

Ai thotë se në fushatën parazgjedhore kudo që ka shkuar ish-kryeministri Hashim Thaçi, ka premtuar subvencionim, 100 deri në 1000 euro për çdo lloj produkti. Rexhepi mendon se për shkak të fuqisë politike të Thaçit të gjitha këto premtime u parapanë në buxhetin e shtetit, jo pse ai ka pasur mbrapa një analizë, një vlerësim se me të vërtetë e meritojnë të financohen ato produkte, por thjesht që të kënaq kërkesat e elektoratit.

“Nuk ka një analizë se si kanë reflektuar këto investime. Pse nuk sollën zvogëlim të importit të paktën. Pra ka munguar monitorimi për shkak të keqpërdorimeve, për shkak të korrupsionit dhe keq-menaxhimit me paranë publike. Mungon përgjegjësia dhe llogaridhënia, nëse ka raporte korruptive ndërmjet këtyre palëve, nuk ka monitorim të duhur dhe nuk ka identifikim të problemeve dhe më e keqja është se të gjitha hallkat e shtetit janë të lidhura”, theksoi Rexhepi./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë