Loading…
Haradinaj zotohet se do të përmirësojë pjesëmarrjen e gruas në institucione (Foto)
  • 14/09/2017 | 11:31

...

Agjencia për Barazi Gjinore ka bërë sot lansimin e komentarit për Barazi Gjinore, i cili ka për qëllim lehtësimin, sqarimin dhe përshpejtimin e procesit të arritjes së barazisë gjinore në Kosovë. Me këtë rast i pranishëm ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai shprehi keqardhje për mungesën e grave në ekzekutiv, mirëpo tha se kjo gjë nuk paraqet problem që në mandatin e tij të punojë seriozisht për përmirësimin e pozitës së gruas, shkruan Gazeta Metro.


Kreu i AAK-së i cili bëri edhe hapjen e takimit u zotua se do të punojë për të drejtën e gruas, duke e vlerësuar tutje këtë komentar si një kontribut në familjarizimin e shoqërisë lidhur me këtë çështje.

“Rëndësia e barazisë gjinore do të jetë sfidë e gjatë për ne. Disa zhvillime inkurajuese kanë ndodhur mirëpo e dimë që ende ngecim si Kosovë në këtë aspekt. Arsyet pse ngecim janë të shumta, disa prej tyre janë në kapacitetin tonë që t’i trajtojmë, që të mos ngecin. Bazuar në normativën ligjore shprehi gatishmërinë time që të përkrahi femrën në barazinë gjinore, të drejtën e femrës në të gjitha ato tema që janë me rëndësi”, tha Haradinaj.

Përveç kryeministrit në panel ishin edhe; autori i këtij komentari Haxhi Gashi, kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, nga Gjykata Kushteutese Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si dhe avokati i popullit Hilmi Jashari.

Të lartcekurit shprehën gatishmërinë e institucioneve që përfaqësojnë për përparimin e rolit të grave në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit.

Edi Gucia kërkoi zbatimin e mirëfilltë të ligjit për barazi gjinore, sidomos kur është fjala për të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi.

“Ligji specifikon dhe garanton barazi gjinore për një shoqëri më të avancuar – por duhet të gjejë më shumë zbatim sidomos në të drejtat e grave në trashëgimi”, u shpreh Gucia.

Ndërsa Gërxhaliu në fjalën e saj tha se barazia gjinore është pjesë e rendit kushtetues dhe si e tillë meriton trajtimin dhe respektimin e duhur.

Avokati i popullit tha se po punojnë lidhur me verifikimin e pengesave që has zbatimi i ligjit për barazi gjinore, duke përmendur tutje disa probleme të cilat janë të pranishme lidhur me terminologjinë e përdorur në këto raste.

Komentari ka qëllim të lehtësimit, sqarimit dhe përshpejtimit të procesit të avancimit dhe të zbatimit të drejtësisë arritjes së barazisë gjinore dhe marrjes së vendimeve adekuate nga ana e institucioneve relevante në frymën e parimeve themelore të drejtave të njeriut, parim ky i paraparë edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë