Loading…
Fjalët e Ismail Kadaresë që tregojnë huqjen e Haradinajt dhe Thaçit
  • 29/01/2018 | 21:29

...

I thurën lavde e fjalë të mëdha. I dëshiruan shëndet e lumturi, por mbi të gjitha rëndësi i dhanë lutjes për vazhdimin e ‘krijimtarisë artistike’.


Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj u ndjenë të ngazëllyer që kishin takuar shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadare, dhe me fotografitë që ata kishin nga takimet, ia uruan dje ditëlindjen, shkruan gazetametro.net.

Dy liderët shtetërorë i thurën fjalë të mëdha veprës së Kadaresë duke u lutur më pas që këtë art të vazhdonte ta krijonte. Mirëpo, që të dy liderët, kishin harruar se Kadare kishte hequr dorë nga letërsia artistike qe më shumë se 7 vjet.

Ishte intervista e vitit 2011 ku Kadare kishte potencuar se i ka thënë bashkëshortes se nuk do të bënte më art me letërsi.

‘Po ia kam thënë’, thotë shkurt Kadare. Pas kësaj, Blendi Fevziu e pyet se a është e vërtetë që nuk do të shkruajë më, ndërkohë që Kadare konfirmon.

‘Është e vërtetë. Kam thënë nuk do të shkruajë letërsi artistike. Unë mund të shkruajë eseistikë a ku di unë, por romane jo’, ka thënë Kadare, duke shtuar se nuk e ka më në qejf.

Se liderët shtetërorë ia huqën me urime, e thotë edhe shkrimtari kosovar Azem Deliu, i cili njihet si njohës i madh i veprës së Kadaresë. Madje ai bën një krahasim interesant kur flet për urimin ndaj tij.

‘Kadareja është tërhequr nga letërsia artistike prandaj, t’i urosh atij vepra të reja artistike, është sikur t’i urosh Luan Krasniqit tituj të rinj në boks’, ka thënë ai për gazetametro.net.

Deliu konfirmon se Kadare është tërhequr nga krijimtaria artistike që nga 2011, duke sjellë nga kujtimet edhe një bisedë telefonike me të.

‘Tërheqjen nga letërsia artistike, që krijoi një zhgënjim jo të vogël për lexuesin, Kadare e kishte deklaruar në 2011. Madje ishte treguar i prerë që të mos bënte përjashtime (siç kishte bërë në 2005 pas tërheqjes nga poezia, të cilën nuk e mbajti).Në 2013, pasi një televizion shqiptar e kishte deklaruar rikthimin e tij në krijimtari, tërë vrull e kam marrë personalisht në telefon duke shpresuar që ky ishte një lajm i vërtetë, por ai e quajti “shaka të padëmshme” të mediave’, ka treguar Deliu.

Ndryshe, Kadare dje mbushi 82 vjet, ndërkohë që urimi i të parit të Qeverisë thoshte se ‘dëshiroj që lexuesit t’i japësh ende perla nga arti Yt i madh letrar’, ndonëse Kadare ka thënë se s’do të jap më asgjë nga arti./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë