Loading…
Helmet e rusëve që vrasin për 8 sekonda
  • 13/03/2018 | 12:39

...

Një ish-spiun rus dhe vajza e tij u helmuan me një agjent kimik, që njihet si gazi nervor Novichok.


Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia mbeten ende në gjendje të rëndë pas tentativës për t’i vrarë në Salisbury, Britani, më 4 mars. Lloji i lëndës kimike u identifikua më pas në laboratorët e Porton Down-it.

Po çfarë janë agjentët Novichok?

Emri i tij në rusisht ka kuptimin hyrje e re dhe u referohet një grupi gazesh nervore të zhvilluara në Bashkimin Sovjetik të viteve ’80-’90.

Këto gaze njihen ndryshe si armët kimike të gjeneratës së katërt dhe janë zhvilluar në kuadër të programit sovjetik të koduar “Foliant”.

Në vitin 1999, zyrtarë amerikanë të mbrojtjes udhëtuan në Uzbekistan për të ndihmuar në shkatërrimin e një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të armëve kimike të ish-Bashkimit Sovjetik.

Sipas njërit prej tyre, rusët e kanë përdorur këtë fabrikë për të prodhuar dhe testuar gazet e llojit Novichok, agjentë nervorë të krijuar enkas për t’u shpëtuar kontrolleve të inspektorëve ndërkombëtarë.

Një prej gazeve të këtij grupi, pikërisht A-230, raportohet se është 5-8 herë më toksik se agjenti nervor VX apo sarina. Duhet të kujtojmë këtu se XV është i njëjti gaz që u përdor për të vrarë vëllain e Kim Jong-unit vitin e kaluar.

Format në të cilat gjendet helmi Novichok

Disa variante janë të lëngshme, por mendohet se ky agjent kimik ekziston edhe në gjendje të ngurtë apo në formë pudre. Disa agjentë të kësaj natyre konsiderohen “armë binare”.

Kjo do të thotë se veç e veç përbërësit e tyre nuk janë të rrezikshëm, por kur përzihen bëhen agjentë toksikë aktivë. Kjo e bën më të lehtë edhe transportimin e tyre, pasi përbërësit nuk janë në listën e materialeve të ndaluara.

Ato mund të transportohen pa asnjë problem për personin që i mban deri në momentin që shkojnë në destinacion.

Efekt i menjëhershëm

Nëse një person thith apo kapërdin një agjent Novichok, apo edhe nëse thjesht ky i fundit bie në kontakt me lëkurën, efekti është i menjëhershëm.

Simptomat nisin të shfaqen 30 sekonda deri në 2 minuta pas kontaktit. Megjithatë, varianti në formë pluhuri mund të marrë më shumë kohë për të shfaqur simptomat, të cilat ndodh të manifestohen edhe 18 orë pas kontaktit.

Simptomat janë njësoj si ato të agjentëve të tjerë nervorë

Agjentët Novichok veprojnë agjentët e tjerë nervorë. Kjo do të thotë se fillimisht ata bllokojnë mesazhet që transmetohen nga nervat te muskujt, çka shkakton rrëzimin e të prekurit dhe bllokimin e disa funksioneve të trupit.

Simptomat përfshijnë zbardhjen e syve, bebëzat zvogëlohen, nisin konvulsionet dhe në rastet më të rënda pason koma ose vdekja. Të tjera simptoma në fazat fillestare janë frymëmarrja e shpejtë, shkuma nga goja, të përzierat apo djersitja e lëkurës.

Këta agjentë kryesisht shkaktojnë ngadalësimin e ritmit të zemrës dhe ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes, duke shkaktuar vdekjen nga asfiksia.

Disa variante të Novichok-ut janë projektuar posaçërisht për t’u rezistuar antidoteve të agjentit nervor standard.

Nëse dikush ekspozohet ndaj këtyre agjentëve, ai duhet të heqë menjëherë rrobat dhe të lajë të gjithë trupin me ujë dhe sapun. Sytë duhet të shpëlahen menjëherë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: info@gazetametro.net
marketing@gazetametro.net
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë