Loading…
E rikthyera në AAK tregon pse ndërroi qëndrim për demarkacionin
  • 21/03/2018 | 23:20

...

Donika Kadaj-Bujupi nuk thotë se vetëm ka sakrifikuar për qytetarët e Kosovës kur votoi për kalimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës. Ajo shprehet se prapa vendimit të saj për të votuar demarkacionin qëndrojnë edhe dy arsye të tjera: Raporti i Bulliqit dhe marrëveshja mes presidentëve.


“Raporti Bulliqi dhe marrëveshja e arritur megjithatë lënë hapësirë për përmirësimin e marrëveshjes së 2015-tës”, ka thënë Kadaj-Bujupi në një përgjigje me shkrim për Insajderin, teksa ka shpjeguar arsyet pse ndërroi e qëndrimit lidhur me demarkacionin.

“Edhe pse përgjatë tri viteve të fundit jam arrestuar dhjetra herë e kam dhjetra aktakuza, nevojat e mësiperme të popullit të Kosovës e veçanërisht mundësia e përmirësimit të gabimeve eventuale të marrëveshjes së re legjitimojnë këtë mundësi të re për zgjidhjen e problemeve që po e mbajnë peng me vite Kosovën”, ka thënë ajo.

Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje kishte kundërshtuar për tri vite marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi dhe homologu i tij malazez Sërdan Darmanoviq në vitin 2015.

Madje, tashmë deputetja e AAK-së kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar këtë marrëveshje. Për këtë i ishte shqiptuar edhe një dënim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, raporton Insajderi.

Por, Kadaj-Bujupi shprehet se “sot është një moment i ri”, e sipas saj, nuk është më koha për të përdorur gazin lotsjellës.

“Në retrospektivë, kemi parë se gazi asokohe e ka ndaluar marrëveshjen e dëmshme të demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Sot, jemi në një moment të ri”, deklaroi Kadaj-Bujupi. “Kosova sot ballafaqohet me probleme të shumta e shumë bazike”.

Pas tre vitesh bllokim në çështjen e kufirit me Malin e Zi, Kadaj-Bujupi thotë se ka ardhur koha që institucionet shtetërore të fokusohen në çështje të tjera; çështje të cilat prekin direkt jetët e qytetarëve.

“Tani që u ratifikua, megjithatë kemi hapësirë të vazhdojmë të merremi me temat të cilat prekin dhe kanë efekt të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve, pra në shëndetësi, arsim e punësim”, shprehet deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas miratimit të Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi, Kadaj-Bujupi komentoi edhe përparësitë që sjell liberalizimi i mundshëm i vizave për Kosovën, që kishte si kriter kryesor demarkacionin.

“Sportistët e studentët tanë edhe pse për nga cilësia e kapaciteti mund të konkurojnë me ata ndërkombëtarë, penalizohen prej pjesëmarrjes në evente të ndryshme për shkak të izolimit me të cilin vendi jonë përballet padrejtësisht”, tha Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi u largua nga Lëvizja Vetëvendosje javën e kaluar, pas përëarjes së kësaj partie në dy grupe. Një pjesë e madhe e deputetëve të VV-së u mblodhën bashkë në Grupin e Deputetëve të Pavarur, por ajo preferoi të rikthehej në partinë ku kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës së saj politike.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë