Dy muaj më parë vdiq aktori i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Blerim Peci.
Vdekja e tij preku familjarët, miq, e të gjithë shqiptarët, duke qenë se humori i tij na ka shoqëruar me vite në televizionet tona, së fundit me programin “Vikendi” që transmetohej në Radio Televizionin e Kosovës, shkruan Gazeta Metro
Gruaja e tij Afërdita e ka kujtuar atë përmes një shkrimi me fjalë prekëse:
Më poshtë ju sjellim shkrimin e saj pa ndërhyrje:
“Dy muaj pat ty Beli …..
Bel, sot, nën patronazhin tim po hap ekspozitën e dhimbjes.
Ekspozitë në galerinë e zemrës, orari i përhershëm.
Art klasik e modern i vuajtjes nga mungesa jote.
Të ftova në ekspozitë Bel, nuk erdhe, ngela vetëm, ikja jote nga kjo botë ma fali vetminë, po e ruaj si dhuratë nga ti.
Ti që shfaqesh në çdo ëndërr timen, personazh i ëndrrave të mija, nuk shfaqesh më në realitet edhe pse unë shoh imazhin tënd çdokund.
Po ekspozoj krijimtarinë dy mujore të plagëve që kur ike ti. Dromca kujtimesh po vë në pah.
Po ekpozoj fotografitë tua, po ekspozoj rrugët dhe momentet kur udhëtonim rrugëve të pafundme të lumturisë.
Ekspozitë dhimbjeje, duket ireale, por po ekspozoj realitetin e ëmbël të cilin ndër vite e jetuam.
Po ekspozoj sytë se ti ishe syri im, Bel.
Po ekspozoj zemrën se ti ishe zemra ime. Ishe vetë unë, isha ti.
Ishe gjysma ime tjetër, prandaj nuk arrij të pajtohem që nuk të kam.
Ballafaqimi me realitetin nuk ekziston për mua, për mua mbetesh i gjallë, përjetësisht i gjallë.
Të mbaj gjallë në kujtime, kujtimi yt jetoftë gjithmonë Beli im.”, ka shkruar ajo.
Aktori i njohur kosovar Blerim Peci, ka vdekur në mëngjesin e 9 dhejtorit në moshën 44 vjeçare, pas një problemi me mëlçinë që kishte./gazetametro.net