Filmi i metrazhit të shkurtër “Bisedë për jetën” me skenar të Agim Morinës dhe regji të Agim Abdullah është një dramë psikologjike.
Ky film tashmë do të jetë në mesin e garuesve botërore në Festivalin e filmit në Agadir, Marocco. Për një gjë të tillë ka njoftuar producent i filmit Bunjamin Kurtishi i cili është shprehur shumë i lumtur.
“Pas ftesave të shumta, sot na erdhi edhe një lajm shumë i rëndësishëm. Filmi “Bisedë për jetën” do të jetë në mesin e garuesve botërore në Festivalin e filmit në Agadir, Marocco. Urime gjithë stafit me të cilët punuam bashkë në këtë projekt. Ky është Festivali i 6-të ndërkombëtar, ku selektohet filmi në fjalë”, ka shkruar Kurtishi.
“Bisedë për jetën” prezanton jetën e një poeti kinse të njohur shqiptar, i cili si pasojë e një ngjarje dashurie të dështuar në rini, në moshë të shtyrë heq dorë nga gjithçka dhe vjen deri në prag të vetëvrasjes.
Vajza e cila e kishte sjellë në këtë gjendje ishte Anita, ajo vinte nga Kërçova por që kishte studiuar në Spanjë dhe kjo ndodhë në vitin 1976. Nipi i Vullnetit, si një djalë i mençur, kur shkon në fshat e gjen gjyshin në një situatë shumë të rëndë dhe duke dashur të gjejë një zgjidhje ai bënë gjithçka që ta shpëtojë gjyshin dhe ta rikthejë në jetë, është boshti i rrëfimit të këtij filmi.
Këto personazhe vijnë nën interpretimin e aktorit Dibran Tahiri, i cili luan Vullnetin plak, ndërsa aktori Burhan Amiti interpreton Vullnetin në rininë e tij. Në film luajnë edhe Qëndresa Loki, Elmir Sejfullai, Besfort Idrizi dhe Agan Abdulla.
Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme, por edhe duke u rikthyer në kohë, në vitin 1976. Filmi është xhiruar në tre lokacione, në Tetovë, në Shkup dhe në Kërçovë.