Loading…
Gjyqtarët e Kushtetueses i rritën rrogat e tyre për 1 mijë euro
  • 13/06/2018 | 15:54

...

Gjashtë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese Arta Hajrizi, Ivan Cukaloviq, Altay Suroy , Snezhana Botusharova, Selvete Gërxhaliu dhe Gjyqtari raportues Bekim Sejdiu me aktgjykimin pro vendimit të Ramush Haradinajt për rritjen e pagave, kanë vendosur edhe pro rritjes së pagave të tyre. Vetëm dy nga ta kanë kundërshtuar aktgjykimin, portugezi Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani. Avokati Besnik Berisha thotë se paga e tyre, e cila sipas llogarive mund të shkojë deri në 4 mijë euro, do t’iu rritet me automatizëm.


Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosjes se në vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave ka pasur shkelje. Ky institucion ka konsideruar se nuk ka pasur prova bindëse nga parashtruesit e lëndës për t’i mbështetur pretendimet e tyre.

Kësisoj, Kryeministri Haradinaj do ta merr pagën mujore 2950 euro, nga 1500  sa e kishte më herët. Ngjashëm do të marrin pagë me rritje edhe vartësit e tij, përjashto këtu vetëm zëvendësministrat.

Por, konstatimi i Gjykatës Kushtetuese është  po aq i favorshëm edhe për sistemin gjyqësor. Rritja e pagave të Qeverisë reflektohet automatikisht edhe te pagat e prokurorëve e gjyqtarët. Por, as vet institucioni që mori këtë vendim nuk do të mbetet keq. Kryetari Gjykatës Kushtetueses dhe gjyqtarët e kësaj gjykate do të marrin paga më të larta si pasojë e këtij vendimi.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë për Gazetën Express, se vendimi për pagat mbetet në fuqi dhe se Gjyqtarët dhe prokurorët  do kenë pagat më të dinjitetshme në rajon. “Presim edhe shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ministri e konfirmoi se rritja e pagave do t’i prek edhe ata të Gjykatës Kushtetuese. Por kundër vendimit të Kushtetueses, ishin deklaruar dy gjyqtarë që ishin pjesë e kolegjiumit.

Gjyqtarët Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani janë distancuar nga ky vendim duke thënë se respektojnë vendimin e shumicës se Gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese megjithatë, thonë se nuk mund të pajtohen me të, për shumë arsye që i kanë cekur në mendimin e përbashkët mospajtues publikuar në faqen e Kushtetueses.

Avokati dhe ish- këshilltari i Isa Mustafës, Besnik Berisha, këtë vendim të Kushtetueses e ka quajtur përfitim personal, duke vendosur secili për interes vetjak.

“Rritja e pagave të Kushtetueses rregullohet me ligj të veçantë, por nuk ka asnjë logjike tani që rritja të mos i përfshin dhe ata. Do zbatohet përshtatshmërisht. Këta janë me automatizëm të përfshirë në këtë rritje. Ne fakt këta kane vendosur për pagat e vetes po ashtu”, ka bërë të ditur Berisha.

Ai thekson se po bëhen zinxhir shkeljesh gjithandej, të gjithë duke vendosur për veten, duke mos e  përfillur interesin e shtetit.

Me vendimin e ri prokurorëve e gjyqtarët do të paguhen nga 1400 deri në 3 mijë euro. Paga më e lartë do t’i takojë Kryetarit të Gjykatës Supreme, që do të jetë ekuivalente me atë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, 2950 euro.  Paga e  Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme do të ishte ekuivalente me atë të një ministri në Qeveri, e cila i bie të jetë 2000 euro.

Edhe Kryetari i Gjykatës së Apelit do të marrë një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, pra ekuivalent me një pagë të ministrit, 2 mijë euro. E Kryetari i Gjykatës Themelore do të pranonte një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq, sipas një neni, Paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë më e madhe sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, që i bien diku 3900.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë