Loading…
Elvana Gjata sjell dokumentarin e saj, e para këngetare shqiptare me një format të tillë
  • 11/02/2018 | 09:45

...

‘Akustiku i parë që realizova para 4-5 vitesh, më pëlqeu shumë dhe doja të kishte një vazhdimësi. Por gjërat rrodhën shpejt, m’u desh të shkoja në Los Angeles ku nisa dhe punën për albumin tim të parë ndërkombëtar dhe e lashë këtë projekt-ide të flinte. Por ndërkohë që e lija të flinte, më mbante zgjuar për shumë net me radhë…’


Dhe pas netësh të tëra që projektonte ide në kokën e saj, takimesh e konsultash me më të mirët e industrisë, Elvana Gjata ka sjellë dokumentarin e saj të parë, një film i shkurtër i jetës së këngëtares në prapaskenë, puna, miqtë, familja, gjithë faza përgatitore e koncertit të dytë akustik pas një pushimi 5-vjeçar dhe promovimi i gjashtë këngëve të reja të albumit akustik titulluar “3, Live Sessions”.

Albumi i titulluar ‘3’, ka marrë këtë emër falë lidhjes së fortë shpirtërore të Elvanës me këtë numër.“3 është numri im i fatit, 3 është ditëlindja ime, 3 është dita e koncertit, 3 është numër hyjnor, pasi unë besoj në Zot dhe 3 është pallati i prindërve të mi, ku unë jam rritur.”

Dokumentari, po ashtu i quajtur ‘3’, produksion i EMM (East Music Matters), është bërë me ndihmën e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Elvanës: Dalina Buzi, producente dhe skenariste, është kujdesur për drejtimin e të gjithë projektit televiziv, Erion Bubullima regjisor, Andi Gramo, menaxheri i saj ka qenë dhe këshilltari më i ngushtë gjatë këtij rrugëtimi dhe stilisti Valdrin Sahiti vijoi të ishte krahu i djathtë i saj edhe në këtë nismë.

Skenografi Albi Çifligu, drejtor fotografie Shpëtim Baça dhe Florind Tenolli, grimi dhe flokët nga Sellma dhe Kaçi, dhe të tjerë profesionistë kontribuan në krijimin e këtij koncerti dhe dokumentari unik në llojin e tij në Shqipëri.

Në dokumentar Elvana shfaqet në një prizëm më personal dhe gjithçka rrëfehet nga këndvështrimi i saj. Kjo është padyshim herë e parë që një artiste shqiptare i flet kaq afër publikut, por është dhe një hap shumë i madh në zhvillimin e Elvanës si artiste, që ka ruajtur gjithnjë një profil të ulët dhe është treguar shumë e rezervuar me daljet e saj në publik.

Në filmin e shkurtër transmetuar ekskluzivisht në Top Channel, tregohen përgatitjet për ‘koncertin sekret’ që u zhvillua në ish-hotel Sheraton ditën e ditëlindjes së Elvanës (3 shkurt). Puna intensive nisi 30 ditë më parë dhe është filmuar hap pas hapi deri në finalizim dhe shfaqjen para 100 të ftuarve specialë, që për Elvanën ishte dhe momenti më i rëndësishëm.

“Mund të them që kam dhënë shpirtin tek këto këngë, qoftë tek tekstet që kam shkruar, qoftë në bashkëpunim, në kompozim. Por unë mendoj që më i rëndësishëm në fund të ditës është interpretimi live.”

Asnjë detaj i këtij projekti madhështor nuk ka kaluar pa miratimin e Elvanës. Mes përpjekjeve për të ruajtur shëndetin dhe zërin në formën më të mirë për natën e madhe, zgjedhjeve të fustanit apo grimit, Elvana ishte aq e përfshirë, sa thuajse kishte ndaluar së jetuari.“Kur jam në punë kam një energji, një adrenalinë, që më mban motorët ndezur gjatë gjithë kohës. As nuk ha, as nuk pi, as nuk fle. Dhe ndonjëherë mendoj se të gjithë janë kështu si unë, as nuk hanë, as nuk pinë, as nuk flenë.”

Por suprizë, të tjerëvë u hahej dhe u pihej dhe u flihej kur i kapte mesnata ende duke xhiruar.

Megjithatë diçka e tillë ishte e nevojshme, për të mirën e të gjithëve, që në fund të arrihej rezultati që të gjithë kërkonin të arrinin. Synimi nuk ishte për të kaluar diçka tjetër të ngjashme, sepse diçka tjetër të ngjashme nuk kishte, sfida e vërtetë ishte me veten, jo vetëm e Elvanës por e gjithë personave të përfshirë në krijimin e këtij dokumentari që do t’i shtohet portofolit artistik të Elvana Gjatës dhe secilit prej tyre.

 

 

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë