Loading…
Ekonomia e 2018’shit, mes dy ekstremeve
  • 14/01/2018 | 10:04

...

Ekonomia shqiptare në vitin 2018 i ngjan një molle të kuqe, që nga jashtë duket e bukur, por nga brenda krimbat po e bëjnë punën e tyre. Themi e bukur nga jashtë, pasi ndërtimi, fillimi i projekteve kapitale“OneBillion” dhe shërbimet e nxitura nga turizmi, së bashku me punimet që do tëvijojnë për projektin e gazsjellësit TAP, pritet që tënxisin rritjen edhe këtë vit, ashtu siç ndodhi nëvitin 2017.Turizmi do të nxisë tregtinë dhe konsumin. Eksportet pritet që të vazhdojnë rritjen me të njëjtat ritme si në 2017-n, të udhëhequra sërish nga tekstilet dhe materialet e ndërtimit e metalet. Edhe lajmet nga fqinjët janë pozitive, të paktën në 2018-n, Greqia pritet të rritet me 2.3%, sipas OECD dhe Italia me 1.5%, për t’u ngadalësuar një vit më pas.

Themi e kalbur nga brenda, pasi orientimi i dukshëm i kapitaleve në ndërtim, ndërsa gjallëron punësimin dhe zinxhirin e bizneseve që e mbështesin në afatin e shkurtër, nuk sjell rritje produktiviteti dhe nuk ndihmon zhvillimin afatgjatë. Përkundrazi, rendja drejt kullave rrezikon të krijojë një flluskë të madhe. Edhe investimi në turizmin e luksit është një thikë me dy presa, pasi nuk i përgjigjet kërkesës reale. Industria përpunuese, nga ana tjetër,është në prag mbijetese dhe hapja e tregjeve me rajonin pritet t’i japë goditjen finale. Konsumi mbetet anemik dhe rritet me ritme më të ulëta se ekonomia. Biznese të mëdha po mbyllen, të tjera janë në shitje.

Projekti “One Billion” ka rrezik të kthehet në një kosto të madhe që do ta paguajmë të gjithë në vitet në vijim. Eksportet vijojnë të jenë të mbështetura te kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore.

Molla do të vijojë të shkëlqejë edhe këtë vit, por sfida e vërtetë fillon në 2019-n, kur projektet e TAP dhe Devollit të kenë përfunduar tërësisht dhe ndërtimi të ketë filluar shfryrjen. Jo më kot, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur së fundmi parashikimet për rritjen ekonomike në vitin 2018 (nga 4.1% në 3.7%) si dhe pritshmëritë për kërkesën e brendshme dhe investimet bruto, në një sinjal se në afatin e mesëm, vendi do të ketë të vështirë të gjenerojë burime të reja të rritjes, pas përfundimit të projekteve të mëdha.

FMN është e shqetësuar gjithashtu për një “shthurje” fiskale të qeverisë, pas planeve të saj të mëdha për projektet e Partneritetit Publik-Privat. “Rreziqet më të mëdha për ekonominë janë një devijim i politikave qeveritare nga rruga e tyre aktuale, veçanërisht nga trajektorja fiskale dhe premtimet kryesore të reformës”, ka pohuar për “Monitor” përfaqësuesi i Përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Shqipëri, JensReinke.

Matteo Colangeli, drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Shqipërinë ka paralajmëruar në një intervistë për “Monitor” se është e rëndësishme që për një stabilitet afatgjatë, rritja të balancohet midis sektorëve dhe likuiditeti të drejtohet në sektorët konkurrues të ekonomisë shqiptare, sesa në projekte teorike të pasurive të patundshme.
“Shqipëria duhet të diversifikojë burimet e rritjes”, rekomandon Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri. “Dhe këtë mund ta bëjë duke ruajtur stabilitetin makroekonomik, duke përmirësuar klimën e investimeve (me një gjyqësor më efikas dhe program investimesh publike), duke reformuar sektorët e energjisë dhe të arsimit”.

Vetëm në kryeqytet, 300 milionë euro investime në ndërtime

Ka një orientim të dukshëm të kapitaleve të lira në sektorin e ndërtimit. Të dhënat e INSTAT treguan se për 9-mujorin 2017, lejet e ndërtimit në të gjithë vendin u dyfishuan dhe në Tiranë ishin pothuajse në trefishim.
Vetëm në kryeqytet pritet që investimet në ndërtim të arrijnë në rreth 300 milionë euro, sipas të dhënave indirekte të bazuara në pritshmëritë e Bashkisë së Tiranës për taksën e infrastrukturës (nga kjo taksë, qëështë 8% e vlerës së shitjes, pritet të arkëtohet një nivel rekord prej 24 milionë eurosh në 2018-n, sipas buxhetit zyrtar të kryeqytetit për vitin 2018, për të rënë më pas në vitet në vijim). Kjo shumë që pritet të fillojë të investohet këtë vit në kryeqytet është sa 2.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Krahas komplekseve rezidenciale, që shiten me çmime mesatare 800-1200 euro/m², për të cilat ka kërkesë, në Tiranë pritet të ndërtohen kulla shumëkatëshe, për të cilat të gjithë thonë se nuk ka treg, pasi po krijohet mbiofertë në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare. Apartamentet do të shiten me të paktën 2,000 euro për metër katror. Çdo vit, në Tiranë, shiten maksimumi 150 apartamente premium (të shtrenjta), ndërsa oferta pritet të rritet njëherësh me rreth 1000 të tilla. Pa folur pastaj për qendrat tregtare, të cilat edhe aktualisht janë në mbiofertë (kryeqyteti ka 235 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, duke ua kaluar edhe vendeve perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja). Ndërtuesit kanë paralajmëruar se mund të hapet një gropë që do t’i përpijë të gjithë dhe tregu mund të shkojë në kolaps.

Në janar, pritet të fillojë nga ndërtimi kullat Down Town Albania dhe Eyes of Tirana. Vetëm Down Town Albania është një investim prej 75 milionë eurosh.

Sokol Kika, nga Kika Construction, sjell në vëmendje dhe një dukuri tjetër në sektorin e ndërtimeve rezidenciale. Shtimi i lejeve të ndërtimit po rifut në treg kompani që kishin vite pa ndërtuar dhe nuk kanë likuiditet, duke rritur rrezikun e kleringut. Nga ana tjetër, po orientohen në ndërtim kompani që nuk kanë pasur përvojë më parë në këtë sektor, çka mund të çojë në investime të gabuara.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë