Më 28 shkurt të 1998-ës në fshatrat Likoshan dhe Çirez u zhvillua luftë e ashpër, e ku mbetën të vrarë dhjetëra serbë, por edhe në anën tjetër u shuan 22 ushtarë të UÇK’së.
Dy nga ta, ishin Rexhep Rexhepi dhe Beqir Rexhepi, të cilët kujtohen sot si dy trima që i dolën në ndihmë Adem Jasharit në dy rrethimet nga forcat serbe, e po ashtu përkujtohet rezistenca e tyre e ashpër në fshatrat e Drenicës, shkruan gazetametro.net.
Rexhep Rexhepi mori plumbin e vdekjes në fushëbetejë nga një polic që kishte mbijetuar në sulmin që ushtarët e UÇK’së i kishin bërë një automjeti të Policisë serbe.
Ndërkaq, Beqir Rexhepi u shua pas 9 orë luftë të ashpër kundër ushtarakëve serbë të armatosur rëndë, konvojeve tokësore dhe helikopterëve.
Por shteti për të cilin luftuan ata, sot i nderoi me Urdhërin ‘Hero i Kosovës’ për të dy dëshmorët. Dekoratën e morën familjarët e tyre sot në një akademi përkujtimore.
Familjarët u shprehën të kënaqur që këto dekorata që erdhen nga presidenti Hashim Thaçi do t’u jep edhe arsye vizitorëve për të vizituar familjarët e dy dëshmorëve.
Siç thonë ata, deri sot shtëpia e tyre ishte hapur për ngushëllime, ndërkaq sot ata ndihen krenarë që ajo do të hapet për urimet për dekoratën më të lartë që jep shteti i Kosovës./gazetametro.net