Televizioni T7 i ka hyrë arkivës së gazetës së dikurshme kosovare Rilindja, gjegjësisht në vitin 1989, pak para se të prishej Jugosllavia, për prishjen e së cilës më meritori ishte Slobodan Milosevici, me pretendimet e tij serbo-mëdha.
Kryeredaktori i atëhershëm i Rilindjes, Beqir Hoti, në dhjetor të vitit 1989, vetëm disa muaj pasi Kosovës i ishte hequr autonomia, kishte udhëtuar drejt Beogradit, për ta paraqitur Milosevicin si shpëtimtarin e Juosllavisë, e po ashtu edhe të Kosovës.
Për kryeredaktorin Hoti, nuk paraqiste fare problem se pikërisht nën urdhrat e Milosevicit, i cili tashmë ishte zgjedhur kryetar i Serbisë, Kosovës i ishte marrë autonomia e 74’shit, e fituar në po këtë vit, kur shteti prej gjashtë republikave socialiste drejtohej nga Josip Broz Tito.
Televizioni T7 në këtë kronikë, thotë se kryeredaktori Hoti, me shumë qejf do ta zhdukte këtë kopje të gazetës ku ai interviston Milosevicin, personin që më vonë me urdhrat e tij u vranë shumë shqiptarë dhe e paraqet si kryetarin e Serbisë, “republikë e barazisë për të gjithë”.
Në këtë intervistë përveç tjerash Milosevic, shfaq shqetësimin se shqiptarët po shtohen shumë. Ai thotë se Kosova në të cilën shumica janë shqiptarë, përballet me natalitet të lartë, dhe kësaj gjendje duhet t’i gjendet zgjidhje. /gazetametro.net