Loading…
Gjykata e Lartë kroate merr vendimin, ja çfarë do të ndodhë me Ballistin
  • 12/08/2017 | 19:20

...

Gjykata e Lartë e Kroacisë ka vendosur të kthejë për shqyrtim nga e para çështjen për ekstradimin në Serbi të Ismail Morinës, personit që ngriti dronin në mes të stadiumit të Beogdarit.


Vendimi është marrë dje nga gjykata kroate, duke bllokuar për momentin çdo vendim për ekstradimin e tij pas kërkesës së Serbisë.

Sipas avokatit të Morinës, kontaktuar nga BW, duhet të pritet se çfarë do të vendosë më tej gjykata e shkallës së parë, e cila do të bëjë rishqyrtimin e dosjes.

Kujtojmë se pala shqiptare nisi negociatat zyrtare me shtetin kroat, lidhur me këtë çështje, duke i numëruar gjithë arsyet se përse Ballisti nuk duhej të ekstradohej në Serbi.

Edhe kryeministri Edi Rama pati komunikim me homologun kroat për këtë çështje, kur ministri i Drejtësisë iu drejtua zyrtarisht shtetit kroat me një letër për mosekstradimin e Morinës.

Kerkesa e drejtesise shqiptare

“Me lejoni që në vijim të komunikimit mbi shtetasin shqiptar Ismail Morina, subjekt ekstradimi nga Kroacia në Serbi, në lidhje me shqetësimin dhe dyshimin e keqpërdorimit nga autoritetet serbe për qëllime politikë të rastit të ekstradimit të këtij shtetasi, të argumentoj bindjen tone sa vijon; ne konsiderojmë se ka arsye të bazuara për refuzimin e ekstradimit të Ismail Morinës. Vepra penale “nxitja e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare, për të cilën gjykata e Shkallës së Parë së Dubrovnikut, ka vendosur ekstradimin e Morinës në Serbi, të dyshuar si të kryer gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri, ka elementë të mjaftueshëm për tu cilësuar si vepër politike”.

Gjykata e Arbitrazhit të Sporteve Gjenevë, në vendimin CAS 2015 /A/3874 me datë 10 korrik 2015, i referohet gjithë ngjarjes që fillon me kërcënimet para fillimit të ndeshjes, me thirrjet politike gjatë kohës që luhej himni shqiptar duke shpalosur dhe banerat me parullat “Vrisni, Vrisni Shqiptarët” dhe “Vrisni Shqiptarët, derisa të shfarosën” si dhe shenja e flamuj të paligjshëm. Në një kohë këto reagime politike antishqiptare vijuan duke u shoqëruar me incidentet fizike deri në ndërprerjen e ndeshjes.

Pas analizës së hollësishme të provave filmike dhe dëshmive të palëve, kjo gjykata konkludoi se “përsa i përket natyrës së shkeljeve,….duke përfshirë….të gjithë incidentet që kanë ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes së mësipërme, nuk ishin me natyrë nacionale apo ksenofobike, por janë të bazuara në arsye politike. Nga ana tjetër, deklaratat politike të drejtuesve të Serbisë deri në kufi të fushatës antipolitike shqiptare, gjatë gjithë periudhës së shqyrtimit gjyqësor të çështjes, përforcuan bindjen gjyqësore se elementët politikë janë në këtë ngjarje”.

Më tej, Bardhi argumenton se nëse Morina ekstradohet në Serbi, atje do të përndiqet dhe jeta e tij do të jetë në rrezik.

“Ne kemi bindje, mbi bazën e provave sa vijon, se jeta e Ismail Morinës rrezikohet nëse ekstradohet në Serbi. Kërcënimet ndaj Ismail Morinës janë publikuar në kuadrin e sensacionit, edhe nga mediat, qoftë media e shkruar ashtu dhe elektronike. Gazeta Kurir ka botuar vazhdimisht opinione të ndryshme për Ismail Morinën, një pjesë e të cilave janë kërcënime të pastra për jetën e tij. I referohemi lajmit kërcënues postuar me datë 5 dhjetor 2014, sipas të cilit një biznesmen serb që jeton në Cikago të SHBA i ka premtuar 1 milion euro personit që siguron autorin e lëshimit të dronit në fushën serbe të futbollit. Portali Sportal.al ka zbuluar bisedën që është bërë mes disa huliganëve serbë, duke planifikuar se si do të hakmerren ndaj Ismail (Ballist) Morinës”.

Në përfundim Bardhi, duke shprehur konsideratë per homologun dhe duke vënë theksin tek marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, i kërkon Drazen Boshnjak, të refuzojë ekstradimin e Ballistit drejt Serbisë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë