Administrata Tatimore e Kosovës, është duke zbatuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.
Ky Ligj është në fuqi vetëm deri më 1 shtator 2017, andaj subjektet që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas këtij Ligji, këtë të drejtë mund ta realizojnë vetëm deri me këtë datë, rikujton JKP në një shkrim të sotshëm të saj.
Të gjithë personat fizikë dhe juridikë (përveç ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit), të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara nga ATK për faljen e këtyre borxheve.
Për të përfituar nga falja e borxheve ndaj ATK-së, tatimpaguesi duhet: Të kryej pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) për periudhën nga 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014, ose të lidh marrëveshje me ATK, për pagesën e borxheve me këste, për periudhën 01 Janar 2009 deri me 31 Dhjetor 2014.
Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar deri më 1 shtator 2017, do të përfitojnë nga falja e borxhit.