Loading…
Fitimet marramendëse të të rinjve nga Velesi përmes lajmeve të rreme për Trumpin (Foto)
  • 13/09/2017 | 14:56

...

“Veseli i Maqedonisë dikur prodhonte porcelan për tërë Jugosllavinë, por tani prodhon diçka tjetër – lajme të rreme”. Kështu e nis rrjeti televiziv amerikan, CNN, raportin special për shpërndarësit e lajmeve të rreme që veprojnë nga qyteti i vogël i Velesit në Maqedoni, transmeton Gazeta Metro.


“Nga ky qytet i vogël i Maqedonisë veprojnë shumë persona që përmes internetit shpikin lajme totalisht të rreme dhe marrin para duke tërhequr vëmendjen e amerikanëve”, shkruan CNN.

Lajmet e rreme u bënë më së shumti të famshëm gjatë fushatës së Donald Trump në Amerikë, kur edhe lulëzuan aktivitete të tilla. Nga Velesi vepronin rreth 100 sajte që shkruanin në të mirë të Trumpit dhe lexoheshin në Amerikë.

24 vjeçari që paraqitet me emrin Mikhail thotë se tash ai po përgatitet për zgjedhjet e vitit 2020. Ai nuk mërzitet fare nëse lajmet që ai shpërndan janë të rreme.

“Nuk mërzitem sepse njerëzit po lexojnë. Sa isha 22 vjeç po fitoja më shumë para se sa fiton një person në Maqedoni tërë jetën”, thotë ai, teksa pretendon se kishte fituar 2500 dollarë për një ditë, ndërsa në Maqedoni rroga mesatare është 400 euro.

Mikhail thotë se e ka blerë një shtëpi, kurse njeh njerëz në Veles që kanë blerë vetura luksoze nga ky ‘biznes’. Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë maqedone thotë se do të marrin masa që ta ndalojnë këtë aktivitet.

“Do të marrim iniciativë që përmes një ofensive globale të ndalojmë lajmet e rreme”, thotë Mile Boshnjakovski. Por, njëjtë nuk mendon edhe kryetari i Komunës së Velesit, Slavcho Chadiev.

“Kjo (lajmet e rreme) janë mënyra jonë për të bërë shumë para, shpejt”, thotë Chadiev. “As që po mundohemi t’i ndalojmë”.

Vet Hillary Clinton personalisht kishte dënuar veprimtari të tilla, duke thënë që lajme të tilla po vijnë nga Velesi dhe duke sugjeruar që ata mund të jenë duke punuar bashkë me rusët.

Google dhe Facebook kanë marrë masa që të ndalojnë shpërndarjen e lajmeve të rreme përmes faqeve të dyshimta, por veprimtaria duket se kërkon më shumë përpjekje edhe nga qeveritë vendase. /gazetametro.net

Titujt e lajmeve të rreme

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë