Loading…
Haliti flet pas akuzave të Shkumbin Mehmetit për vrasjet e pasluftës
  • 13/01/2018 | 12:51

...

Tri familje nga rajoni i Dukagjinit, Zemaj, Tolaj dhe Haklaj, familjarët e të cilave janë vrarë në fillim të dekadës së kaluar në rrethana ende të pasqaruara, kanë deklaruar dje se janë të tronditura nga dëshmia televizive që të enjten mbrëma dha Shkumbin Mehmeti, një i dënuar për pjesëmarrje në një vrasje në rrethinën e Podujevës, në vitin 2004, shkruan “Zëri”.


Shkumbin Mehmeti ka folur në “Klan Kosova” për një grup kriminal, në të cilin thoshte se ka bërë pjesë e për të cilin tha se ka dorë në shumë vrasje të pasluftës në Kosovë.

Ndër vrasjet që i përmendi Mehmeti janë edhe ato të Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt e Isuf Haklajt, të vrarë në dy raste të ndryshme në rrethinën e Pejës, në vitin 2003.

Ai po ashtu ka thënë se ishte planifikuar edhe vrasja e Xhavit Halitit, tashmë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas këtyre deklaratave ky ka kërkuar që institucionet e drejtësisë t’i fillojnë hetimet.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, emri i të cilit u përmend se kishte qenë në listë për likuidim, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse drejtësia kosovare nuk është e manipuluar, atëherë nuk do të duhet t’i anashkalojë këto deklarata.

“Nëse ka institucione të drejtësisë, ato duhet të merren me këtë rast. Nëse ka drejtësi të manipuluar, nuk merren me këtë punë. Me rëndësi është që duhet t’i ndriçojë të gjitha rastet dhe t’i dënojë fajtorët”, ka thënë Haliti për “Zëri”.

Ai ka deklaruar se nuk e ka njohur më herët Mehmetin.

“Unë nuk e di e as nuk e njoh Shkumbin Mehmetin, as asnjë prej atyre që ka folur, kështu nuk mund të them asgjë për ata si njerëz”, ka theksuar Haliti.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë