Ora gjashtëmbëdhjetë e së martës do të mbledhë në sallë plenare deputetët e Kuvendit në seancën për demarkacionin.
Rikthimi i Donika Kadaj Bujupit nga Vetëvendosja në AAK dhe sinjali pozitiv nga Adem Hoxha për votën pro, kanë bërë që pas shumë shtyrjeve, pushteti ta thërrasë seancën, raporton KTV.
Kryeministri Ramush Haradinaj e ka nisur ditën me një takim te presidenti, pikërisht për çështjen e demarkacionit.
Ndërkohë, deputetët e shumicës janë të bindur se votimi do të ndodhë të martën.
Votat janë të sigurta nga LDK-ja. Arban Abrashi thotë se LDK-ja nuk do të jetë bllokuese, përveç nëse ka marrëveshje të fshehta me Listën Serbe, që bien ndesh me kushtetutën.
Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu nuk do të besojë se vota e deputetes Donika Kadaj Bujupi do të jetë për demarkacionin.
Ajo thotë se është e dhimbshme nëse do të ndryshonte qëndrim Donika Kadaj Bujupi, që për rezistencën politike edhe ka dënim nga gjykatat.
E nëse pushteti ka blerë votat për demarkacionin, Albert Krasniqi i KDI-së kërkon hetime nga organet e drejtësisë.
Ndërkohë, Dardan Sejdiu, nga grupi i deputetëve të pavarur, ka thënë se qëndrimi tyre kundër është i qartë.
Por, me një propozim pritet të dalë të martën deputeti i PDK-së Nait Hasani.
Hasani nuk ka treguar nëse ka ndryshuar qëndrimin e tij, që ishte kundër, por ka thënë se të marrtën do të kërkojë që votimi të bëhet i fshehtë.