Loading…
Fundi i andrrës – kthehemi në realitet
  • Nga

  • RRAHMAN PAçARIZI

  • 16/07/2018 | 10:23

...

Na ndihemi të vegjël, prandaj s’kemi me u rritë; ne ndihemi të uritur, prandaj kurrë s’kemi me u ngopë. Në një vend ku hajni e krimineli janë “t’qimë nane” s’ka shpresa.

Mondiali 2018 u kry. Krejt e kemi ditë që fiton Franca. Edhe ia kemi uru Francës, ashtu siç e kemi uru secilin ekip që ka fitu. Të gjitha rezultatet i kemi ditë, edhe pse s’kemi kallxu praprakisht. Kemi pasë arsye sigurisht. Edhe gjatë kampionatit jemi sjellë si të varfër – kemi prognozu e kemi analizu me shumë pasion, si bastexhinj. Kemi pa edhe shumë andrra – kemi pa një andërr të gjatë, njëmuajshe. Më 17 qershor, arrita herët në aeroportin e Gdanskit, në Poloni. Për pak minuta aeroporti u mbush me tifozë kroatë. Desha të afrohem dhe ta ndaj me ta gëzimin që një natë më parë kishin barazu me Brazilin në Kaliningrad, por nuk kishte kuptim të afrohesha, pasi ata nuk dukeshin të lumtur – kishin synu fitoren. Janë vetëm dyfish më pak se ne kosovarët. Janë më pak se ne shqiptarët. Janë çliru më pak se dhjetë vjet para nesh, por gjatë kësaj kohe janë kampionë e nënkampionë në kampionate botërore e olimpike në vaterpolo; dy herë fitues të medaljes së artë në hendboll, ku dy herë ka qenë nënkampion bote; e në basketboll janë të respektuar pasi kanë disa medalje argjendi e bronzi, ndërsa në futboll kanë një vend të tretë dhe një të dytë në kampionate botërore. Kroatët janë të njohur edhe në sportet individuale, si në tenis, ski e atletikë. Pra, në sport, Kroacia është një emër i respektueshëm. Janë vetëm 4 milionë dhe vend i sapodalë nga një luftë shkatërruese. Shqipëria më 2012 e ka kremtu 100 vjetorin e pavarësisë, e për herë të parë ka mbërri me u kualifiku në Kampionatin Europian të futbollit më 2016.

Sidoqoftë, përgjatë një muaji, ne kosovarët kemi pa një andërr të bukur, nga e cila edhe mund të mësojmë. Kemi pa se ne shqiptarët nuk jemi të ngecur mendërisht e fizikisht – Era Istrefi e hapi dhe e mbylli kampionatin botëror dhe kënga e saj jehoi përditë, disa herë në ditë në gjithë botën, ku u ndoq kampionati, jehoi edhe në Rusinë që e përjetojmë armiqësisht, për shkak të qasjes së saj proserbe e antikosovare; Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemajli na dhanë spektakël dhe e mposhtën keqas Serbinë, pikërisht në Rusi, na bënë krenarë kur dhanë golat dhe festuan duke bë shqiponjën – ndoshta pak patriotizëm primitiv, por tifozllëku nuk shquhet për arsye, por për emocione, e ata djem na dhanë emocione. Edhe Januzaj dha një gol – për Belgjikën. Ai nuk e bëri shqiponjën dhe ne e shamë. E shamë, sepse kur u pyet pse nuk kishte pranuar të luante për Anglinë, tha “unë jam belg dhe luaj për Belgjikën”. E shamë, e s’lamë gjë pa i thënë, ashtu siç i shamë, e s’lamë gjë pa u thënë, edhe Shaqirin, Xhakën e sidomos Behramin, pse luanin për Zvicrën e jo për Shqipërinë, ndonëse disa herë kishin tregu se Duka u kishte kërku ryshfet. Ani çka? A nuk është ryshfeti legal te ne? Ryshfeti është i dënueshëm, por është për shuma të vogla. Sipas Shaqirit, Duka ka lypë shumë të madhe, prandaj na si komb e shajmë Shaqirin, pasi Duka s’ka dalë jashtë standardeve që me u dënu. Andrrën tonë të Mondialit, pra, e pamë përmes shqiptarëve të mërgatës, përmes Erës që është produkt krejt vendor, madje me një background familjar pikërisht nga muzika e arti përgjithësisht. Edhe Erën e patëm sha ngapak. Ndërkohë, një pjesë të andrrës e pamë edhe përmes Kroacisë, qoftë duke e pa si armik të armikut, qoftë duke e jetu andrrën ballkanike dhe andrrën e kombit të vogël, pra duke pa një mundësi aty.

E, tash që andrra ka marë fund, e vera është në kulmin e saj, e moti duket se po hapet, qytetarëve të Kosovës u shtohen ambiciet me lëvizë, por s’ka viza. Na mjafton Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Ulqini… me ndonjë kredi të vogël, edhe Vlora, Dhërmiu, Jali, Saranda e Ksamili, e me një kredi njëvjeçare shkojmë edhe në Turqi. Për tjetërkund nuk kemi viza. Me kaq mer fund andrra jonë. Me kaq e shohim se sa vlejmë, se si na shohin të tjerët, se sa të tjerët ndihen rehat me ne. Evropa po na tradhton edhe një herë, apo ne po e tradhtojmë vetveten. Me çka kemi meritu me pasë liri të lëvizjes dhe mos me u verifiku nëpër ambasada pas pritjesh disamuajshe për termine për një vizë ndoshta treditëshe deri në Hungari a njëjavëshe për Slloveni? Me votimin e demarkacionit? Apo me luftën kundër korrupsionit.

Tash, nëse ne nuk mund të shkojmë në Evropë, Evropa vjen te na. Na vijnë shacat e knaqemi me dasmat që i caktojmë një vit më parë. Brenda një muaji martohet e gjithë Kosova dhe pastaj presim edhe një vit tjetër, deri sa rrobave të blera një vit më parë u del moda. E këngëtarët e tallavasë që paturpësisht e quajnë veten artistë veten artistë nuk shkojnë në dasmë pa 4 mijë euro për një natë – artista pra.

E shacat tash janë turistë në Kosovë – nuk na lënë më pare “cash”. Ne nuk i duam të tillë, ne nuk perpiqemi me i bindë që të investojnë në Kosovë, se neve na duhen paret e thata, na duhet keshi, për me ble produkte të Serbisë. Neve na duhen shacat që na e thajnë keshin, e si kundërshpërblim na i dojmë shumë. Shacat që po e humbin identitetin nuk i dojmë. Ata s’na bijnë pare kesh ku na kishim me u shkrry qysh jemi shkrry deri tash. Shacat po e humbin vërtet identitetin e identiteti i tyre, sipas nesh, ka qenë me na pru pare vlla, me na ndërtu naj shtëpi të re, naj kerr të cilit i ka grah veç nji plakë…

Një muaj e kemi shty me futboll, një muaj e diçka na mbetet për dasma e për deti. Edhe shteti ka qenë i zënë me futboll, e tash me deti e me dasma. Dasmat nuk bëhen pa politikanë – kush ka me qitë me alltia, nëse s’janë ata – ne të tjerët s’dijmë me qitë me allti.

Eh, botërori që unë nga fëmijëria kam qejf me i thënë Mondial ka marë fund, e me të edhe andrrat. Fadil Vokrrin s’e kemi më që të na çojë përpara në futboll. Ai është shembull se si një profesionist mund të bëjë më së miri në fushën e tij. Kqyrini ministrat – sa prej tyre janë profesionistë të fushës që e drejtojnë? Vetëm disa nga 21 të tillë.

E na? Na ndihemi të vegjël, prandaj s’kemi me u rritë; ne ndihemi të uritur, prandaj kurrë s’kemi me u ngopë. Në një vend ku hajni e krimineli janë “t’qimë nane” s’ka shpresa.

Tung e bofshit!

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë