Loading…
Diasparja
  • Nga

  • BEKIM KUPINA

  • 01/08/2018 | 23:24

...

Shkruan: Bekim Kupina


T’dashtun mërgimtarë, pavarësisht se çka thojmë na e qysh ju presim, ju jeni në shpinë e juej që me shumë djersë, punë dhe mund e keni ndërtu. Kosova kurrë nuk ish ndërtu pa juve, pa djersën e juej e pa punën e juej.

Kafshatën e fëmijve të juej e keni dërgu me e majtë gjallë këtë vend. Na keni dhanë, na keni ushqy, na keni shkollu. Unë fakultetin e kam fillu me 100 frangat e mixhës tem…Edhe plot të tjerë e kanë fillu edhe e kanë përfundu shkollën me ndihmën e familjarëve të tyne prej diaspore”.

Ky është rrëfimi autentik i Astrit R., kosovarit ndër të paktët që vendosi t`ia njihte publikisht meritën xhaxhait të tij për ndihmën gjatë studimeve të dhënë në periudhën e arsimit paralel.

Në fakt rrëfimi i Astritit mund të jetë edhe historia e pothuajse secilit kosovar, i cili në kohëra të ndryshme u sfidua duke jetuar me ndihmën e diasporës.

I irrituar nga qasja refuzuese ndaj tyre, ai mbyll mesazhin me një lutje. “Falnani për këtë arrogancë e mosmirënjohje se nuk e kemi kurrgjë me t’keq, por nuk e kemi konsideruar diasporën si potencial për zhvillimin e vendit…”!

Por, mirënjohja për ta ka kohë që është reduktuar në një fjali.

Mirë se vini bashkatdhetarë! Një formulim i tillë tashmë është shndërruar në moto të përvitshme dhe valon në fillim të verës e deri në vjeshtë, përveç në hyrje të secilës komunë kosovare edhe në qendra të mëdha tregtare.

Një lexim i fjalëpërfjalshëm nuk përbën asgjë më shumë sesa një mesazh urimi. Por, me një lexim semantik gjithçkaje i ndryshohet konteksti.

Komunat përpiqen ta joshin diasporën me moto soc-realiste, siç bëjnë edhe tregtarët, në sytë e të cilëve të parët janë silueta eurosh.

Ky relacion e ka shndërruar periudhën e verës në sezon diaspore dhe ku ata janë temë përveç me remitancat që i sjellin shtetit, shpesh edhe me diskursin stereotipizues me nuanca pezhorative për dukjen apo veprimet. Kjo qasje ndaj tyre fillon me të hyrë në kufijtë territorialë të Kosovës, në pikat doganore të së cilës ata detyrohen ta hapin qesen së pari, duke paguar njëfarë kartoni, i cili nga i gjelbri është transformuar në të kuq, sikurse ai i futbollit për dënim.

Vite të tëra e bëjnë rutinën njësoj, siç e bën edhe politika të veten duke afishuar sa herë në këtë periudhë idenë se po bëjnë të pamundshmen që çështjen e kartonit të gjelbër ta zgjidhin përfundimisht. Në fakt, as përfundimisht e as pjesërisht. Diaspora vazhdon të paguajë këtë karton. Ajo paguan më shumë se kaq, ndaj tagri për kartonin e gjelbër duket si “peshqesh” për kufitarët. Statistikat për remitancat që vijnë nga ata flasin për një kosto vjetore prej mbi 1 miliard eurosh. Pothuajse sa buxheti i Kosovës, duke e bërë diasporën shtet më vete. Edhe ashtu, si një pjesë e tërësisë që jeton jashtë atdheut etnik, diaspora gjatë gjithë periudhave historike luajti rol me rëndësi për ta mbajtur gjallë qoftë edhe idenë e shtetit në gjithë rrugëtimin e tij.

Me surle e tupanë komunat kosovare çdo verë e presin diasporën, gjithnjë me bindjen se po i nderojnë. Zor të besohet t’i ketë marrë malli për jehonën e tupanëve, kur ndeshen me kaosin në komunikacion, kur komunat projektet infrastrukturore i koncentrojnë kryesisht në pikë të verës dhe kur tregtarët fërkojnë duart, në pritje të të vjelave nga diaspora.

“Kur ke ardhë dhe sa doni me nejtë”, është sintagma përmbledhëse e një cikli të tërë. Askush për asgjë nuk është i interesuar, përveçse për ndonjë përfitim çfarëdo qoftë prej njeriut të diasporës. Ata janë dera emergjente, në të cilën shumë kosovarë trokasin sa herë u mbyllen dyer të tjera. Shtet më vete, personifikim i shpëtimit.

Sot kur rrjedhat globale dhe zhvillimi ekonomik e teknologjik e kanë tkurrur botën, diaspora e sotme nuk është ajo e dikurshmja.

Dy fjali emblematike më kthejnë në vitet ‘80, kur termi `diasporë`, ishte pothuajse i panjohur për diskursin e komunikimit.

“A po flasin ata” dhe “A po çojnë pare ata”, janë dy fjalitë tipike të asaj kohe, kur ende diasporës i referoheshin me përemrin vetor të shumësit ’ata’. Të freskëta janë kujtimet kur njerëz nga fshati vinin në qytet te të vetët për të ndërruar ndonjë llaf me familjarët në diasporë. Mundi shpesh merrte orë të tëra për ta kapur linjën me diasporën, duke rrotulluar manualisht numra tre-katërmbëdhjetë shifrorë telefoni.

Sot diasporën dhe familjarët e tyre në atdheun amë i ndan vetëm një klik.

Me një komunikim në rrjetet sociale, diaspora si asnjëherë më parë, atdheun e ka pranë. Ata më nuk vijnë një herë në vit në Kosovë. Flasin çdo ditë, disa herë, por edhe çojnë para, që mbërrijnë në destinacion jo për ditë të tëra, por brenda pak minutash.

Në kohë të mungesës së lëvizjes pa viza e vetmja afërsi me diasporën është kjo. Falë internetit pa tela. Kjo i bën mërgimtarët të mos ndihen të largët me vendin e tyre, aq më pak me zhvillimet në familje dhe jashtë tyre.

Edona H., emigrante e pasluftës në Amerikë, e ka të zorshme ta pranojë termin diasporë. Është e informuar për gjithçka që ngjet në qytetin e saj të origjinës, natyrisht në saje të një kliku kudo në hapësirën informative kosovare. Të krijohet ndjesia se ajo jeton këtu, ndonëse prej 13 vjetësh e ka përmbushur ëndrrën amerikane.

Si një pasionante e peshqesheve, e pranon se nga këndi i njeriut kosovar, ajo/ata perceptohen në kajde të euro-monedhës. S`e ka problem për këtë, sikur të mos përballej me dilemën e dyfishtë të prezencës këtu. I duket gjithçka njësoj, sikur të jetë ndaluar koha dhe ku secili ende emigrimin e sheh shpëtimin e vetëm.

Sido që të jetë, kosovarët e diasporës që kthehen çdo vit këtu, s`kanë pse të ndihen as të huaj e as inferiorë. Ata janë në shtëpinë e tyre, ndaj duhet hequr dorë nga ideja e statusit special për ta. Sikundër duhet të heqin dorë vendësit nga tendenca mizantrope për ta konsideruar diasporën kategori të veçantë.

A më mirë këtu apo atje, është dilema pyetësore e përhershme për diasporën tonë. Përgjigje të cilën s`po arrijnë ta japin as ata, por as ne këtu!

Dilema vazhdon, por ata sërish kthehen çdo vit. Duke e kuptimësuar gjithnjë e më shumë termin diasporë, sfondi akustik i së cilës të shumtën e herës po tingëllon – Diasparja.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë